E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemërimi i Drogba, Çelsi mendon ta shesë

Didier Drogba ka kërkuar zyrtarisht falje, por pas protestave të ashpra në fund të ndeshjes me Barcelonën, aventura e tij te Çelsi duket pranë përfundimit. Klubi londinez, ashtu sikurse edhe të gjitha mediat britanike, nuk i kanë parë me sy të mirë momentet e çmendurisë së sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Ofendimet dhe sjellja kërcënuese ndaj gjyqtarit norvegjez, Ovrebo, do t‘i kushtojë shtrenjtë Drogbasë. Rreth veprimeve do të merren masa disiplinore, por nuk përjashtohet që drejtuesit e bluve të rishikojnë pozitat e 31-vjeçarit në skuadër. Sipas "The Sun" dhe "Daily Mail", Çelsi nuk do t‘ia rinovojë kontratën lojtarit, marrëveshje që përfundon në vitin 2010. Madje, ata kanë menduar ta shesin në merkaton e verës, nëse ndonjë nga skuadrat e interesuara do të paraqesin oferta të kënaqshme.

Sjellja e lojtarëve në përgjithësi dhe e Drogbasë në veçanti, e ka detyruar klubin e Premiershipit të kërkojë "falje" publike, edhe pse në deklaratën për shtyp nuk është fshehur zhgënjimi për episodet e diskutueshme. "Është e qartë se ndiejmë shumë keqardhje për disa prej episodeve që ndodhën në mbrëmjen e së mërkurës. Ato erdhën si pasojë e emocioneve të mëdha dhe zhgënjimit për eliminimin e pamerituar, pas një ndeshjeje kaq të rëndësishme si ajo me Barcelonën", lexohej aty. Gjithsesi, më i zemëruari me sulmuesin ka qenë padyshim Roman Abramoviç. Pronari i Çelsit nuk e ka pritur aspak mirë sjelljen e lojtarit, të cilin e paguan afro 110 mijë euro në javë, që përpara miliona telespektatorëve ka prishur imazhin e klubit. Burime pranë manjatit rus pohuan se Abramoviç ka urdhëruar shitjen e tij në merkaton e verës. Kjo nuk është hera e parë që marrëdhëniet ndërmjet Drogbasë dhe drejtuesve blu tensionohen. Në fillim të sezonit sulmuesi ishte fare pranë largimit: fillimisht për kartonin e kuq në finalen e Moskës kundër Mançester Junajtid dhe më pas për deklaratat se nuk dëshironte të qëndronte më në Londër. Milani, e mbi të gjitha Interi, shihen si favoritët për të siguruar shërbimet e ish-lojtarit të Olimpik Marsejës. Dy milanezët tentuan ta blejnë që prej vitit të kaluar, por zikaltrit kanë një "armë" më shumë, trajnerin Hoze Murinjo.

Gjithsesi, dy italianët që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Champions, duhet të bëjnë llogaritë me ndëshkimin e mundshëm të Didier Drogbasë, që rrezikon të mos luajë për shumë kohë në kupat e Evropës. UEFA bëri të ditur se javën e ardhshme do të vendosë nëse do të merren masa disiplinore ndaj Çelsit apo lojtarëve të saj, pas protestave të ashpra me "bilbilin" e sfidës në "Stemford Brixh". Disa futbollistë blu kanë debatuar ashpër me gjyqtarin, ku më aktivët ishin kapiteni Xhon Terri, gjermani Mikael Balak dhe Didier Drogba. Pasi i ka bërtitur Ovrebos në fytyrë, ky i fundit u është drejtuar kamerave me fjalët se "sjellja e arbitrit ishte e turpshme". Akuzat e 31-vjeçarit vazhduan edhe në tunelin e dhomave të zhveshjes. "UEFA ka marrë relacionin e gjyqtarëve dhe të delegatit në takimin Çelsi-Barcelona, e vlefshme për Ligën e Kampioneve", shkruhej në një deklaratë zyrtare. "Gjithçka ka ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes po merret në shqyrtim. Po kërkohen edhe prova të tjera rreth episodeve dhe javën e ardhshme do të merret një vendim".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›