E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetë zot, vetë shkop

08/06/2005  Sistemi i lartë i qeverisjes mbështetet në ndarjen e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe ligjor, ndërsa në postet e larta dhe të mesme të administratës ka një përqendrim të tepruar të pushtetit politik, të kompetencave ekzekutive, të veprimit administrativ dhe të fuqisë normative në duart e shefave.

Nëpunësit e mesëm dhe të vegjël nuk kanë pothuajse asnjë mbrojtje dhe autonomi për të qenë ndaj ushtrimit të pushtetit politik dhe rrotacioni politik shoqërohet me një «rrotacion burokratik», domethënë të lëvizshmërisë së nëpunësve nga postet e tyre.

Ndjenja e përkohshmërisë shkatërron edukatën e nëpunësit të shtetit dhe shtyn të lindin te disa reaksione ekuilibrimi, të dëmshme për shoqërinë, me anë të të cilave ata kërkojnë të sigurohen.

Diktati i dikurshëm parademokratik në majën e piramidës shtetërore është zbehur, por në nivelin e drejtimit administrativ lihet shteg që statusi i drejtuesit t’i ngjajë disi atij të një komisari të vogël të jashtëzakonshëm.

Ka nevojë për një reformë të thellë dhe të gjithanshme të administratave.

U desh një histori e këtyre kohëve të fundit që publikisht të merret vesh se në ditët tona një nëpunësi, që drejton një përfaqësi shqiptare jashtë shtetit, i duhet të merret personalisht dhe të vendosë jo vetëm për çështje politike, për komunikimin politik midis dy vendeve, për përcjelljen e politikës së jashtme të shtetit tonë në vendin përkatës, por të ngarkohet edhe për probleme të riparimeve të rubinetave të ndërtesës së përfaqësisë, për faturat e ujit, për të organizuar tenderat e shërbimeve hidraulike, elektrike, për gjithçka me një fjalë.

Duhet me qenë pra njëherësh diplomat, administrator i shoferëve, qiramarrës i lokalit, hidraulik, elektriçist, mundësisht edhe oxhakfshirës, tenderues po se po, i ngarkuar në komunikimin me publikun, standardist etj.

Në të vërtetë, përtej kësaj historie të pakëndshme del një problem, që ka të bëjë me përqëndrimin e detyrave dhe të pushteteve në hallkat e ndryshme të administratës, që është shumë larg pikës, ku mund të konsiderohet si i çuar ndoca afër pikës së zgjidhjes.

Është e ditur nga të gjithë se një shtet demokratik mbështetet në ndarjen e pushteteve që e përbëjnë. Kushtetuta jonë e ka sanksionuar tashmë këtë parim të madh. Mirëpo, ndarja e pushteteve nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me sistemin e lartë të qeverisjes, me funksionimin e Këshillit të Ministrave, të Kuvendit apo të sistemit të lartë juridik, por edhe me mënyrën e organizimit të administratës, dhe më tej akoma, me ekuilibrimin dhe ndarjen e pushteteve në shkallë të gjerë shoqërore.

Na duket se kjo gjë përbën një problem të madh shoqëror, administrativ, kulturor dhe politik.

Në fakt ka vend për një reformë të thelluar të administratës së shtetit, të organizimit të saj. Puna është se ne nuk jetojmë vetëm në një sistem politik të drejtuar nga disa parime kushtetuese, por edhe në një periudhë, ku nuk mund të bëhet pa ndarjen e punës, pushteteve dhe të funksioneve brenda radhëve të administratës. Me një fjalë, sipas shembujve të Perëndimit, ne kërkojmë gjithashtu edhe një specializim të funksioneve të çdo aktori shoqëror, të çdo nëpunësi, sepse kështu mund të arrihet një perfeksionim i veprimtarive në shtet.

Me një fjalë, ndodhemi përpara dy ndarjeve të mëdha, që janë të domosdoshme për t’u bërë si duhet edhe për funksionimin e shoqërisë dhe të administratës edhe për ta vënë nivelin e demokracisë shqiptare në ato nivele që priten prej qytetarëve. Mirëpo, ndërsa në parim pranohet si ndarja e pushtetit ashtu edhe ndarja e punës brenda administratës, jo pak herë në mënyrën si shkojnë konkretisht në marrëdhënie me njëri-tjetrin këto dy koncepte, ata ngatërrohen keqaz me njëri-tjetrin.

