Shkodër, vdes 60-vjeçarja, me varkë drejt varrezave
Ndonëse situata në Shkodër është përmirësuar krahasuar me ditët e mëparshme, sërish për banorët kjo gjendje po shkakton vështirësi. Një grua nga fshati Obot është transportuar me varka në varrezat e Dajçit, duke shënuar kështu precedentin e dytë brenda një muaji. Mësohet se Luçe çukaj, 60 vjeçe, në pamundësi për t’u varrosur në fshatin e saj Obot është varrosur dje në Dajç. Familjarë dhe të afërm të viktimës e kanë shoqëruar me varka e mjete të tjera lundrimi arkivolin me trupin e saj për në banesën e fundit. Forcat e ushtrisë vunë në dispozicion të familjarëve të 60-vjeçares të gjitha mjetet e tyre të lundrimit për të shoqëruar të gjithë ceremoninë. Sipas të afërmve të të ndjerës, çukaj kishte disa ditë që qëndronte në spitalin e Shkodrës pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ajo ka ndërruar jetë në orët e vona të së shtunës, ndërsa mëngjesin e së dielës është transportuar drejt shtëpisë së saj, në Obot. Por makina e funeralit e çoi arkivolin deri në rrugën nacionale Shkodër-Muriqan, tek vendi i quajtur Ura e Goricës ku merr kthesën për në rrugën kryesore të fshatit Obot. Më pas arkivoli është vendosur në një nga varkat e ushtrisë dhe pasi ka udhëtuar për minuta të tëra mes fushave të mbushura me ujë, arkivoli mbërriti në Obot. Familja çukaj shpalli zinë dhe priti të afërm dhe miq për ngushëllime. Këta të fundit me shumë vështirësi arritën të merrnin pjesë në ceremoni për shkak të bllokimit të zonës. Por vështirësitë vijuan pasi trupi i të ndjerës ka vazhduar udhëtimin sërish me varkë në drejtim të fshatit Dajç, vend ku varrosen personat nga Oboti në raste të tilla fatkeqësish dhe kushtesh.
Ndërkohë, burime nga qarku deklaruan dje një përmirësim të situatës në zonën e Shkodrës. Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga krerët e njësive vendore dhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, sipërfaqja e tokës së përmbytur në qarkun e Shkodrës gjatë ditës së djeshme është 5850 ha. Të njëjtat burime bënë të ditur se 74 shtëpi rezultojnë të përmbytura ndërsa 805 shtëpi të rrethuara nga uji. 93 familjet e Komunës Dajç lëvizin nga shtëpitë e tyre në mënyrë periodike në varësi të ndryshimit të nivelit të ujërave. Mësohet se të pakalueshme nga automjetet janë aksi i rrugës së Obotit në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek Ura e Gjo Lulit (qarkullimi realizohet nga Benti), ndërkohë janë të kalueshme vetëm për mjetet e larta, akset nga kthesa e Dajçit tek ura e Shirqit, aksi rrugor për në Pentar, Dajç dhe për në Gorricë të Komunës Ana e Malit.