Juna e “Big Brother” ndahet nga i dashuri. Dritani bëhet baba
Panorama PLUS Pas vallëzimit në pistën e programit “E diell”, tani Juna e “Big Brother 2” mund të kërcejë dhe të argëtohet si profesioniste në pub-et e Tiranës. Jo se këtë gjë s’e ka bërë më parë, por tani është e lirë dhe e pavarur për të zgjedhur shoqërinë që frekuenton. Arsyeja pasi është ndarë nga i dashuri i saj Arbër, dhe po përpiqet ta kalojë sa më lehtë duke u argëtuar në shoqërinë e miqve. Shkak për ndarjen e tyre është bërë pikërisht pjesëmarrja e saj në garën e vallëzimit në programin “E diell” në “Top Channel”, për të cilën Arbri nuk kishte qenë dakord. Thuhet se i dashuri i saj, një muzikat i grupit “Alb magjik”, dëshironte shumë ta mbante nën tutelën e tij Junën, dhe daljet e vetme që ajo do të kishte do të ishin si këngëtarë me krijimet që ia realizonte ai. Edicionin e kaluar të Festivalit të Muzikës Moderne “Top Fest”, Juna konkurroi me një këngë të kompozuar nga ai. Juna pas përfundimit të garës së kërcimit në programin e Adi Krastës, nuk ka marrë asnjë ofertë tjetër nga “Top Channel”, për t’u përfshirë në ndonjë program televiziv apo projekt të ri. Ajo kishte shumë dëshirë për të konkurruar sërish në “Top Fest”, por me ndarjen nga i dashuri ajo ka humbur dhe kompozitorin e saj, kështu që nuk do të arrijë dot të konkurrojë këtë vit, pasi nuk ka një këngë gati. Një arsye tjetër e ndarjes së tyre ka qenë dhe largësia, pasi Arbri që vjen nga një familje muzikantësh jeton në Zvicër. Ai i premtonte se do të rikthehej përgjithnjë, gjë që nuk e bëri. Pasi mbaroi studimet në një universitet privat në Tiranë, ai vendosi të qëndrojë në Zvicër. Në fillim çifti pati kontradikta me njëri-tjetrin, derisa vendosën të flasin hapur dhe të ndahen me mirëkuptim. Juna, që sapo ka lënë ethet e garës së kërcimit, merret ndërkohë me organizimin e karaokeve në lokale të ndryshme në Tiranë, së bashku me këngëtarin e ri, Kelly. Për sa i përket shoqërisë së saj, natyrisht që del vazhdimisht me miqtë që i ka njohur në shtëpinë e famshme “Big Brother 2”. Por para pak netësh, ajo është fotografuar e përqafuar me Alban Rexhën, protagonistin e zhurmshëm të “Kafazit të Artë 5”. Nuk dihet shumë rreth miqësisë së tyre dhe fillesave të njohjes, por janë parë shumë të qeshur në shoqërinë e njëri-tjetrit. Mbase përveç eksperiencës së njëjtë si protagonistë në dy “reality show” në ekrane të ndryshme i bashkon dhe dëshira e përbashkët për muzikën. Dimë se Juna është prezantuar si këngëtare dhe konkurrente, ndërsa Rexha po ashtu ka plane për të realizuar këngë të tij. Në një shkrim të para disa muajve, Alban Rexha pohoi se edhe pse s’ishte i lidhur me ndonjë vajzë, i pëlqente një bionde, emrin e së cilës nuk donte ta bënte të ditur. Dritani i BB bëhet baba dhe fillon punë në ministriKa vetëm tri ditë që ka ardhur në jetë ajo krijesë e vockël, që e ka marrosur krejt. Ndjehet pafundësisht i lumtur dhe akoma nuk arrin të mësohet me idenë. Dean quhet fëmija i Dritanit të “Big Brother 2”, ka lindur në një nga maternitetet e Tiranës, e shoqja e Dritanit, Eva ka patur një lindje natyrale mëse normale, e ndjekur