E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana 40 milionë për Shkodrën

 zirina llambroDebatet politike nuk mund të mungojnë kurrsesi në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Madje edhe kur bëhet fjalë për solidaritet, si rasti i përmbytjeve në Shkodër. Por gjithsesi pas shumë polemikash, me 29 vota pro, këshilli vendosi të akordojë një fond prej 40 milionë lekësh në ndihmë të banorëve të zonës së përmbytur. Kjo shumë u propozua nga kryetarja e grupit të LSI, Monika Kryemadhi ndërsa më parë ishte diskutuar për 20 milionë lekë. Në votë u hodh edhe propozimi i partisë socialiste për të miratuar më parë buxhetin e bashkisë për vitin 2010 dhe më pas të vendosej për ndihmën që do të jepej. Ky propozim u rrëzua. Në fakt kjo pikë e shtuar në rendin e ditës ishte edhe zanafilla e toneve të ashpra mes anëtarëve të maxhorancës dhe atyre të partisë socialiste. Nuk munguan as akuzat ndaj qeverisë si shkaktare e përmbytjeve, çka solli irritimin edhe të kreut të këshillit Sokol Dervishaj, i cili pezulloi 2 herë mbledhjen. "Nuk është vendi për ta kthyer mbledhjen e këtij këshilli sidomos në këtë rast, në arenë politike. Më duket jo normale. Ne kemi dhënë  5 milionë lekë për një tërmet në Kinë  apo 10 milionë në ndihmë të Sarajevës. Tani u dashka të debatojmë kaq fort për një ndihmë që e kemi detyrim ndaj qytetarëve shkodranë", tha Dervishaj. Kryetarja e re e grupit të PS-së Adriana Berberi u shpreh se  dhe anëtarët e PS, nuk mohojnë të japin ndihmën ndaj të përmbyturve në Shkodër por çështja nuk duhet parë kaq ngushtë. "Nuk mund të merret një vendim që reflektohet mbi buxhetin e vitit 2010 të bashkisë së Tiranës, ndërkohë që ai është miratuar. Kjo është teknikisht e pamundur. Ndaj të kalojmë buxhetin, pasi emergjenca e këtyre fondeve ka kaluar dhe normalisht vendimi për akordimin e tyre mund të merret edhe pas 10 ditësh e dy javësh", tha Berberi. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi përpara se të hidhej në votë fondi theksoi se miratimi i buxhetit të bashkisë duhet të bëhej në një tjetër mbledhje. "Të hedhim në votë sot fondin që do të akordojmë në shenjë solidariteti, pastaj për buxhetin. Në radhë të parë duhet të bëhen mbledhjet e komisioneve dhe të diskutohet aty. Buxheti ka mjaft pika të errëta që duhen sqaruar dhe përgjigjet e tyre nga administrata e bashkisë në do t'i marrim fillimisht në këto komuna", tha Kryemadhi. Në të njëjtën vijë ishte edhe kryetari i grupit të PD-së Ferdinand Poni. "Rruga për miratimin e buxhetit është e hapur, ai do diskutohet dhe nëse është brenda standardeve do të miratohet. Shoh që bashkia e Tiranës ka bërë disa përmirësime. Nëse vjet insistuan që nuk do të paraqisnin asnjë detajim të projekteve që do të realizoheshin, këtë vit e kanë reflektuar vërejtjen tonë. Sot të solidarizohemi dhe tu vijmë në ndihmë banorëve të Shkodrës", tha Poni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›