TIA: Partitë politikë duhet të publikojnë burimet financiare dhe shpenzimet e fushatës

Transparency International Albania kërkoi sot që partitë politike të bëjnë publike burimet financiare dhe shpenzimet për fushatën elektorale të 28 qershorit, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Në një deklaratë për median, TIA konstaton se kjo transparencë "lë për të dëshiruar", pasi edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në vend, partitë politike ende nuk kanë bërë transparencën financiare përballë elektoratit. "Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale", thuhet në këtë deklaratë. Duke cituar dispozitat e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, Transparency International Albania shprehet se "partitë politike janë të detyruara të qëndrojnë transparente përballë elektoratit, duke publikuar në çdo kohë burimet financiare si dhe shpenzimet e tyre dhe i bën apel të bëjnë publike sa më parë shumën e shpenzimeve të tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të verifikohet se sa është respektuar Neni 90 i Kodit Zgjedhor, i cili parashikon ndalimin e shpenzimeve më të mëdha se 10- fishi i shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike", vijon deklarata. Bazuar në këtë nen, TIA u kërkon partive politike që sa më parë të publikojnë regjistrin e financimit të fushatës zgjedhore. Ky nen parashikon se çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. "Publikimi i listës së kontributorëve të fushatës elektorale të partive politike është mënyra më e mirë për të kontrolluar respektimin e Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon financimin nga subjekte të posaçme si investitorët me fonde publike, financuesit e huaj etj", thuhet në raportin e TIA-s. Në fund të deklaratës, Transparency International Albania propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike, i cili duhet të përfshijë jo vetëm atë që ndodh në fushatë, por edhe midis dy fushatave, duke synuar respektimin e Nenit 9 të Kushtetutës.
KQZ vendos nesër në lidhje dorëzimin e fondit të dhënë për fushë për partitë që nuk fituan në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shqyrtojë të martën projektvendimin "Për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit". Sipas Kodit Zgjedhor (neni 87, pika 3), partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Fondet e kthyera, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike, që kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit konkurruan 34 parti politike, të grupuara në katër koalicione, dy të spektrit të djathtë dhe dy majtë, si dhe një subjekt i pavarur.
...