E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rugova: Pavarësia e Kosovës do të sjellë garanci për investitorët dhe për rajonin

04/01/2005  Në një intervistë të tij, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, është shprehur se njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës do të sillte garanci për investitorët. Sipas tij, administrata e Kosovës nuk mund të japë garanci për investimet, pasi nuk i ka në dorë të gjithë kompetencat, ndërsa UNMIK është një organizëm i përkohshëm, ndaj dhe nuk mund të sjellë një garanci të tillë. Për këtë çështje, Rugova është shpehur se pavarësia do të sjellë rritjen ekonomike dhe investimet e nevojshme. Madje, pavarësia, sipas tij, do të sjellë dhe stabilizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Nga ana tjetër, Rugova është shprehur se përfaqësitë e Kovovës në botë do të kthehen në ambasada të mirëfillta mes shteteve.

Zoti President, përfundoi një vit me ngjarje që mund t’i quajmë historike për popullin dhe shtetin e Kosovës. Si i vlerësoni ju proceset e zhvilluara dhe çfarë do të veçonit?

Në përgjithësi, progresi i Kosovës ka vazhduar në të gjitha fushat e jetës. Moment më të rëndësishëm do të veçoja mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, të dyta në Kosovën e lirë të pasluftës, që rrodhën jashtëzakonisht mirë dhe që ishin demokratike e të lira dhe që u vlerësuan pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare. Po ashtu, edhe ndërtimi i shpejtë i institucioneve shtetërore kombëtare të Kosovës, është një moment shumë i rëndësishëm dhe natyrisht edhe shumë momente të tjera pozitive që janë zhvilluar në Kosovë. Por vërtet, zgjedhjet ishin një ngjarje që shënuan vitin që lamë pas.

Në planin e brendshëm gjithnjë e më fuqishëm është krijuar bindja se tashmë në Kosovë janë formësuar institucionet që garantojnë qeverisje të suksesshme. Mirëpo, faktori ndërkombëtar ende ka rezerva, edhe pse i njeh potencialet dhe mundësitë vepruese. Cili është komenti luaj z.President?

Kam besim në institucionet e reja që i kemi krijuar. Kemi një freski në Qeverinë e re të Kosovës edhe nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të tjerëve që bëjnë pjesë në këtë koalicion. Kjo do të jetë një qeveri shumë më efikase, por natyrisht tani është fillimi, vetëm një muaj nga formimi i qeverisë dhe institucioneve. Mund të ketë pikëpamje të rezervuara derisa të mësohemi dhe të fillojnë rezultatet e para konkrete të qeverisjes së këtyre institucioneve. Mirëpo është një vlerësim yni, i njerëzve në Kosovë, i UNMIK-ut dhe i përfaqësive diplomatike në vendin tonë se kjo strukturë e qeverisë është një ekip i ri që i njeh gjërat dhe që mund t’i zhvillojë ato.

Zgjedhjet e fundit nacionale e finalizuan cilësinë e qeverisjes, që mbështetet mbi institucionet e mirëfillta, të krijuara sipas koalicionit të bazuar në verdiktin e popullit, që qeverisjen ia besoi mazhorancës, kurse opizitën e la në rolin e kujdestarisë. A mendoni se ky ristrukturim do të jetë një mundësi e re e dinamizimit të procesve në Kosovë?

Po. Do të jetë një mundësi e re e zhvillimit të Kosovës dhe një mundësi dhe një akt për forcimin e demokracisë në Kosovë. Pra, që të fillojmë të mësohemi me këtë formë të jetës dhe të udhëheqjes demokratike. Siç e dini në mandatin e kaluar kemi pasur një qeveri të bazuar në marrëveshjen e gjerë, e cila ka vënë bazat e institucioneve të Kosovës por kjo qeveri do të jetë më efikase, sepse është ndërtuar mbi vullnetin e shprehur të të dyja palëve kryesore bashkëqeverisëse.

Institucionet e reja shtetërore të Kosovës, në 25 ditët e para të funksionimit po japin shenja të një përkushtimi veprues, që në opinion rrezaton optimizëm, sepse besohet se po krijohet uniteti veprues i të gjithë faktorëve relevantë e mbi të gjitha i institucioneve të vendit tonë?