Ndarja e punës merret për ndarje pushteti dhe ndarja e pushtetit përmblidhet dhe thjeshtëzohet në ndarjen e punës.

* * *

Është, me sa duket, një problem në ushtrimin e veprimtarisë së burokracisë dhe në funksionimin e zyrave që, ndonëse respektojnë një farë ndarjeje pune midis individëve dhe hallkave të ndryshme a sektorëve të veçantë, atje ka shumë pak ose vende-vende nuk ka fare ndarje pushteti.

Në ç’kuptim flasim për ndarje pushteti?

Në kuptimin e ndarjes së kompetencave midis sektorëve, midis zyrtarëve të ndryshëm, si një autonomi në ushtrimin e të drejtave nga persona përgjegjës për detyra të veçanta, si një autonomi dhe ekuilibër midis sferës politike, asaj teknike dhe statusit juridik të aktorëve shoqërorë që angazhohen për të vënë në lëvizje administratën etj.

Në administratë nuk ka nevojë vetëm që të ndahet puna, duhen ndarë edhe pushtetet politikë, teknokratikë, burokratikë dhe ligjorë, me qëllim që në nivelin përkatës ata të krijojnë një ekuilibër midis tyre për ta bërë veprimtarinë dhe organizimin e brendshëm të zyrave sa më transparent, efikas dhe demokratik.

Në radhë të parë kërkohet që të ndahen mirë statuset midis të zgjedhurve, politikanëve dhe nëpunësve teknikë në të gjitha hallkat e pushtetit lokal dhe atij qendror. Sikurse thoshte Maks Veberi, një organizim shtetëror, që nuk krijon një autonomi pak a shumë të fortë, të qëndrueshme dhe të spikatur midis politikanëve që drejtojnë administratën dhe administratorëve teknikë, i ngjan më pak një shteti modern, dhe shëmbëllen më shumë me një hordhi të paorganizuar.

Dikush mund të thotë: Ja, lexo ligjet dhe rregulloret për organizimin e brendshëm të aparateve të ndryshme shtetërore, ashtu janë, parashikojnë një autonomi të tillë. Në letër ndofta pak më shumë, por në realitet jemi larg asaj që kërkohet. Mbas ligjit dhe rregullores ka shumë herë njëmijë mekanizma dhe mënyra të sofistikuara për të emëruar si nëpunës militantë partiakë, miq e shokë, pjesëtarë të klaneve të ndryshme lokale, njerëz të fisit, individë që zënë vende pune për shkak të lidhjeve të interesave të caktuara midis njerëzve me pushtet etj. Është pothuajse e padiskutueshme se pa kaluar në këtë filtër politik, vështirë se emërohet njeri në administrata të caktuara qendrore apo lokale.

Në fakt, pavarësisht se duket si diçka normale, një prirje e tillë, ka pasoja për tri kategori shoqërore, veç dëmeve që i sjell vetë punëve të shtetit.

Më së pari, i sjell dëm vetë politikës dhe politikanëve që i bëjnë këto emërime, sepse kriteri i zgjedhjes së specialistëve të administratës nuk do të jetë ai i aftësive më të përshatshme për vendet e punës, përkundrazi politikanët dhe të zgjedhurit do të kenë si bashkëpunëtorë njerëz që nuk kanë shpesh kompetencat e duhura për të punuar. Dihet pastaj se një funksionim jo të mirë të administratës, të ekspozuar në sytë e publikut, e paguan si një çmim të rëndë vetë forca politike që është në pushtet.

Së dyti, këtë logjikë politiko-miqësore të emërimit të specialistëve administrativë nëpër zyra të ndryshme e pësojnë në fakt edhe vetë nëpunësit, edhe nëpunësit e zotë dhe të aftë, por edhe vetë ata që janë emëruar me kritere joprofesionale. Nëpunësit e aftë dhe të zotë duhet të bëjnë punën edhe të atyre që janë emëruar si militantë partiakë dhe që shpesh, i kanë si shefa të vegjël, të emëruar apo të paemëruar, por gjithmonë kokëboshë e kokoshë, dhe të pamerituar.

