E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juela Meçani - Jeta ime larg bashkëshortit, zënkat dhe xhelozitë

 

klotilda harka

Juela Meçani tregon për “Panorama Plus” se pse është ndryshe nga gratë e tjera që bëjnë karrierë politike. Puna si zëdhënëse e Kryeministrisë dhe jeta në Tiranë me vajzën e vogël e larg bashkëshortit.  
Juela një punë e ngarkuar pranë kryeministrit Berisha. Si arrini të administroni kohën tuaj?
Është e vërtetë, që puna e zëdhënëses nuk njeh orar, madje dhe orët e darkës janë të vona. Është e vështirë, por unë përpiqem me aq sa kam mundësi të administroj kohën, dhe të merrem me vajzën 3 vjeçare Noemi.
E si është të punosh në Kryeministri?
Është përgjegjësi e madhe, pasi je nën kupolën e qeverisë, por ka një anë të mirë që nuk humbet kontaktin me realitetin.
Është një punë që kërkon shumë diplomaci besoj?
Natyrisht, dhe duke qenë se jam një ish-gazetare me profesion komunikimi bën pjesë në ADN-në time.
Ju shkakton stres puna që bëni, ndërsa jeni në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin?
Përgjegjësi po, por jo stres. Unë kam axhendën dhe planin e punës time dhe respektoj atë axhendë, ndërsa komunikimi është mes personave të rangut të lartë. Problemi që haset në administratën shqiptare, është se të tjerët përpiqen të zgjerojnë kufijtë e kompetencave të tyre. 
Por kjo punë ju kërkon të jeni në formë. Sa merreni me veten përsa u përket trajtimeve estetike?
Fare. Për hir të vërtetës kam bindjen se nuk jam ajo që investoj për veten në këtë pikë, si gratë e tjera në karrierë.
Cila është natyra jote?
Jam natyrë sociale.
Por ritmi i ditës, ndoshta ju bën të humbni nga feminiteti juaj?
Është e vërtetë që kërkohet një forcë, por nuk do të thotë humbje e feminitetit. Të qenit femër është klas, edukatë, mirësjellje, dhe kjo është e lindur. Nëse shtiresh, stonon në sy të atyre që të kanë njohur prej kohësh. Jam natyrë që feminitetin e kam pjesë të tipit tim.
Po kjo ndoshta shpjegohet ngaqë fillimet tuaja i keni nisur si vajzë spektakli?
Nuk kam qenë vajzë spektakli. Unë u shpalla “Miss fotozhenia”, kur isha vetëm 17 vjeç. Më vonë spektaklet i kam prezantuar si gazetare profesioniste, dhe po ashtu kam qenë skenariste dhe menaxhere artistike e tyre. Natyrisht që është krijuar ideja e vajzës së bukur, por unë kam filluar si gazetare në RTSH, dhe kam hapur satelitin shqiptar me “Kalendarin televiziv”.
Po flisni shumë për forcën e femrës. Realisht sa femër e fortë jeni?
Kjo është pikë e rëndësishme e karakterit tim, forca që të tjerët  nënvlerësojnë tek unë, dhe që e zbulojnë pasi përballen me mua. 
Mes gazetarisë dhe politikës, si pozicinoheni?
Kam pasur një distancë të nevojshme mes dy profesioneve. Duke qenë zëdhënëse e Kryeministrisë, jam pjesë e stafit politik, dhe kështu nuk mund të mbaj duart larg të ndjerit “blu”. Pra me një fjalë më duhet të ruaj ekuilibrin. Ndërkohë botoj në media shkrime që lidhen me gruan, dhe përfshirjen e saj në politikë. Të shkruarit mbetet pasioni im.
Çfarë kujtoni nga koha kur konkurruat në Miss?
Ato kanë qenë vitet e mrekullisë shqiptare. Sepse atëherë nuk mund të bëje llogaritje të tilla, që nëse marr pjesë në një konkurs bukurie, do i hyj botës së televizionit. Atëherë nuk kishe treg mediatik, televizione private, apo spektakle. Kujtoj që sfilata e parë e modës, u bë vetëm 3 vite pasi unë konkurova në “Miss Albania”.
Atëherë pse vendosët të merrnit pjesë?
Arsyeja pse mora pjesë në një konkurs bukurie në ato vite, ishte një sfidë ndaj vetes sime, dhe kryesisht ndaj babait, i cili ishte shumë fanatik, dhe madje nuk më lejonte të vishesha me minifund, apo të grimohesha.
Mbani mend kur jeni grimuar për herë të parë?
17 vjeç, ku mora pjesë në miss.
Tashmë cilat janë ambiciet tuaja të mëtejshme?
Po natyrisht, që unë kam ambicjet e mia të mbetem në politikë, por gjithmonë duke i ngjitur shkallët një nga një dhe me maturi. Ajo që mund të them tani është se për një zonjë si unë në moshën 33 vjeçare është një kënaqësi shumë e madhe të punoj pranë kryeministrit.
Do të vazhdosh të jesh në politikë. Si?
Unë jam në politikë. Kjo që po bëj është politikë mediatike, dhe them se është shumë e vështirë të jesh në syrin dhe shigjetat e të gjithëve.
Ndërkohë bashkëshorti juaj Dritan Haxhia, vazhdon të jetojë në Itali. Kjo periudhë largësie mes jush, ka zgjuar ndopak xhelozinë?
Jo më. Dikur po. Dritani është një vit më i madh se unë, dhe kështu jemi gati moshatarë. Nga eksperienca ime mund të them që një çift i tillë është gjithnjë në lëvizje, dhe shumë i vërtetë në jetën që bën. Por dihet që ka më shumë zënka mes tyre.
Si e kaloni stresin?
Udhëtoj drejt Durrësit në shtëpinë time atje, ose lexoj. Por më ndodh rrallë të mërzitem pasi jam tip që e marr jetën me shumë pozitivitet.

Italia dhe paratë
Në fakt është kthyer përfundimisht në Shqipëri, edhe pse nuk do t’ia përsëritë vetes. “Por Italia më ka dhënë shumë, atje lindi vajza ime, kam shumë miq, dhe më e rëndësishmja që më dha stabilitet ekonomik, shtëpi dhe prona të tjera, që kur isha vetëm 30 vjeçe”.
Paratë që shpenzon? “Në fakt shpenzoj për vajzën time. Veshjet i blen jashtë dhe janë pjesë e buxhetit të bashkëshortit. Më shumë shpenzoj për biseda telefonike”.

Pasioni për poezinë
Të shkruajë poezi, është pasioni i saj. Por që kur ka ardhur këtu nuk ka hedhur asnjë rresht në letër pasi “poezia”, thotë ajo, “nuk e pranon pragmatizimin e kësaj pune”. E shkruan, por nuk e lexon asnjëherë, dhe për më tepër preferon të lexojë letërsinë të verdhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›