Po, kjo vihet re tashmë. Aktualisht po bëhen edhe planet operative, projektet e ndryshme, pastaj do të vazhdojnë edhe ato që janë lënë nga qeveria e mëparshme. Ministrat e rinj janë njerëz të përgatitur, njerëz që deri më tani kanë qenë në rrjedhat politike dhe në rrjedhat administrative të Kosovës dhe që kanë aftësi t’i realizojnë qëllimet e kësaj qeverie. Natyrisht të sjellin një përmirësim të gjendjes, të zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimeve tjera në Kosovë.

Presidenca, institucioni më i lartë i shtetit, vazhdon të jetë shumë e vizituar nga personalitetet më të larta të diplomacisë botërore. Këto kontakte a janë të rëndësishme apo vendimtare për përcaktimin e fatit të Kosovës?

Në kontaktet dhe në bisedat, siç është e njohur publikisht, çështja kryesore është njohja e pavarësisë së Kosovës, njohja formale apo zyrtare, sidoqoftë. Ne, de fakto, jemi të pavarur. Natyrisht edhe çështjet e tjera të zhvillimit ekonomik, të mundësisë së investimeve, të interesit që kanë vendet e ndryshme për Kosovën e tjerë. Mirëpo, ajo që unë insistoj është njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së vendit tonë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, pra që Kosova të jetë një vend i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Ky është qëndrim zyrtar dhe këtë çështje e zhvillojmë vazhdimisht.

Këmbëngulni vazhdimisht në pavarësinë e Kosovës. Këtë e thoni edhe pas çdo takimi me diplomatë. Në të gjitha paraqitjet publike insistoni për njohjen formale të pavarësisë. Mirëpo kemi përshtypjen se ky insistim juaji ende po anashkalohet nga disa qarqe diplomatike, ndonëse të gjithë e dinë se Pavarësia e Kosovës do të stabilizonte rajonin?

Ka mirëkuptim për këtë çështje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nga Unioni Evropian. Mirëpo, tani janë duke u ndërmarrë hapa dhe rrugë të ndryshme, siç janë vlerësimi i progresit e që pastaj të bisedohet për pavarësinë. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë, që do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës dhe që do ta pranonin edhe fqinjët tanë. Por, nëse dëshiron ndonjë vend i Unionit Evropian ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta pranojnë drejtpërdrejt pavarësinë e Kosovës atëherë këtë do ta pranonjnë edhe fqinjët tanë.

Cila do të ishte mënyra më e mirë që do ta preferonit edhe ju, në përcaktimin e statusit të Kosovës, me njohjen e drejtpërdrejtë nga shtetet me ndikim apo me Konferencë të veçantë për Kosovën?

Unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë formale të pavarësisë dhe po punojmë të gjithë për këtë. Por, nëse bëhet ndonjë konferencë e vogël, apo ndonjë takim i vogël, edhe pse nuk kemi nevojë për një të tillë, me destinim që të njihet pavarësia e Kosovës, në të cilin fqinjët tanë nuk do të kishin të drejtë vetoje në këtë, sepse ka kaluar ajo kohë, ne jemi të gatshëm edhe për këtë variant. Por, më duhet ta theksoj se ne insistojmë dhe është më e mirë, më e qëlluar dhe më e drejtë njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Bashkimi Evropian, të cilën do ta formailzonte edhe OKB-ja, sepse çështja e fuqisë vendosëse është e koncentruar në këtë aks transatlantik.

UNMIK-u, KFOR-i, OSBE-ja etj., janë faktorët vendimtarë të vlerave të protektoratit, që i keni ftuar me vite. Për punën e tyre, ju keni shprehur konsiderata të larta. Ky faktor ka statusin e përkohshëm, ndërsa ka ardhur koha e kalimit të kompetencave tek institucionet e Kosovës. Si e vlerësoni raportin me faktorin ndërkombëtar dhe si mendoni se duhet të bëhet ky kalim kompetencash?

