E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus, Spaleti në "pole" për pankinën e bardhezinjve

Ardhja e Diegos është tashmë e sigurt, por në shtëpinë e Juves "revolucioni" sapo ka filluar. Fjalët e Koboli Xhijlit ("Nuk kam thënë kurrë se Ranieri do të qëndrojë") kanë zyrtarizuar praktikisht lamtumirën e trajnerit aktual dhe tani kërkohet një zëvendësues. Favoriti i madh është Luçiano Spaleti, i cili do të lërë Romën në fund të sezonit. Qëndron ende hipotezat Konte e Gasperini, por në "pole" është pikërisht Spaleti. Diego, Kanavaro e... Spaleti: nga këta emra do të (ri)nisë Juventusi i 2009/‘10. Marrëdhënia me Ranierin ka mbërritur në finish dhe drejtuesit e klubit synojnë marrjen e teknikut të verdhekuqve, të konsideruar nga klubi bardhezi si eksperti i duhur për të rikthyer një skuadër fituese. Skema e përdorur nga Spaleti te Roma vitet e fundit, do të ishte perfekte për të nxjerrë në pah talentin e Diegos, ndërsa pozicioni i Del Pieros do të vihej në diskutim. Le t‘i lëmë mënjanë çështjet taktike, pasi Juventusi tani sapo ka hedhur hapin e parë: në plan është ndërrimi i motorit, por duhet edhe zgjedhja e pilotit të duhur... Ndërkohë nuk mungojnë edhe emrat e atyre që mund të largohen në fund të këtij sezoni: Mauro German Kamoranezi (31), David Trezege (31). Mesfushori i kombëtares së Italisë ka kohë që mendon të largohet dhe fundi i këtij sezoni duket se është momenti i duhur për të. Alternativat janë Lioni në Francë, Betis Sevilja apo Espanjol në Spanjë. Ndërsa bomberi francez mund të kalojë në radhët e Marsejës, por për të po interesohet edhe skuadra e Bajernit të Mynihut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›