E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët fushatë kundër rritjes së tarifës

22/04/2005  Qeveria Studentore fton në debat maturantë, qeveritarë dhe parlamentarë

Universitetet kanë propozuar dyfishimin deri dhe katërfishimin e tarifës për studentët e këtij viti akademik

Autonomia financiare e kufizuar, fakti që shteti merr një pjesë të mirë të këtyre lekëve, bën që senatet dhe këshillat administrativë të universiteteve të kërkojnë shtimin e tarifës së studentëve dyfish, ca dhe katërfish, në mënyrë që t’i mbeten sa më shumë lekë universiteteve. Por, kjo rëndon në xhepat e prindërve të studentëve. Qeveria Studentore do të nisë një fushatë ndërgjegjësuese për të thithur mendimin e maturantëve, prindërve dhe publikut për këtë problem.

“Kjo fushatë përmban disa elemente si kërkesa zyrtare dhe takime me përfaqësues nga Qeveria dhe parlamenti, takime me përfaqësues të Qeverive Studentore të fakulteteve dhe Qeverive të Nxënësve dhe inkurajimin e debateve publike mbi këto propozime dhe dy postera, të cilët do të kenë mesazhe ndërgjegjësues dhe informues mbi situatën në arsimin e lartë”, thotë Alban Nelaj, kryetari i Qeverisë Studentore.

Qëllimi i kësaj fushate është ndërgjegjësimi i grupeve që preken drejtpërdrejt nga këto propozime dhe grupeve që kanë përgjegjësi direkte dhe indirekte ndaj Arsimit të Lartë në mënyrë që këto propozime të mos merren parasysh pa ndërtuar mekanizma të besueshëm që do të garantojnë transparencë ndaj investimeve dhe shpenzimit të taksës së studentit, rritjes reale të cilësisë së Arsimit të Lartë, konsultimit të qëndrueshëm të vendimmarrësve të Arsimit të Lartë me grupet e interesit përkatësisht komuniteti studentor dhe fillimi serioz i përpjekjeve që universitetet publike të mos aktualizojnë buxhetin e tyre vetëm nga të ardhurat, nga buxheti i shtetit dhe taksa e studentit, por edhe nga burime të tjera si kërkimi shkencor, novacione dhe donacione të qëndrueshme nga institucione ndërkombëtare dhe kombëtare.

Senati i Universitetit Politeknik vendosi që t’i propozojë Ministrisë së Arsimit, që tarifa minimale e shkollimi të jetë minimalisht 200 mijë lekë të reja, cila nga degët do të jetë më e kërkuara do të ketë dhe tarifën më të lartë. Universiteti i Tiranës ka kërkuar që kjo tarifë të jetë po 200 mijë lekë, ndërsa Universiteti Bujqësor në Kamëz ka kërkuar që tarifa për studentët që do të hyjnë këtë vit në vitin e parë të jetë 40 mijë lekë të reja, si dhe për studentët e viteve të tjera të ketë rritje tarife. Vitin e kaluar, tarifa e regjistrimit të studentëve, që do të hyjnë në vit të parë, u rrit nga 7.5 mijë lekë që ishte, në 10 mijë lekë. Këtë vit po mendohet të dyfishohet deri dhe të katërfishohet.

Letësirat e menduara nga rektorët

Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, është shprehur se do të përpiqen që disa studentëve që nuk kanë kushte ekonomike ta paguajnë këtë tarifë do të marrin bursë nga Universiteti dhe disa të tjerëve do t’ju lejohet që të punojnë brenda në universitet. Por, kjo duket si utopi për studentët, pasi tarifa i prek të gjithë ata, ndërsa bursë s’mund të marrin të gjithë.

Ndërsa Rektori i Universitetit Politeknik, Përparim Hoxha, shprehet se çdo student në javë bënë 500 lekë të reja fotokopje. “Kundrejt tarifës së shkollimit, ne do të vendosim dhe që çdo fakultet të ketë 5 deri 10 fotokopje, ku studentët fotokopjimin e leksioneve do ta bëjnë pa lekë”, thotë Hoxha. Por, studentët s’kanë besim. “Edhe vitin e kaluar, kur u rrit tarifa nga 7.5 mijë lekë në 10 mijë lekë, na u premtua fotokopja falas, madje dhe një vit më parë kur u bë kjo rritje nga 2.5 mijë në 7.5 mijë lekë. Por, sërish universiteti ka mbetur po ai, vetëm bankat dhe stolat”, thotë një student i Inxhinierisë Mekanike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›