E Diel, 1 Nëntor 2026

Juventus, “sakrifica” në merkato

13/05/2005  Klubi bardhezi është gjendur në vështirësi financiare dhe në merkaton e verës do të detyrohet të shesë lojtarë të rëndësishëm

Pas deklaratave shokuese që janë lëshuar nga presidenti Grande Stivens, Juventusi ka nisur të planifikojë një fushatë shumë të gjallë në merkato, e cila për fat të keq më tepër do të përqëndrohet në shitjen e disa lojtarëve të rëndësishëm. Padyshim ky është një lajm që hidhëron mbarë tifozët bardhezinj, të cilët ndoshta duhet t’iu thonë lamtumirë shumë shpejt disa prej lojtarëve më të preferuar. Kështu, gati për të marrë valixhet mund të jetë sulmuesi francez, David Trezege, i cili në këtë sezon është shoqëruar jo vetëm nga një mori problemesh fizike, por ka qenë në qendër të vëmendjes, edhe për sa i përket klubeve më të njohura evropiane. Pavarësisht nga goli vendimtar që ka shënuar në sfidën me Milanin, në “San Siro” mbetet një nga lojtarët kryesorë që mund të braktisë kampin e Kapelos. Ndër të tjera, me lojtarë të tillë në dispozicion si Mutu, Zalajeta, Ibrahimoviç dhe Del Piero, duket se sulmi juventin është tejet i mbushur. Po ashtu, shifrat e transferimit të Trezege janë vërtet joshëse, ku vlera e tij mund të llogaritet nga 30-35 milionë euro, me ofertat e para të ardhura prej Valencias e Lionit. Përveç francezit, emri më i spikatur që mund të largohet nga klubi bardhezi do të jetë edhe ai i Xhanluka Zambrota, për të cilin kohët e fundit ka filluar të interesohet së tepërmi Çelsi. Mesfushori i palodhur italian ka filluar të shihet me sy të mirë nga Roman Abramoviç, i cili ka përgatitur shumë shpejt vlerën e 30 milionë eurove për Zambrotan. Kështu, nga rrethanat e krijuara për momentin, drejtuesit bardhezinj mund të përgjigjeshin pozitivisht për këtë ofertë, të ardhur nga Londra. Largimi i ish-mesfushorit të Barit, ndoshta është kushtëzuar edhe prej transferimit të Robert Kovaç, nga Bajerni i Mynihut në parametra zero. Në këtë mënyrë, nisur nga këto kushte të vështira financiare, duket se Alberto Xhilardino do të mbetet një mollë e ndaluar. Një tjetër lojtar që mund të lërë Torinon mund të jetë edhe Kapo, i cili nuk pëlqehet aq sa duhet nga Don Fabio. Për më tepër Grande Stivens ka qenë shumë i qartë në deklaratat e tij, ku ka theksuar se më parë duhet shitur dhe pastaj duhet blerë. Politika e klubit bardhezi për sezonin e ardhshëm futbollistik do të përqëndrohet kryesisht, në shitjen e detyrueshme të disa lojtarëve, gjë e cila do të sillte para të mjaftueshme për investime të tjera në merkaton e verës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›