Për shkak të lidhjeve që kanë këta të fundit nuk ndjejnë ndonjë detyrim as të zbatojnë oraret e punës, nuk e njohin rregullën e hierarkisë, kapërcejnë hallkat, duke bërë «qarqe të shkurtër» komunikimi me shefat e mëdhenj, mbushin gjithçka me thashetheme dhe shpesh herë bëjnë në rrugë të tërthorta edhe politikën e kuadrit, duke hequr e vënë njerëz sipas opinioneve që ata vetë përhapin andej këndej.

Mbi të gjitha e pëson qytetari i thjeshtë, i cili sheh se në shumë administrata, ku e sjell nevoja të përplaset, ka një mpleksje gati «krushqie» të shefave me vartësit, një atmosferë shoqërie e solidariteti në kaos dhe në gabim.

Nuk është vetëm një realitet që shihet me sy dhe provohet në supe sa herë ke ndonjë problem administrativ në zyra të ndryshme, që lidhen me shërbimin ndaj qytetarëve. Këtë e vërtetojnë edhe shumë të dhëna empirike. Prej kohësh Komiteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton shkelje të ndryshme administrative dhe financiare në sektorë dhe zyra të ndryshme të administratës, duke përfshirë këtu edhe dikastere të ndryshme. Përtej dëmeve të shkaktuara, përtej pyetjes se çfarë bëhet me fajtorët dhe përgjegjësit e këtyre shkeleve, lind edhe një problem, që ka të bëjë me atë se në çfarë niveli është ajo ndarje e domosdoshme, që duhet të ekzistojë midis trupës burokratike dhe drejtimit politik në administratën shtetërore dhe atë lokale, e cila lejon që të ekzistojë kontrolli i brendshëm reciprok nëpër hallka të ndryshme të administratës.

Thuhet se sekretarët e përgjithshëm, kancelarët e administratës, kanë autonominë përkatëse në ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore. Por le të pyesim: Sa e vërteton një analizë e bërë në këndvështrimin e sociologjisë së administratës këtë parim kushtetues. Shumë pak ose aspak. Është shumë e rrallë ndër ne që bashkë me ndryshimin e shefit të rangut politik të mos ndryshojë edhe sekretari i përgjithshëm. Nuk është fjala për shefin e kabinetit, për këshilltarët apo për ndihmësit, që përbëjnë rrethin më të ngushtë të shefit. Është fjala për administratën, që pa pasur status politik në fakt ndjek të gjitha luhatjet, ritmin e ndryshimit dhe humoret e politikës.

Ka ardhur koha që të studiohet me rrënjë kjo gjendje, për të gjetur se cilat janë reformat që ka nevojë të ndërmerren për të ndërtuar një sistem administrativ dhe një burokraci shtetërore, publike, apo të pushtetit lokal që t’iu përgjigjet nevojave dhe stadit të sotëm të modeleve të një shteti efikas, demokratik dhe modern dhe ku të mos bëhet njësh i vetëm unikal politikani, i zgjedhuri lokal, nëpunësi, zyra e kuadrit, bërësi dhe zbatuesi i ligjit, shefi i administratës, tenderuesi.

Por ndokush mund të pyesë me të drejtë se ku bazohet hipoteza se në administratat tona nuk ka një ndarje të qenësishme dhe një autonomi të zhvilluar të shtresës së burokracisë tekniciene ndaj elitave politike që vijnë dhe ikin nga pushteti.

Këtu mund të ofrohen statistika, të cilat jo vetëm ka nevojë që të botohen nga organet e specializuara dhe të interesuara për këtë punë, por të përdoren edhe nga studiuesit e ndryshëm, sociologë dhe politologë që shteti duhet t’i mobilizojë për të konceptuar dhe pastaj vënë në zbatim reformën e vërtetë administrative të ndërtuar mbi logjikën e bashkimit të parimit unik dhe të çentralizuar të administratës me parimin e ndarjes së pushteteve si normë thelbësore e demokracisë.

