E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katanec dhe Biliq flasin para ndeshjes

Albania-Sport- Përfaqësuesja e Maqedonisë po i zhvillon stërvitjet e fundit para takimit të rëndësishëm me Kroacinë të shtunën në Zagreb. Seleksionuesi Srecko Katanec në brifingun me gazetarët në hotelin "Ineks Gorica" në Ohër ka shpalosur ambiciet e Maqedonisë për ballafaqimin në Maksimir. "Atmosfera është shumë e mirë para ndeshjes me Kroacinë. Përgatitjet kanë rrjedhur mirë. E respektojmë kundërshtarin. Do të mundohemi që të arrijmë maksimumin për të shënuar rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. Ne nuk do ta ndërrojmë konceptin e lojës, presim lojë ofensive nga kroatët, të cilët kanë individ të dalluar, ndërsa ne do t'i kushtojmë vëmendje të posacme sulmuesve kroat", u shpreh Katanec, para një numri të madh të mediave, që kishin ardhur madje edhe nga
Kroacia.
Bashkë me Katanecin në pres-konferencën me gazetarët ishte futbollisti më i mirë i Maqedonisë, sulmuesi i Lacios, Goran Pandev.
"Na pret një lojë e vështirë. Atmosfera në radhët tona është e mirë, prandaj nga Maksimiri presim të dalim të pamposhtur", u shpreh shkurt goleadori.
"Ndeshje e fortë na prêt në Zagreb. Jemi të motivuar, sepse do të luajmë para një atmosferë të zjarrtë futbolli. Udhëtojmë për të rrëmbyer një rezultat që do të na përgjigjet, edhe pse do të jetë shumë vështirë. Natyrisht se dëshirojë të jem pjesë e këtij spektakli futbolli, por gjithcka varet nga Katanec", ka thënë lojtari i vetëm shqiptar në skuadrën e Maqedonisë, Pollozhani.

Sllaven Biliq flet me respekt për ndeshjen e së shtunës
Image Hosted by ImageShack.us

– Trajneri i Kroacisë, Slaven Biliq u ka deklaruar gazetarëve kroat se gjendja në kampin e tyre është e kënaqshme dhe se të gjithë futbollistët janë shëndosh e mirë, prandaj nuk do të heqin dorë nga fitorja kundër Maqedonisë. Sipas tij kjo Maqedoni me të cilën luajnë të shtunën në Zagreb është më e fortë se ajo e vitit 1999, kur në Shkup barazuan 1:1. Edhe në Zagreb ishte vështirë, sepse deri te fitorja 3:2 erdhën në fund të takimit pas golit të Balabanit. "Nuk kam luajtur në asnjërën ndeshje, por i kam shikuar të dyja. Duhet të jemi të kujdesshëm. Për shkak të humbjeve të pikëve Kroacia nuk mori pjesë në KE në Belgjikë dhe Holandë më vitin 2000. Situatë e ngjashme është edhe tani, prandaj assesi nuk guxojmë të na përsëritet", thotë Biliqi. Ndërkohë, ndihmësi i Biliqit, Aljosha Asanoviq ka luajtur në të dy ndeshjet kundër Maqedonisë. "Atëherë ishin shumë të motivuar, ndërsa në Shkup ishte shumë nxehtë, për shkak të ambientit. Mbetëm pa shkuar në KE, sepse goli i vetëm i Shukerit nuk ishte i mjaftueshëm. E ndaj mendimin me Biliqin se Maqedonia e asaj kohe ishte më e dobët se kjo e tanishmja që drejtohet nga Katanec. A jemi më të fortë se para 7-8 viteve? Natyrisht se po, por kjo është ndeshje tjetër dhe në rrethana tjera", ka thënë Asanoviq. Ndryshe, në radhët e Kroacisë ende nuk dihet, nëse do të luaj futbollisti i Baselit, Mladen Petriq, i cili është ankuar në lëndim.

Sërna: Jemi skuadër më cilësore se Maqedonia

Përfaqësuesja e Kroacisë pas borës së papritur, stërvitjet e fundit para takimit me Maqedoninë po i zhvillon në Maksimir. Skuadrës iu ka bashkangjitur edhe Dario Sërna, i cili për shkak të detyrave që ka pasur me klubin e tij, i fundit është bashkuar grupit të lojtarëve. Sërna dhe Babiq me padurim po e presin ndeshjen me Maqedoninë, pa marrë parasysh se a do të jenë në përbërjen e parë të Kroacisë. "Normalisht se të gjithë kanë dëshirë të luajnë kundër Maqedonisë, por është edhe nder të jesh i ftuar në reprezentacion dhe besoj se për askënd nuk do të jetë problem edhe nëse dikush rri në stol", përgjigjet Sërna. "Ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë ekziston një rivalitet, por ne jemi skuadër më cilësore dhe duhet të dominojmë në fushë. Nëse i shfrytëzojmë rastet atëherë do të fitojmë", ka pohuar Sërna, duke shtuar se takimi me Maqedoninë është shumë i rëndësishëm, por jo edhe vendimtar

Maqedonia dhe Kroacia deri tani janë takuar katër herë, prej tyre 2 fitore i kanë takuar kroatëve, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar me barazim.
Kroacia – Maqedonia 3:2 (Zagreb, 14. 10. 1998, Kualifikuese)
Maqedonia – Kroacia 1:1 (Shkup, 5. 6. 1999, Kualifikuese)
Kroacia – Maqedonia 2:2 (Shibenik, 9. 2. 2003, Miqësore)
Maqedonia – Kroacia 0:1 (Shkup, 28. 04. 2004, Miqësore)

Reshat Ibrahimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›