UNMIK-u ka qenë shumë pozitiv në 3 vitet e para, duke vënë bazat e zhvillimit dhe të sistemit institucional në Kosovë. Pas zgjedhjeve nacionale, kompetencat kanë mundur të barten më shpejt, por ka pasur ngecje në këtë çështje. Por raportet momentale janë shumë të mira. Me ardhjen e Petersenit, kemi gjallëri më të madhe dhe një gatishmëri të UNMIK-ut që të kalojë më shumë kompetenca tek institucionet e Kosovës në fushën e ekonomisë dhe pastaj gradualisht në fushat e sigurisë dhe në fushat e tjera dhe që ai të kalojë në rolin e mbikëqyrësit apo monitoruesit të proceseve. Ndërsa KFOR-i është një organizatë ushtarake që bën sigurinë e përgjithshme të Kosovës dhe që ka bërë vazhdimisht një punë të shkëlqyeshme dhe ka qenë vazhdimisht në nivel të detyrës. Me Petersenin shpresojmë të vizitojmë institucionet më të larta ndërkombëtare.

Kemi përshtypjen se Peterseni ka ndikuar në dinamizimin e proceseve në Kosovë dhe jashtë. Ai është përpjekur ta prezentojë mirë Kosovën në disa nga qendrat e vendosjes. Mirëpo, është e hetueshme mungesa e Presidentit të Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare. Ku është arsyeja, sipas jush, dhe pse ky ngurrim i kryeadministratorit?

Kjo është një pasojë dhe një çështje që i takon mandatit të kaluar. Ishte një qëndrim i pashpjegueshëm që përfaqësuesit e institucioneve vendase të Kosovës të mos dalin shumë jashtë. Ju e dini që deri në vitin 2001, unë kam dalë shumë jashtë ashtu si edhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës. Ishte një qëndrim që ne të merremi me punët e brendshme, por pa kurrfarë kompetencash edhe ajo doli pak si absurd. Ju e dini se nga fundi i mandatit të Shtajnerit unë isha në Parlamentin Evropian dhe në Selanik, gjë që u vlerësua shumë pozitive të cilën Shtajneri e vuri re. Ndërsa Peterseni ka premtuar dhe shpresojmë se, ose së bashku, do të shkojmë në insititucione të larta ndërkombëtare ose edhe në forma të pavarura pra që Presidenti, Qeveria, ministra të ndryshëm edhe parlamenti me homologët e vet në vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të bëjë vizita të ndryshme, sepse edhe Parlamenti ka qenë i izoluar që të përfitojë nga përvojat dhe të kemi lidhje që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në një farë forme me ardhjen e Petersenit, ky izolim ka filluar të bjerë dhe kemi filluar të dalim nga ky izolim. Së dyti që të kemi një partneritet më të madh me UNMIK-un .

Prioritetet e Presidentit në planin e politikës së jashtme?

Të hapen sa më shpjet zyrat përfaqësuese të Kosovës në vendet perëndimore në këtë fazë. Ndërkaq, me njohjen e pavarësisë këto të shndërrohen automatikisht në ambasada. Kurse prioritet kemi që të punojmë me miqtë tanë që të njihet sa më shpejt pavarësia e Kosovës, natyrisht një prezencë diplomatike në vendet evropiane në SHBA do të ndihmonte shumë këtë. Ju e dini, para dy vjetësh mora një iniciativë me senatorin Bob Doll, të cilin e emërova “Ambasador nderi” të vendit tonë në SHBA, dhe për këtë fillimisht kishte hezitime të UNMIK-ut, por ne do të vazhdojmë edhe me këtë formë, por edhe me forma të zyrave që do të kemi një komunikim zyrtar me vendet e tjera dhe që të mos mbetemi në mëshirën e gjysminformatave etj.

Qëndrimet e faktorëve relevantë evropianë për statusin e Kosovës ndryshojnë nga ato amerikane. A është fjala për nuanca apo për dallime fundamentale?