Një e dhënë interesante do të ishte të dihej se deri në çfarë mase është bërë në administratën e dikastereve, të bashkive dhe të institucioneve publike lëvizja (emërime, transferime, pushime, shkarkime, gradime, degradime) e specialistëve të administratës, e nëpunësve, e teknicienëve gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit. Ende nuk ka shifra të tilla të botuara, por është e sigurt dhe e vërtetuar prej të dhënave të tërthorta të ardhura nga sondazhe, vrojtime empirike në terren, intervistime dhe biseda, që shkalla e lëvizshmërisë së nëpunësve, në nivelet që thamë në këto dhjetë vjet, ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Me një fjalë bashkë me rrotacionin politik ka ndodhur edhe një «rrotacion burokratik» i përmasave shumë të mëdha.

Këtu nuk ka shumë rëndësi se kush e bëri këtë ndryshim, me çfarë qëllimesh, a ishte ky rrotacion pasojë e një rrotacioni të mëparshëm burokratik, apo përbënte përvojën e parë në Shqipëri e kështu me radhë. Problemi në këtë shkrim është gjetiu. Puna është se ne na mungon prej pesëmbëdhjetë vjetësh një shtresë e stabilizuar burokratësh, nëpunësish, teknicienësh jo politikë, të papolitizuar, të aftë, të qendrueshëm, të paguar shumë mirë, një shtresë njerëzish që e dinë se fati i tyre nuk është i lidhur me këtë ose me atë parti, me këtë ose me atë shef partie, me këtë ose me atë kryetar bashkie, me këtë ose me atë shef të opozitës, por është i lidhur vetëm me kontributin e tyre për rritjen e efikasistetit të funksionimit të administratës. E gjithë kjo sjell për pasojë që puna e administratës të jetë afatshkurtër, të mos ketë vazhdimësi, kujtesë burokratike, askush të mos mbajë përgjegjësi për veprime pasojat e dëmshme të të cilëve do të ndjehen pas pesë ose dhjetë vitesh, të mos ketë afate projektesh të shtrirë në një kohë dhjetë ose njëzetëvjeçare dhe shumë ligje dhe norma juridike e administrative të mos respektojnë logjikën e një kohe të gjatë administrative.

* * *

Kjo sjell që nëpunës të ndryshëm të dridhen nga mundësia e një rrotacioni politik.

Bëhen rrotë dhe burmë e partisë në pushtet.

Bëhen urë dhe hark përpara përfaqësuesit politik, apo të zgjedhurit në administratën ku punojnë, pranojnë të ngjisin postera, të japin makinat e administratës për fushata zgjedhore, të bërtasin nëpër mitingje, mbyllin sytë për shkeljet që bëhen në administratë, për korrupsionin, sepse në të kundërt mund të «dëmtohet» partia dhe njerëzit e partisë. Dikur nëpunësi mund të përfitonte nga ndonjë e çarë personale, nga ndonjë sherr pazaresh, nga ndonjë inat karriere midis sekretarit të partisë, drejtorit, kryetarit të bashkimeve profesionale, për ta qarë hallin e vet dhe për të gjetur mbështetje sado të vogël te njeri kundër tjetrit. Por, sot kjo është e pamundur. Sindikatat e nëpunësve janë në ditë të hallit.

S’ke ku ankohesh te kadiu kundër myftiut, sepse myftiu është edhe kadi dhe kadiu është po ashtu edhe myfti.

Kjo është edhe arsye që aministratat tona, me nëpunës që kanë ndjeshmërira politike të theksuara, nuk i shërbejnë gjithmonë me paanëshmëri të gjithë qytetarëve njësoj. Shpesh qytetarët ndahen në «tanët» dhe në «të atyre», kur për të parët hapen të gjitha dyert, këta ndihen mirë, biles habiten kur ju thua se bota dhe jeta e përditshme është bërë shumë e mundimshme, kurse të dytët rropaten dhe nuk kanë ndonjë shpresë për të zënë ndonjë vend pune apo për t’i kryer hallet e tyre shpejt dhe sipas ligjit. Shërbimet që na detyrohen disa administrata i paraqesin si ndere që na bëjnë si «miq», njerëz «të mirë», apo për «mëshirë».

