E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve synon Maksin, ëndërron Agueron

Juventusi interesohet për shërbimet e Maksi Rodriguez dhe i është bashkuar listës së skuadrave që gjatë këtyre javëve të fundit ëndërrojnë të blejnë Serxho Agueron. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja spanjolle, "Marca", e cila theksonte se drejtuesit e klubit bardhezi kanë zhvilluar bisedat paraprake me IMG, kompaninë që përfaqëson futbollistët argjentinas. Sipas gazetës së kryeqytetit iberik, së shpejti ata pritet të paraqiten te Atletiko e Madridit me një ofertë që kap shifrën 40-45 milionë euro. Gjithsesi, marrja e shërbimeve të "El Kun" nuk cilësohet e thjeshtë: në radhë për talentin 21-vjeçar janë shumë prej ekipeve të mëdha europiane. Për më tepër, italianët vendosën të qëndrojnë pasivë në këtë operacion, pasi me pagesën për kartonin, kontratën e lojtarit dhe përqindjeve për arritjen e marrëveshjes, fatura financiare mund të kapë kuotën 100 milionë euro. Ky veprim nuk është pëlqyer nga Aguero dhe familja e futbollistit, edhe sepse lojtari po përjeton ditë të vështira: ai kërkon të mësojë se çfarë mund të ndodhë dhe të shqyrtojë ofertat, për të zgjedhur më pas atë që i duket më interesantja. Hernan Reguera, një prej menaxherëve të sulmuesit, e kaloi fundjavën në Liverpul, për të biseduar me lojtarin dhe për t‘i dhënë atij siguri rreth së ardhmes. Deri më tani, Çelsi mbetet alternativa më konkrete, si klubi që mund të largojë "El Kun" nga "Visente Kalderon". Vetëm pak ditë më parë, klubi i Roman Abramoviç bëri një ofertë konkrete për argjentinasin, duke vendosur në tavolinë 45 milionë euro, ndërsa si pjesë e marrëveshjes në Madrid do të transferohet edhe portugezi Deko. Ndërkohë që, Mançester Junajtid ende nuk ka tentuar të kontaktojë Agueron, pavarësisht spekulimeve në media, se ai ishte një prej objektivëve kryesorë për repartin ofensiv, pas shitjes së Kristiano Ronaldos. Nga italianet, përpara Juventusit ishte interesuar edhe Interi i Masimo Moratit. Edhe pse tentuan të shfrytëzonin Maradonën, vjehrrin e Aguerros, zikaltërit u frikësuan nga çmimi i shtrenjtë që duhet paguar për prishjen e kontratës.

Një tjetër lojtar që pëlqehet nga "Zonja e Vjetër" është Maksi Rodriguez. "Ky futbollist është një alternativë mjaft interesante për skuadrën", deklaroi një burim pranë Juventusit, që preferoi të mbetej anonim. Ish-kapiteni i Atletikos ka pasur gjithmonë simpatizantë në Serinë A, pasi në të kaluarën ai ka refuzuar një ofertë shumë të mirë nga Interi. Prej ditëve të para të merkatos, 28-vjeçari shihej si një nga lojtarët që do të largohej nga "Visente Kalderon". Shkak janë bërë problemet që Maksi Rodriguez ka pasur gjatë sezonit të kaluar me trajnerin e Atletikos, Abel Resino, por edhe fakti se ai ka vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe spanjollët nuk dëshirojnë ta humbasin me parametër zero. Nëse mesfushori i krahut, i cili fare lehtë mund të aktivizohet edhe si sulmues nuk largohet deri më 31 gusht, atëherë drejtuesit do të jenë të detyruar t‘i ofrojnë rinovimin e kontratës. Juventusi e cilëson Maksin si lojtarin ideal që mund të plotësojë boshllëkun e lënë nga largimi i Pavel Nedved.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›