Rikthehet Milani holandez, tani synohet edhe Drenthe
Milani i kthehet sërish holandezëve. Pasi ka marrë Huntelar (që ka zgjedhur bluzën me numër 11), në shënjestrën e kuqezinjve italianë është një tjetër holandez i Realit të Madrid, Drenthe. Madrilenët, të cilët e kanë fryrë shumë grupin e futbollistëve gjatë fushatës së pabesueshme të shitjeve, tashmë janë të detyruar të mbeten në qendër të merkatos, këtë herë për të shitur. Në shtëpinë e Florentino Perez vazhdojnë të trokasin klubet më të mëdha të Europës me shpresën për të rrëmbyer ndonjë copë. Dhe Drenthe mund të jetë një gur i çmuar në radhët e spanjollëve. Këtë e di mirë Galiani, i cili, pa bërë shumë zhurmë, i është futur punës. Ai ka takuar "mikun e tij Flo" dhe ka hedhur idenë e një marrjeje në formë huazimi të lojtarit për një shifër prej 3-4 milionësh dhe me opsionin për ta blerë vitin e ardhshëm për 8 milionë euro. Kjo duket si një tentativë, asgjë më shumë. Të paktën për momentin. Në fakt kjo tratativë nuk duket se do të jetë shumë e lehtë. Jo si ajo për blerjen e Huntelarit. Sulmuesi nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit Pelegrini. Ndërsa Drenthe, sikurse e demonstron edhe periudha e parakampionatit, është një lojtar, mbi të cilin mbështetet tekniku kilen. E thënë ndryshe: nuk e konsideron titullar (në 11-she, në atë rol luan Marcelo), por e do në skuadër. Pelegrini duket si një njeri me fat, ashtu sikurse e kishte përkufizuar Murinjo, por tani duhet të bëjë llogaritë për ndonjë shitje të dhimbshme. Shkak për këtë mund të bëhet edhe insistimi për të rimbushur sa më shpejt arkën e boshatisur nga superblerjet e Kaka, Ronaldo e Benzema.