E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rriten çmimet e industrisë përpunuese

22/04/2005  Biznesi ankohet për rritjen e informalitetit dhe pengesat në legjislacionin fiskal

Industria përpunuese është duke kaluar kohë të vështira dhe prodhimi ka shënuar rënie në 3-mujorin e parë të 2005. Menaxherët dhe drejtuesit e bizneseve, që operojnë në këtë degë të industrisë kanë reaguar negativisht në pyetësorin e Qëndrës për Kërkim dhe Zhvillim, duke kujtuar disa faktorë si shkaktarë të humbjeve të tyre. “Rënia e aktivitetit të prodhimit gjatë 3-mujorit të kaluar ishte paralajmëruar edhe nga rënia e treguesit të besueshmerise e konstatuar kjo në 3-mujorë të njëpasnjëshëm“, bën të ditur QKZH. Shqetësimet e biznesit duket se shigjetojnë më shumë legjislacionin fiskal, duke u ankuar për keqhartimin dhe keqzbatimin të tij. Ankesat e tyre shënojnë një rritje të ndjeshme nga pyetësori i fundit duke demostruar dhe një nivel më të lartë të pakënaqësisë. Por, duket se legjislacioni nuk është e vetmja pikë ku çalojnë punët. Ndikimi i tregut informal mbi biznesin në sektorin e industrisë përpunuese duket se është një shqetësim konstant me një ndikim në rritje. Kjo pasi këtë faktor e kanë cilësuar shqetësues 35% e të intervistuarve nga 20 % që e përmendin këtë faktor një vit më parë. Këto shkaqe kanë bërë që niveli i kontraktimeve, të jetë në nivele jo kënaqshme edhe në muajin prill 2005. Po kështu në nivele jo të kënaqshme janë edhe kontratat për eksport. Kontraktorët jashtë vendit kanë reduktuar vëllimin e kërkesave të tyre, duke ulur dhe vëllimin e prodhimit në vend. Kërkesa e pamjaftueshme nga tregu i jashtëm përbën një shqetësim për firmat në industrinë përpunuese, duke u përmëndur nga 35% e të anketurave, me një rritje prej 13 pikësh në krahasim me 3 muaj më parë. Mungesat e energjisë elektrike përbën shqetësim konstant për menaxherët dhe drejtuesit e firmave të intervistuara për vitin 2005. Kjo, pasi ky faktor përmendet nga 63 % e të intervistuarve, me një tendence rritjeje në 6 muajt e fundit, megjithëse ky nivel është rreth 10 pikë më i ulët se një vit më parë. Ndërkaq duket se menaxherët e kanë gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar. Rritja e çmimeve duket se do të jetë çelsi për të dalë nga situata. “Parashikimi në rritje i aktivitetit të prodhimit me sa duket do t’i çojë drejtuesit e ndërmarrjeve të rrisin nivelin e çmimeve për produktet”, bën të ditur QKZH. Sipas pyetësorit, parashikimi për rritjen e çmimeve të prodhimeve shënon një rritje prej 28 pikësh në krahasim me 3 muaj më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›