Unë mund të them se ka një mirëkupim rreth pavarësisë së Kosovës edhe në SHBA edhe në Unionin Evropian. Ne të gjithë e dimë që SHBA-të kanë një politikë nacionale dhe unike rreth të gjitha çështjeve, pra edhe rreth çështjes së Kosovës dhe çështjeve të tjera në botë. Ata janë më efikas dhe më pragmatikë. Ndërsa Unioni Evropian, si një strukturë që po ndërtohet kërkon më shumë kohë, konsultime, qëndrime të ndryshme. Por edhe ata kanë qëndrim pozitiv dhe është çështja e hapave dhe e efikasitetit. Por çka është më e rëndësishme vendet më të mëdha të UE-së kanë qëndrim pozitiv, por kemi të bëjmë me çështje të harmonizimit dhe të hapave. Prandaj, edhe insistimi ynë është që pavarësia të njihet sa më shpejt. Por ka fjalë të ndryshme dhe mendime të ndryshme, të cilat bëhen nga qarqe të caktuara për ta diskredituar Kosovën dhe udhëheqjen e saj, ose për të futur ndonjë kundërshti në mes të këtij aksi që ne na përkrah dhe që ne e respektojmë, pra SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Kjo ndoshta ndonjëherë ka krijuar një kompleks të krijimit të armiqësive. Por, ne duhet që me logjikën e mbarë, që e ka pasur gjithnjë populli ynë dhe historia jonë pozitive, të krijojmë sa më shumë miq dhe të jemi insistues në aspiratat tona, pra në këtë rast për pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Rizgjedhjen tuaj a e konsideroni rikonfirmim të besimit të popullit të Kosovës për veprimtarinë dhe rrugën tuaj të mundimshme e të sukseshme 15-vjeçare apo vazhdim të platformës së LDK-së për përmbylljen e një procesi politik?

Ka interpretime të ndryshme për këtë. Por, nëse flasim në planin partiak, LDK-ja, si parti qendrore e Kosovës, e cila gjithnjë është mbështetur në votën e qytetarëve të Kosovës dhe në besimin e tyre për punën e saj para luftës, në një situatë shumë të rëndë dhe që me ndihmën e miqve tanë dhe të Zotit arritëm ta kalojmë, por edhe pas luftës. LDK-ja edhe Presidenti ka treguar një punë konkrete edhe me udhëheqjen prej vitit 2000 si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, i kanë bindur njerëzit e Kosovës që të votojnë për LDK-në. Prandaj, ne duhat ta pranojmë logjikën demokratike se kush e fiton shumicën do ta udhëheqë vendin. Dhe kjo është thelbësore në demokraci.

A do të insistoni që në të ardhmen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen njëkohësisht?

Ne jemi duke i bërë aktualisht planet e institucioneve, të qeverisë dhe të parlamentit dhe ne do të insistojmë që të bëjmë një ligj të ri zgjedhor të kombinuar, mazhoritar dhe proporcional që do t’i siguronte edhe partitë e vogla që të jenë prezente në vendimet politike. Por duhet gjithsesi që ky ligj i ri zgjedhor të sigurojë një shumicë solide dhe të qëndrueshme, e cila do t’i ndërtonte institucionet dhe ligjet, që ato të mos bllokohen dhe që institucionet dhe deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt, pasi nga viti i ardhshëm do të bëhet regjistrimi i popullsisë në zona. Presidenti duhet të zgjedhet drejtpërdrejt që të kemi një institucion të qëndrueshëm dhe të fortë e demokratik, në mënyrë që të mos ngatërrohemi me këtë sistem që e kemi dhe që është shumë i komplikuar, ndërsa nuk siguron një qëndrueshmëri të shumicës që i fiton votat. Ne i kemi fituar në këto zgjedhje, por duke e parë se nuk kishim shumicë absolute zgjodhëm një partner që të bëjmë një koalicion, të kemi një shumicë dhe një opozitë. Ta provojmë edhe këtë praktikë demokratike në Kosovë, që do të jetë pozitive dhe do të japë rezultate.

Keni deklaruar se decentralizimi dhe standardet e hekurta mund të krijojnë probleme, a mendoni se ka përpjekje të tilla për ta zvarritur në këtë mënyrë statusin final?

Unë kam thënë në fakt që standardet për Kosovën të mos trajtohen si standarde të hekurta pra, që ato të jenë standarde prioritare dhe që të mos ketë keqkuptim. Prandaj, ne po themi që ka një ndryshim edhe tek UNMIK-u edhe te bashkësia ndërkombëtare që këto t’i quajmë standarde prioritare, dmth., ato që i janë vënë si kusht të gjitha vendeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike. Ju po e vëreni se të gjitha vendet që presin për t’u integruar i kanë këto dy-tre standarde për t’i plotësuar që janë siguria, stabiliteti, mbrojtja e grupeve etnike, minoriteteve dhe reforma në pushtetin lokal apo administrativ që s’do të bëhet në baza etnike, por që të jetë një pushtet më efikas dhe më afër qytetarëve, në bazë të koncepteve të shtrirjes së pushtetit dhe të funksionimit demokratik.

