PS: Duam Beratin dhe deputetë gjetkë
Aristir Lumezi
Partia Socialiste mori mbrëmë mandatin e nëntë në Fier por shton kërkesat e saj ndaj KQZ-së dhe për qarqe të tjera. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, dha ultimatum se PS do mandatin e Fierit por dhe numërim në disa qarqe të tjera. “Ashtu siç theksuam e ritheksojmë, se duam me çdo kusht mandatin e 9-të në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm”, u shpreh dje zëdhënësja e PS, Armela Imeraj. Partia Socialiste “kërcënoi” se do të jetë e pranishme në parlament kur në transparencë të plotë të numërohen votat e popullit, në të kundërt paralajmëron protesta. “Sot shqiptarët filluan të shohin me sytë e tyre se çfarë ka në kutitë e marra peng në Fier nga Sali Berisha. Orë pas ore të gjithë do të kuptojnë jo vetëm pse Sali Berisha i mori peng këto kuti, jo vetëm pse Ilir Meta nxitoi ta shpallte “martesën” me Sali Berishën pa u hapur kutitë e Fierit, Beratit, Shkodrës, Tiranës e gjetkë, por edhe pse PS është e vendosur të mos e njohë Parlamentin pa u lexuar çdo votë e marrë peng nga Sali Berisha”, vazhdon deklarata e PS. Sipas socialistëve, kjo nismë e kërkuar vjen nga votuesit që, sipas Imerajt, kanë kërkuar transparencë të plotë për procesin e 28 Qershorit. Në këtë kuadër, PS shton se “Askujt të mos i shkojë ndërmend se ky proces i manipuluar do mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor. Partia Socialiste i siguron mijëra votues, që përmes letrash, e-mail-esh, mesazhesh e telefonatash, kërkojnë zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit, se do t’i shkohet deri në fund transparencës së procesit zgjedhor”, u shpreh Imeraj. PS paralajmëroi sërish dje se për shpëtimin e demokracisë do të ndjekë rrugën e protestave. Sipas socialistëve, vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton Parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, “e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë Parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë”. Ditët e fundit kanë qenë të përsëritura deklaratat e selisë rozë se do të nxjerrë popullin në protesta, nëse nuk i jepet mandati i nëntë në Fier, ndërsa nuk kanë munguar dhe thirrjet për të rrethuar KQZ-në për të mos lejuar këtë institucion të deformojë votën që gjendet në kutitë e votimit.