Juve, vetëm 10 lojtarë janë të paprekshëm
Spastrimet
Gjatë verës pritet revolucioni në skuadrën bardhezi, Amauri e Trezege rrezikojnë
Juventusi po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në fund të sezonit. Drejtori i përgjithshëm, Roberto Betega, dhe drejtori sportiv, Alesio Seko, i kanë cilësuar planet si “operacione në merkato”, megjithatë, lëvizjet në klubin bardhezi do të ngjasojnë më tepër me një “fshesë”. Skuadra duhet rinuar, ndërsa nuk mund të anashkalohen as çështjet ekonomike: shtatë lojtarëve u përfundojnë kontratat në vitin 2011 dhe “Zonja e Vjetër” nuk mund t’i lejojë vetes që t’i humbasë me parametër zero. Por, problemi kryesor është nevoja për të përforcuar kontingjentin, që vazhdon të tregojë një hendek mjaft të madh teknik në krahasim me Interin. Kjo është arsyeja përse te Juventusi pritet një revolucion i vërtetë, në sasi dhe cilësi. Trajneri Alberto Zakeroni nuk është i vetmi që duhet të fitojë konfirmimin për vitin e ardhshëm sportiv. Vendin të sigurt në skuadër e kanë afro dhjetë lojtarë. Mes tyre janë talentet “Under-25”, të cilët mund të shërbejë si boshti për një cikël fitues në të ardhmen. Bëhet fjalë për Xhorxho Kielinin (sapo ka deklaruar se dëshiron të rinovojë kontratën), Klaudio Markizion, Muhamed Sisoko e Vinçenco Iakuintën (që është konfirmuar si i pazëvendësueshëm). Konfirmime priten edhe për Diegon e Felipe Melon, edhe sepse drejtuesit bardhezinj nuk duan ta humbasin bastin për lojtarët të cilët u afruan me shumë bujë. Pozita të mira ka edhe Alesandro Del Piero, kapiten dhe lojtar simbol i ekipit, ndërsa për sa i takon Kanavaros, Grosos dhe Salihamixhiç, çështjeve teknike u shtohet edhe mosha: duket vërtet e vështirë që ndonjë skuadër mund të jetë e gatshme t’i blejë. Mes atyre që duhet të rifitojnë besimin janë dy sulmuesit Amauri e Trezege, që kanë zhgënjyer me paraqitjet e tyre.
#