Veliu thotë se do ta japin maksimumin kundër Rabotniçkit

Tetovë - Moszhvillimi i kampionatit në këtë javë ka rritur besimin te futbollistët e Shkëndija'79, se në përballjen me Rabotnickin do të arrijnë një rezultat të volitshëm. Mbrojtësi tetovar, Bilall Veliu deklaroi për Albania-Sport se atmosfera në kampin kuqezi është e kënaqshme. "Në skuadër kemi dy futbollistë të lënduar. Është Festim Ademi dhe Mumin Sallai, por sidoqoftë ne jemi duke u stërvitur me intensitet të madh, me të vetmin qëllim që të jemi të gatshëm për një sfidë të suksesshme kundër Rabotnickit", tha Veliu.
Ai më tutje shtoi se skuadra e tij pas disfatave të fundit, ishte në gjendje të dobët psikike. "Shpresoj se tani jemi më të relaksuar dhe ndaj Rabotnickit mund të japim maksimumin. Pra të fitojmë tre pikë", shtoi Veliu.
Mbrojtësi i skuadrës tetovare është në formë të mirë fizike, duke mos pasur asnjë problem me lëndimet. "Është një e mirë që nuk kam lëndime, kjo më mundëson që të jem titullar në cdo takim, me qëllim që t'i ndihmoj skuadrës në ndeshjet vendimtare. Besoj se kështu do të vazhdoj edhe në përballjen kundër ‘romantikëve', se u kemi borxh sportdashësve tetovar, për një fitore në Tetovë", përfundoi Veliu