E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jusufi i habitur me vendimin e komisarit për gara

Kumanovë – Stafi teknik i Bashkimit pasi ka kuptuar se ndeshjet e javës së 22 do të luhen me 1 prill, u kanë dhënë pushim lojtarëve deri të enjten. "Tani do të zhvillojmë stërvitje me intensitet më të madh, me qëllim që në ndeshjen me Napredokun të shënojmë fitore dhe ti sigurojmë tri pikë të reja, me të cilat do të siguronim plasman më të mirë në tabelë. Në planet tona ishte zhvillimi i ndonjë ndeshje kontrolluese, mirëpo një gjë e tillë është vënë në pikëpyetje, pas lajmit se kemi humbur pikët në ndeshjen me Vardarin, dhe është suspenduar fusha jonë", shprehet Jusufi, duke shtuar:
"Kemi qenë maksimalisht të përgatitur për ndeshjen me Vardarin. Po më
vjen shumë keq që lojtarë e tyre nuk dolën në fushë në pjesën e dytë, sepse kanë pasur mundësi të mësojnë shumë nga lojtarët tanë. Mënyra se si Vardari, i mori pikët nga Kumanova është veti e frikacakëve", shtoi ai.
Jusufi dëshpërimin më të madh e shpreh ndaj, kryetarit të komisionit për gara. Ai ka mbetur i habitur se si është e mundur që në këtë mënyrë t'i ndahen pikët Vardarit.
"Ka pasur momente kur ne nuk jemi paraqitur në fushë, por në ato raste jemi dënuar. Nga kjo praktikë të gjithë në klub kemi pritur që pikët të na takojnë neve, por si duket kur është në pyetje Bashkimi, aplikohen sanksione, të cilat janë në kundërshtim me vet rregulloren e FFM-së, vetëm e vetëm të dënohet Bashkimi", thotë i mllefosur Jusufi, duke shtuar se do të ankohen në FFM, kundër këtij vendimi.
"E kemi të qartë se ankesat tona nuk përfillen nga FFM-së, mirëpo do të ankohemi me qëllim që të tregojmë dhe të dëshmojmë se e gjithë ajo cka ndodhi në ndeshjen me Vardarin ka qenë skenar i përgatitur nga Vardari", përfundoi Jusufi.

rijad Murati

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›