Ky tip nëpunësi i tronditur nga mundësia që te ne, për shkak të reformës së munguar dhe të thellë të administratës, rrotacioni politik shoqërohet gjithmonë me një «rrotacion burokratik», nis të mendojë për veten e tij dhe ta shohë veten e vet shumë të përkohshëm në cepin e karriges që i kanë dhënë. Këtu, te një pjesë e nëpunësve, te pjesa që nuk ka as dinjitet dhe as nder për veten, lind prirja për ta privatizuar në një farë kuptimi postin shtetëror. Nis prirja për të zhvatur pasurinë publike, duke filluar që me shpërdorimin e pasurisë publike që ka në administrim deri te manipulimi me tenderat për të nxjerrë andej përfitime a thua se është duke tenderuar «mallin e babait». Nga ana tjetër fillon edhe prirja tjetër për të zhvatur qytetarët, duke ju kërkuar me një mijë e një forma bakshishe, ndere, shpërblime, dreka dhe darka. Po kështu me individët e sërës së vet ky lloj nëpunësish të degjeneruar nga politika dhe që qëndrojnë në këmbë prej politikës nis marrëdhëniet e trokut. Më jep këtë, të të jap atë, më bëj këtë nder, të të bëj atë nder, ndërhy për mua këtu, që të ndërhyj për ty aty, më kryej këtë shërbim, që të të kryejë atë shërbim. Në fakt nis të krijohet një shtresë e qëndrueshme individësh të korruptuar, e lidhur me interesa të vogëla jashtinstitucionale, për aq sa janë në pushtet një grup politikanësh të caktuar. Këta nuk janë më thjesht burokratët në shërbim të shtetit, por sociologjikisht përbëjnë një grup goxha të gjerë nëpunësish, të lartë, të mesëm dhe të vegjël të shtetit, që sipas mundësive që iu janë dhënë, e «mjelin» shtetin sikur ta kishin pronë private, jetojnë dukshëm jashtë mundësive financiare që iu jep rrroga e tyre në shtet dhe kanë krijuar atë simbiozë të çuditshme të dypunësimit.

Njeri punësim është për llogari të administratës shtetërore, tjetri është për llogari të biznesit të tyre, të apartementeve të dhëna me qira, të lokaleve, të trojeve, të tregtisë, të dhjetëra e qindra trafiqeve të vogla të mëdha që bëhen nën mbrojtjen e autoritetit të administratës së shtetit dhe duke abuzuar me të.

Në fakt, këta nëpunës që pas një kohe në karrierë kanë të qëndrueshëm vetëm biznesin e tyre privat, nuk kanë shumë nevojë për rrogën që marrin në shtet. As për punën që bëjnë në administratë. Politika i ka dënuar me përkohshmëri, dhe ata i janë përgjegjur politikës me të njëjtën monedhë: Kanë përfituar prej karriges së dhënë përkohësisht për të krijuar nëpërmjet saj botën e biznesit të tyre të vogël, të mesëm apo të madh, atje ku ndjehen të përhershëm, zot të mallit të tyre, në universin e komandimit, të pavarësisë, të sigurisë së plotë. Puna në administratë nis të bëhet sa për të shkuar radhën, sa për t’i hedhur hi syve shtetit.

E përkohshmja, puna në administratën shtetërore ka krijuar tashmë të përhershmen, biznesin privat.

Objektivi është arritur.

