Sherr në qeli, rrihet me policin i burgosuri
RROGOZHINE – Sherr në qelitë e Rrogozhinës, i paraburgosuri rrihet me policin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes teksa i paraburgosuri Gentian Gërdhuqi nga Vlora është konfliktuar me gardianin E. Mane. Të dy protagonistët e grindjes kanë shkëmbyer grushte dhe shkelma me njëri-tjetrin, ndërsa rreth orës 19:00 gardiani ka përfunduar në spital për të marrë mjekime. Po kështu edhe i paraburgosuri ka pretenduar se është rrahur nga polici i burgut dhe se ishte pikërisht ai personi që kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Pas kësaj, familjarët e të paraburgosurit i janë drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit duke pretenduar se Gërdhuqi ishte dhunuar në qeli. Ky institucion pohoi dje se kishte nisur hetimin për këtë rast, duke pretenduar për dhunim të të drejtave të të burgosurve, parë në kuadrin e të Drejtave të Njeriut. Pas kësaj, familjarët e të paraburgosurit vlonjat kanë pohuar se paraditen e sotme pritet t’i drejtohen edhe prokurorisë për të depozituar një kallëzim penal në ngarkim të policit që u konfliktua me të afërmin e tyre. Ende nuk dihet se cilat janë shkaqet e zënkës, ndërsa mësohet se për këtë ngjarje ka nisur hetim edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Gentian Gërdhuqi ndodhet në qelitë e paraburgimit të Rrogozhinës pasi dyshohet të jetë autori i një vrasjeje në qytetin e tij. Momentalisht ndaj tij nuk ka një vendim gjyqësor fajësie të formës së prerë. fa.ma.