E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi mohon akuzat

Tashmë e ka moshën për të nisur të mendojë si një kapiten. Edhe pse jo me shiritin në krah, sërish Lionel Mesi po bëhet gjithnjë e më shumë komandues tek Barcelona. Madje, gazeta katalanase, “Sport” ka aluduar se ai po kthehet në një diktator të vogël, duke pasur parasysh disa reagime ndaj shokëve të skuadrës.
Veçse, Mesi ka hedhur poshtë të gjitha këto sugjerime, sipas të cilave lojtarët e tjerë të Barçës mendojnë se ai ka shumë influencë dhe pushtet, si brenda fushës së lojës, ashtu edhe jashtë saj. Lojtari i cili shquhet për qetësinë e tij, ka patur debate gjatë ndeshjeve me shokët e skuadrës si David Vija, Isak Kuenka dhe Kristian Tejo, por ai insiston se nuk ka asnjë mosmarrëveshje brenda dhomave të zhveshjes.
“Unë një diktator i vogël? Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Të gjithë shokët e mi të skuadrës e dinë që nuk jam i tillë”, janë fjalët e argjentinasit të publikuara në gazetën “Sport”.
“Është një privilegj i jashtëzakonshëm të jesh pjesë e Barcelonës më të mirë të të gjitha kohëve, jo thjesht për atë që kemi arritur, por edhe për mënyrën se si luajmë”.
Futbollisti ka thënë se nuk shqetësohet më as nga thirrjet e tifozëve rivalë, të cilët për ta nervozuar thërrasin në kor emrin e Kristiano Ronaldos.
“Nuk më shqetësojnë ato thirrje. Është normale që tifozët rivalë mundohen të të shpërqendrojnë. Real Madrid është një prej skuadrave më të mira në botë dhe dhe Kristiano Ronaldo një prej lojtarëve më të mirë”.
Mesi dhe Ronaldo janë sërish në garë për titujt në Spanjë dhe në Europë si dhe për çmimin e Topit të Artë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›