nga mjeku i njohur Avenir Balili. Bebi peshonte 4 kg e 200 g dhe dy të rinjtë kanë vendosur që ta thërrasin me këtë emër të veçantë, që është bashkimi i inicialeve të emrave të tyre. Pasi mjekët kanë parë që gjithçka ka ecur mirë, Eva ka lënë mbas dy ditësh maternitetin. Dritan Shehaj u bë pjesë e programit “Big Brother 2”, duke u bërë menjëherë i njohur nga publiku. Natyrisht me tipin e tij bëri menjëherë për vete pjesën më të madhe të adhuruesve të këtij programi, duke u identifikuar me imazhin e djalit të mirë, shumë serioz dhe shumë strikt, madje në disa raste pak si tepër, po të kemi parasysh që bëhej fjalë për një lojë ku elasticiteti, përshtatshmëria dhe sensi i humorit janë armë shumë të forta për të qëndruar gjatë, por edhe për të fituar, ashtu siç ndodhi në “Big Brother 1” ku fitues ishte përsëri një tjetër djalë i etiketuar si “i mirë apo i mbarë” nga publiku, siç ishte Arbri. Dritani nuk arriti ta përsërisë suksesin e tij, por ama u largua nga ai konkurrim në mënyrë shumë dinjitoze, duke u bërë në një farë mënyre një farë fituesi moral, për vetë cilësitë e mira që ai arriti të përshfaqë në ato ditë bashkëjetese me bashkëmoshatarë të panjohur. Më pas nuk pati aktivizime në televizion për Dritanin, ashtu siç ndodhi me shumë ish-konkurrentë për të cilët “Big Brother” konsiderohej paradhoma e botës së televizionit dhe spektaklit. Mbase koshient se nuk ishte i prerë për atë fushë, por mbase edhe me plane krejt të tjera në kokë, Dritani shumë shpejt filloi të lakohej për tjetër gjë, për angazhimin e tij në strukturat e LSI, sapo doli nga “Big Brother”, kohë kur vetëm pak javë na ndanin nga zgjedhjet e përgjithshme. Por edhe aty si në “Big Brother”, Dritani nuk luftoi për protagonizëm të ekzagjeruar. E konsideroi gjithçka si fillim, duke e marrë jetën politike shumë shtruar. Por duket se shpërblimi nuk i vonoi. Tani që LSI është pjesë e qeverisë dhe dy ministra të kësaj force politike dhe zëvendëskryeministri janë nga LSI, dikush ka menduar edhe për punësimin e Dritan Shehajt. Kështu ne mësuam se katër muaj më parë, ai ka filluar punë në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga zoti Petrit Vasili, në Drejtorinë Juridike si specialist i sektorit të licencave të sektorit privat të shëndetësisë. Nga vetë pozicioni tij, aktualisht kuptohet mirë se dilema që dikur kishte, nëse e ardhmja e tij do jetë si ushtarak apo si jurist, tashmë është zgjidhur. Madje i kontaktuar nga ne, vetë Dritani pohon se ka hequr përfundimisht dorë nga karriera e ushtarakut, duke preferuar më shumë fushën e jurisprudencës. Gjithashtu ne u bëmë kuriozë të mësojmë ndonjë detaj më shumë për mënyrën se si ai u punësua, nëse njihej personalisht me Ministrin e Shëndetësisë dhe nëse angazhimi i tij në LSI, kishte thjesht si qëllim punësimin dhe jo bindjen politike, por ai tregon; “Unë z. Vasili nuk e kam njohur asnjëherë personalisht. por thjesht si sekretar i përgjithshëm i kësaj partie. Nuk kam bërë përçapje nga ato bezdisëset që të punësohesha se s’bën. por ama nuk e mohoj se aktivizimi im në LSI ka influencuar për mirë në këtë rast”. - na rrëfen Dritani.