E Hënë, 2 Nëntor 2026

Juve kërkon Eshli Kol, Arsenali refuzon

08/06/2005  Emri i ri i merkatos së Juventusit për sezonin e ardhshëm është Eshli Kol. Sipas së përditshmes angleze “The Sun”, bardhezinjtë kanë filluar kontaktet e para për mbrojtësin e majtë të Arsenalit, që klubi anglez e vlerëson rreth 22 milionë euro. Objektivi i Moxhit është që të shpenzohen rreth 20 milionë euro për blerjen e mbrojtësit të Kombëtares angleze, por do të merren shumë më tepër për shitjen e Xhanluka Zambrotës te Çelsi. Në fakt, drejtuesit e Juventusit kanë dashur të marrin përsëri Kielinin nga Fiorentina, por ky i fundit ua ka prishur planet, sepse ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë në Firence. Për këtë arsye, vëmendja është spostuar tek Eshli Kol, i cili pak kohë më parë mund të kalonte te Çelsi, por gjithçka u anulua sepse ishte bërë pa dijeninë e Arsenalit. Vetë Kol ka deklaruar se nuk dëshiron të qëndrojë më te Arsenali, ndaj këta të fundit të përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij. Megjithatë, përgjigja e parë për ofertën e Juventusit ka qenë “jo”. Nuk dihet akoma nëse është një lojë e Arsenalit për të rritur çmimin, duke qenë se në garë është edhe Reali i Madridit, apo vërtet “topçinjtë” nuk duan ta lëshojnë mbrojtësin e fuqishëm, pavarësisht se marrëdhëniet midis tyre janë shumë të acaruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›