E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve sezon i ri polemika te vjetra

Në Torino u organizua një ceremoni madhështore për prezantimin e fanellave të reja, me të cilat skuadra do të luajë në sezonin 2012-2013. Binte në sy fakti se në fanellat e reja mungonin yjet. Pikërisht kjo çështje ka rihapur polemikat për numrin e titujve të fituar nga “Zonja e Vjetër”.
“Ne i numërojmë me radhë dhe rezultati është 30 kampionate”, deklaroi presidenti Andrea Anjeli. “Më pas shikoj matematikën e federatës dhe vë re se na njihen 28. Në këtë mënyrë, vendosëm ti hiqnin dy yjet nga fanella, pasi nuk e njohim numërimin që bën federata”, tha ai.
Drejtuesi i klubit bardhezi shtoi: “Të gjithë tifozët juventinë i ndjejnë 30 titujt të fituar në fushë. Juventusi i ka respektuar gjithmonë vendimet e drejtësisë sportive, por së fundmi kanë dalë fakte të reja, megjithatë federata zgjodhi të mos veprojë dhe për këtë arsye kemi ndërmarrë disa veprime për të mbrojtur interesat e klubit.”
Me pak fjalë, në fanellat e reja të Juventusit ndodhet vetëm shkrimi “30 në fushë” poshtë stemës së klubit, ndërkohë në pjesën e pasme është shkruar fraza e Xhanpiero Bonipertit, “Te Juvetusi nuk është e rëndësishme fitorja, është gjëja e vetme që vlen”.
Gjatë prezantimit të uniformave të reja, presidenti Anjeli ka dalë sërish në mbrojtje të trajnerit Antonio Konte, që vazhdon të mbetet i dyshuar në skandalin e basteve, në periudhën kur drejtonte Sienën.
“Jemi të qetë dhe besojmë se Konte do të tregojë pafajësinë e tij. Nuk kemi bërë asnjë plan rezervë, pasi nuk mendojmë se trajneri do të penalizohet”, përfundoi Anjeli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›