E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA jep 50 mijë USD për përmbytjet në Shkodër

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin një shumë prej 50 mijë dollarë për t'u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në veri të vendit. Në një njoftim të Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë thuhet se ky fond do t'i kalojë Kryqit të Kuq Shqiptar. "Në përgjigje të situatës së emergjencës, krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë, Ambasada e ShBA. deklaroi sot se do të dhurojë 50,000 USD si ndihmë emergjence për të mbështetur ata që janë prekur më shumë. Fondet do t'i përcillen Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5,000 banorë në veri të vendit", thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë, Qeveria ka bërë dje bilancet e para për ndihmat e ardhura nga të gjitha qytetet për përmbytjet e Shkodrës. Në total në 9 qarqe të vendit është mbledhur një shumë prej 28.7 milionë lekë të reja. Gjithashtu pranë shtabit të emergjencave, të ngritur në Shkodër, kanë ardhur një sasi e madhe me ushqime dhe veshmbathje. "Në krejt vendin po evidentohet qartë fuqia e solidaritetit vëllazëror, si një nga tiparet më fisnike të shoqërisë shqiptare. Raporti i individit me shoqërinë po shkon dita-ditës në kuotat më të larta të përsosmërisë dhe bashkëpunimit. Gjithë përfshirja dhe solidariteti njerëzor i të gjithë shtresave dhe grupimeve social po bëhet një lajtmotiv i ditës pas përmbytjeve në rajonin e Shkodrës", thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›