Në fakt, ky tip nëpunësi fillon të hakmerret kështu edhe ndaj politikanit dhe të zgjedhurit. Edhe ndaj vetë politikanit apo të zgjedhurit që e ka vendosur në post. Ai e di mirë se prej tij kërkohet përkushtim, por nga ana tjetër, duke pasur interesa të tjera materiale, veprimtaria e tij administrative është më shumë një përgjumje e thellë, kur është fjala për të bërë pastër detyrën dhe një mobilizim total, kur është puna për të nxjerrë nga puna në shtet ndonjë përfitim që ta shesë në tregun informal gjigand, që lidhet me shitjen e atributeve administrative dhe të nëpunësisë për të përfituar ndere, shërbime dhe pasuri në rrugë të shtrembër dhe në kurriz të shoqërisë. Këta nëpunës, që në fakt shkelin edhe mbi kolegët e tyre, që kanë edukatën e shërbëtorit të shtetit, çka është një edukatë që merren brez pas brezi, jetojnë dukshëm mbi mundësitë e tyre të rregullta financiare, qarkullojnë me vetura luksoze, vishen me rroba shumë të shtrenjta, më shumë hanë në restorante të njohura sesa në shtëpitë e tyre, blejnë vila dhe apartamente luksoze nuk dihet se me çfarë parash, trubullojnë edhe strukturën sociale të shoqërisë, sepse nëpunësi, shërbëtori shtetëror i shoqërisë, kthehet kështu në pjesën më të privilegjuar të saj, në shtresën më të pasur, me mirëqenie, me komfort personal.

Ata janë vitrina e gjallë e marrëdhënieve krejt të papërshtatshme që ekzistojnë fatkeqësisht te ne për shkak të mungesës së reformave të duhura administrative midis administratave, sistemit politik dhe shoqërisë.

Një keqkuptim i demokracisë lind një shtresë shoqërore.

Një perturbim i marrëdhënieve të pushtetit lind një shtresë shoqërore.

Një defekt në ligj lind një shtresë shoqërore.

Pastaj është shtresa e lindur shoqërore, që kërkon të mbrojë keqkuptimet kulturore të demokracisë, perturbimin e marrëdhënieve midis pushteteve, defektet në ligj.

«Bij» të keqkuptimit kulturor të demokracisë, të perturbimit të marrëdhënieve midis pushteteve, të defekteve ligjore.

Jeta e përditshme duket në sytë e tyre si një «këngë pa mbarim» dhe nuk kuptojnë se përse të tjerët ankohen.

Opozita, ciladoqoftë ajo, iu duket si një kërcënim dhe gjehen e prodhohen të gjithë argumentet e mundshëm për të justifikuar bllokimin politik të jetës së vendit, barazimin e shtetit me pushtetin, shmangien e çfarëdo mundësie ndryshimi politik në vend. Në fakt, poqese dikush iu fryn në vesh dhe iu thotë, «çfarë keni ju, ju do ta ruani postin tuaj», atëherë gjithçka ndryshon dhe qëndrimi i tyre nis e merr formën e një militanti kundër partisë në pushtet.

* * *

Në majat e shumë administratave publike, shtetërore, apo të pushtetit lokal, për shkak të vetë mangësive ligjore dhe organizative që vijnë nga mospërparimi i reformës administrative kemi pra një përzjerje jo të qartë midis politikes dhe administratives, politikes dhe burokratikes, ka një ngatërresë midis ndarjes së punës dhe ndarjes së statuseve dhe të kompetencave juridike.

Shefi politik i ardhur nga jeta politike dhe me mandat politik në fakt jo vetëm kontrollon, komandon, drejton pjesën jopolitike, jo të zgjedhur të administratës, por edhe e emëron, e pushon, e çemëron, e urdhëron,

e përdoron, e promovon, e çpromovon, e transferon, e ofendon, e gjykon, e tenderon,

të gjithë hierarkinë administrative dhe politike që ka nën vete.

Në këtë mënyrë i ardhuri nga politika, i zgjedhuri, është gjithçka kurse nëpunësi është asgjë.

I pari është vetë zot dhe vetë shkop për gjithçka.

Asgjë nuk ka që ta ndalë as ta pengojë në të gjithë rrugën e tij për të grumbulluar të gjitha pushtetet në një dorë.

Në nivelin e sistemit të qeverisjes ka megjithatë një ndarje pushtetesh midis atij legjislativ, ekzekutiv dhe juridik, kurse në rrafshin e institucioneve dhe të organizimit të administratës së shtetit një ndarje e tillë asqë merret me mend se mund të pranohet të ekzistojë sipas kushteve konkrete dhe nevojave të brendshme të funksionimit të hallkave të ndryshme të administratës së shtetit.

