Kapllani: T‘u dhurojnë tifozëve një ndeshje të bukur
Starti i sezonit në Bundesliga 2 për skuadrën FC Augsburg dhe sulmuesin shqiptar të saj, Edmond Kapllani, nuk ka rezultuar pozitiv. Ata janë mundur në transfertë me rezultatin 3-1 nga Energi Kotbuz. Ndërkohë që në ndeshjen e radhës, të cilën Augsburgu do ta luajë në shtëpi ndaj Oberhauzenit, synohet rikthimi te rezultati pozitiv. I këtij mendimi është edhe vetë Kapllani,i cili në ndeshjen e parë, u aktivizua si titullar për vetëm 62 minuta, por nuk është se shkëlqeu. "T‘u dhurojmë tifozëve një ndeshje të bukur", shprehet shqiptari në prag të ndeshjes që do të luhet të shtunën në stadiumin e ri "Impuls-Arena". Sipas trajnerit të Augsburgut, Luhukai, Kapllani nuk është integruar ende në skuadrën e tij të re dhe rrezikon kështu të humbasë vendin e titullarit. Një gjë e tillë mund të ndodhë ndoshta që në ndeshjen e radhës ndaj Oberhauzenit.