Kosova ka nevojë për një zhvillim dhe forcim ekonomik. Mirëpo, mundësitë janë tepër të kufizuara, sepse mungojnë investimet. Privatizimin e keni përkrahur, por privatizmi ka krijuar edhe probleme. A mendoni se duhet ndryshuar qasja e privatizimit?

Edhe këtu kyç është pavarësia. Po të njihet pavarësia, të cilën kurrsesi se nuk duhet ta paraqesim si diçka magjike, por që është aq reale saqë po na duket e tillë, pasi pa atë nuk po mund të ecim përpara, sepse ajo do të na siguronte investime, pasi investitorët dhe kapitali kërkojnë garanci. Qeveria jonë nuk ka kompetenca dhe ne nuk mund t’i themi një investitori që të investojë, nuk mund ta garantojmë atë. Kështu, njerëzit po vijnë dhe po ikin dhe po investojnë në vende të tjera. Ndërsa UNMIK-u nuk mundet t’i garantojë investimet, pasi është një mision i përkohshëm. Pikërisht për këtë arsye edhe Peterseni ka filluar të transferojë disa kompetenca në këtë fushë. Por të gjitha këto me njohjen e pavarësisë do të kishin më shumë efekt, sepse ne duhet t’i garantojmë investimet. Privatizimi u shoqërua me disa hezitime, u ndërpre, por në fund të fundit është treguar produktiv, sepse ekonomia e Kosovës ka qenë e shkatërruar totalisht dhe njerëzit që po i blejnë këto ndërmarrje dhe po i privatizojnë po rrisin punësimin. Një hap të madh në këtë drejtim do të japë edhe ligji për koncesionet që duhet të nënshkruhet së shpejti nga Peterseni, i cili do të hapte disa mundësi të reja në këtë kohë. Por, e ritheksoj se njohja e pavarësisë është një çelës, i cili do t’i hapte të gjitha këto dyer të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Serbia vazhdon të paragjykojë zhvillimet në Kosovë sipas mënyrës së saj të vjetër. Maqedonia, ndonëse është deklaruar për demokratizimin e vendit, heziton ta bëjë këtë në masën e deklarimeve dhe obligimeve që pranon, sidomos në raport me shqiptarët që tashmë janë faktor determinues. Mali i Zi i dezilizionuar qëndron nën çadrën e Serbisë. Shqipëria ka punë me vetveten. Çfarë mund dhe çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë situatë?

Për sa i përket Serbisë nuk dëshiroj të flas fare për të. Ata ende rreth Kosovës janë negativë, dëshirojnë të manipulojnë dhe nuk e njohin realitetin e ri që ka ndodhur pas ndërhyrjes së NATO-s, duke manipuluar edhe me serbët e Kosovës. Ata kanë treguar pretendime të ndryshme, por këtë çështje do ta rregullojë njohja e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, edhe me fqinjët tanë të tjerë me Maqedoninë me Shqipërinë, me Malin e Zi. Për sa i përket Maqedonisë, problemet që janë shfaqur në këtë vend janë probleme të zhvillimit dhe aty është shënuar një progres, siç është fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, integrimi i shqiptarëve në strukturat shtetërore, në polici, në armatë dhe në fusha të tjera. Por, po them se me gjithë problemet në zhvillim e sipër, mendoj se në Maqedoni ekziston një vullnet i mirë që të realizohen normat demokratike dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, për sa i përket marrëdhënieve të vendit tonë me Maqedoninë mund të them se kemi një ngritje të marrëdhënieve pozitive me këtë vend fqinj. Në Mal të Zi shqiptarët janë në një proces të marrjes të më shumë të drejtave dhe të integrimeve, por mendoj se me njohjen e pavarësisë së Kosovës shumë gjëra në tërë këtë rajon do të binin në vend të vet dhe ne do të kishim më shumë mundësi të ndihmojmë edhe për shqiptarët e Malit të Zi, por edhe të atyre të Kosovës Lindore. Po ashtu edhe me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira në fusha të ndryshme ekonomike e tjera, por duhet që sa më shpejt të përfundojmë rrugën Prishtinë-Durrës. Kështu që, me gjithë problemet me Serbinë, përsëri po shpreh bindjen se me njohjen e pavarësisë do të krijoheshin më shumë mundësi që të kemi marrëdhënie shumë më të mira me të gjithë fqinjët tanë dhe do të ndihmonte në stabilitetin e kësaj pjese të Evropës dhe të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›