Politikani apo i zgjedhuri në krye të një pushteti të caktuar është gjithçka.

Me statusin e vet, ai i ngjan më shumë një të ngarkuari të përkohshëm fuqiplotë, një komisari të jashtëzakonshëm dhe të frikshëm, një juriskonsulli, sesa një individi me një status shumë të rëndësishëm, por të përkohshëm, të kufizuar, të përmbajtur, në krye të asaj administrate apo asaj trupe nëpunësish apo punonjësish, të cilët si rregull, kanë qenë atje, janë atje dhe duhet të jenë atje edhe pasi politikani apo i zgjedhuri në fjalë të kenë mbaruar me sukses apo me dështim mandatin e tij.

Maja e piramidës administrative, politikani apo i zgjedhuri, i ka të gjitha mundësitë për të marrë të gjitha kompetencat që japin pushtet dhe t’i lerë administratës, nëpunësve, teknikëve vetëm statusin e «veglave pa zë», e «skllevërve», e «scribëve», e burmave dhe të rrotave, e ekzekutuesve të disa funksioneve tepër mekanike, duke i shndërruar nëpunësit në sekretarë të tyre personalë. Maja e piramidës, i zgjedhuri apo i emëruari politik, ai që ka mandatin politik, ai që ka pushtetin politik, mund të pushtojë kështu plotësisht edhe të gjitha prerrogativat administrative, ligjore dhe ekzekutive.

Ai bëhet strategu politik i institucionit.

Shefi i administratës sepse është ai që zgjedh ngjyrat e mureve të zyrave dhe kolltuqet e tyre.

Nëpunësi kryesor i kuadrit.

Eksperti që gjykon cilësinë e punës së teknikëve dhe burokratëve.

Tekniku që di të zbatojë politikën në terren.

Ai që i di të gjitha dhe i bën të gjitha.

Bën tenderat.

Vendos për llogaritë e shpenzimeve administrative.

Aprovon programe pune që në fakt nuk ka asnjë kompetencë për t’i kuptuar shkencërisht dhe profesionalisht.

Firmos për vendime dhe kompetenca për të cilat nuk ka asnjë formim profesional.

Emëron dhe pushon nga puna dhe mund të mos e rimarrë në punë të dëmtuarin, edhe nëse ky i fundit fiton me gjyq të drejtën e tij.

Deputet ose kandidat për deputet.

Orator mitingjesh.

Drejtues partiak.

Është kudo në fletë-palosje, në presidiume, në postera.

Është përqëndrimi maksimal dhe praktik i të gjithë pushteteve të mundshëm, politik, administrativ, ligjor, ekzekutiv.

Shpesh është edhe i pasur ekonomikisht, ndërkaq është gjithmonë edhe nga njerëzit me të ardhura mujore të sigurta më të mëdha në shoqëri.

Shoqëria liberalizohet gjithnjë e më tepër, ndërkaq pushtetet përqëndrohen, duke krijuar një lëvizje të kundërt, autoritare.

Në këtë mënyrë lind kundërthënia midis një sistemi të lartë qeverisjeje që bazohet në parimin e ndarjes së pushteteve dhe statusit të zyrtarëve që drejtojnë administratën në hallkat e ndryshme të saj, të cilët bëhen mishërimi i rrokjes së të gjitha pushteteve, të ushtruara brenda sferës së juridiksionit dhe të kompetencave të tyre. Demokracia si sistem qeverisjeje ndjen frenimin, që vjen nga autoritarizmi në ushtrimin e detyrës në hallkat e drejtimit administrativ. Është koha, besoj, që kjo çështje të zgjidhet, duke ndarë pushtetet e mësipërme në të gjitha hallkat e veprimit të forcës së shtetit, në mënyrë që të mos krijohen mospërputhje të papëlqyeshme, frenuese, me pasoja mbi publikun, mbi nëpunësit dhe mbi vetë veprimtarinë e shtetit, midis demokracisë së përgjithshme institucionale të veprimit të organeve të larta të shtetit dhe autoritarizmit në ushtrimin e detyrave nga ana e administratës qendrore, lokale apo asaj të institucioneve publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›