E Hënë, 2 Nëntor 2026

Venger: Çelsi na prit

04/01/2005  

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka theksuar se skuadra e tij nuk do të vazhdojë edhe për shumë kohë, duke “djersitur” prapa diferencës me pesë pikë të Çelsit. Pas fitores së rëndësishme që topçinjtë kanë arritur kundër Çarltonit, duket se besimi është rritur shumë në këtë skuadër. Në këtë mënyrë, edhe Venger ka arritur përfundimin se edhe sikur skuadra e tij do të humbiste një ndeshje, prapë se prapë do të arrinte ta ndalte Çelsin e Murinjos drejt luftës për titullin kampion. Nga ana tjetër, kreu i pankinës së Arsenalit ka hedhur poshtë çdo mundësi që blutë do të vazhdojnë ta ruajnë ecurinë e tyre, ku në 12 ndeshjet e fundit kanë fituar 32 pikë. “Mendoj se ende nuk kemi arritur në pikën, ku nuk do t’i lejonim vetes edhe një humbje tjetër në kampionat, ka komentuar Venger. Kemi edhe shumë kohë në dispozicion për të vendosur fatin e titullit kampion. Sigurisht Çelsi mund të jetë në një ecuri mjaft pozitive, por ja që futbolli ndryshon shumë shpejt. Ne kishim 50 ndeshje, në të cilat nuk kishim pësuar asnjë humbje, por si për çudi dështuam kundër Mançester Junajtid. Më pas nuk arritëm të fitonim sërish si dikur. Në fakt, ne nuk do të donim që të vuanim nga humbje të tjera. Sidoqoftë, kjo është diçka nga e cila unë nuk kam se përse të shqetësohem”. Nga ana tjetër, Murinjo javët e fundit kishte deklaruar se Arsenali do ta ketë shumë të vështirë për të rekuperuar diferencën e pikëve, si pasojë e ndeshjeve tepër të ngarkuara. Por, sulmuesi i topçinjve, Tieri Henri, ka theksuar se do të vijë shumë shpejt edhe koha e Çelsit, për të vuajtur nga rezultatet negative. Kështu, duke dëgjuar për fitoren e bluve ndaj Liverpulit, djemtë e Venger kanë marrë masat duke mposhtur me lehtësi skuadrën e Çarltonit. Sigurisht Arsenali deri më tani, asnjëherë nuk është dorëzuar para fitoreve të realizuara nga rivalët e tyre për luftën e titullit kampion. “Mua do të më pëlqente që të ishim ne të parët ata, të cilët do të fitonim pavarësisht se Çelsi deri tani ka qenë përherë para nesh, ka thënë Henri. Ne jemi duke luajtur gjithmonë në ndjekje të Çelsit. Prandaj unë do të isha mjaft i interesuar që të shihja se si do të reagonte Çelsi, sikur ne të ngjiteshim në krye”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›