E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve, fitore “in-extremis” Interi përmbysje me Sampin

ITALI - Bolonja për pak ka ndalur Juventusin për herë të katërt radhazi në Torino, por një gol i Pol Pogba në minutën e 92-të, i ka dhënë fitoren e nëntë në 10 ndeshje “Zonjës së Vjetër”. Një betejë e vërtetë ajo e mbrëmshmja në “Juventus Stadium”, me bardhezinjtë që kanë zhvilluar një sfidë nën ritmin e zakonshëm, ku duket se kanë ndikuar jo pak edhe polemikat e krijuara pas takimit në Katania. Edhe pse kaluan të parët në avantazh me atë të Kualjarelës, kampionët e Italisë u barazuan 20 minuta para fundit nga Taider, duke vendosur gjithçka në vështirësi sa i përket kreut. Por, pikërisht kur dukej se gjithçka do të përfundonte në barazim, Juve ka arritur të gjejë golin e fitores me anë të francezit Pogba, një nga më të mirët në fushë. Fitorja bën që Juve të shkëputet në 4 pikë nga vendi i dytë, që tashmë mbahet nga Interi i Stramaçonit. Sa i përket takimit, Juve goditi shtyllën me anë të Pogba në pjesën e parë, ndërkohë që në minutën e 54-t, Kualjarela shënoi golin e avantazhit. Njëzet minuta para fundit, Taider bëri të heshttë stadiumi torinez, duke barazuar shifrat, por ishte pikërisht Pogba ai që gjeti golin e fitores në minutën e dytë shtesë.
Interi
Një përmbysje e madhe e Interit, që arrin fitoren e gjashtë radhazi në kampionat, duke ruajtur hapin e Juventusit dhe duke e bërë akoma më të fortë përballjen e së shtunës në derbin e Italisë. Zikaltërit e mbyllën në disavantazh 0-1 pjesën e parë, teksa Sampdoria e Ferrarës realizoi një gol të rëndë, pas një gafe të Ranokias në zonë. 7 minuta nga starti i pjesës së dytë, Milito barazoi shifrat pas penalltisë së shkaktuar nga Kosta, i cili e la Sampdorian me 10 vetë. Palasio e çoi takimin në shifrat 2-1, ndërsa ishte Fredi Guarin ai që shënoi golin e fitores. Miqtë nga Xhenova gjetën edhe golin e dytë në kohën shtesë, por nuk pati më kohë për të tentuar marrjen e një pikë.
Ndeshjet
Në takimet e tjera të Serisë A, Erjon Bogdani ka gjetur golin e parë sezonal me fanelën e Sienës, duke shkurtuar shifrat në 3-1 në minutën e 42-të, në një sfidë që në fund u fitua 4-2 nga sardët. Sulmuesi kuqezi realizoi me shpatull pas një asisti të Kalaio, ndoshta duke shkaktuar edhe faull ndaj Rosetinit. Gjithsesi, goli i mjaftoi Bogdanit për të treguar se mbetet gjithnjë i vlefshëm për Sienën, pavarësisht se Kozmi nuk beson shumë tek ai. Napoli ndërkaq ka humbur vendin e dytë, duke u mposhtur 1-0 në fushën e vështirë të Atalantës. Ndërsa Lacio u ndal në një barazim 1-1 me Torinon në shtëpi, kurse që Roma pësoi humbjen e radhës, duke u mundur 4-2 nga Parma në transfertë. Ndalesë dhe për Udinezen, që nuk shkoi më shumë se një “X” 2-2 ndaj Katanias.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›