E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kandidatët do bëjnë transparencë e financimeve

13/05/2005  Gramoz Ruçi: Kam pirë kafepolitikeme aleatët dhe me të dërguarin e PBDNJ Ligoraq Karameli

Socialistët zyrtarizojnë marrëveshjen me aleatët për mandatet e proporcionalit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, është shprehur se forca e tij politike nuk do të ketë asnjë koalicion të mirëfilltë parazgjedhor me aleatët e saj të majtë. Por, PS-ja, sipas tij, do të ketë aleanca, të cilat bazohen në moral, në Kodin Elektoral dhe planin politik mes forcave të majta për të fituar zgjedhjet e 3 korrikut. Gjithashtu, Ruçi ka theksuar se PS-ja ka kursyer në maksimum fondet, me të cilat u zhvillua kongresi i saj elektoral më 5 maj, duke hedhur poshtë zërat për shpenzime të mëdha. Sipas tij, PD mori një kompani dhe i pagoi mendjen asaj kompanie, vetëm dy milionë euro.

Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste tashmë është përfundimtare dhe ata janë lojtarët politikë të kësaj partie për garën elektorale. Platforma do të ketë në epiqendër vetëm vitin 1997, apo do të ketë ndonjë sektor tjetër prioritar?

Për sa i përket kësaj pyetje, mund të them se këtë pikë platforma e ka në pjesën e dytë të saj, sepse në fillim është vizioni ynë për dhjetë fusha më decizive të politikës shqiptare, çka do të bënte të mundur që ne të mund të lidhnim një kontratë të re për një mandat të ri në korrik të vitit 2005.

Si do ta shikonit sondazhin dhe përqindjen që ka marrë Lëvizja Socialiste për Integrim në të. A do të shërbej kjo për të reflektuar në qëndrimin që keni mbajtur deri tani lidhur me LSI-në?

Nuk sforcohemi fare, sepse ne kemi për objektiv dhe detyrë të fitojmë, ndërsa të tjerët kanë objektiv të përmbushin detyrat e tyre me ato sondazhe. Sigurisht, që beteja elektorale është e hapur për të gjithë spektrin politikë. E rëndësishme, për mua, është objektivi që ka forca ime politike dhe kjo forcë ka vetëm një objektiv, që është fitorja në këto zgjedhje dhe para këtij objektivi është standardi i këtyre zgjedhjeve. Çka do të thotë e shoqëruar edhe me sondazhet e bëra deri më tani, për fatin tonë të mirë forca jonë politike qëndron në bankën e fituesve dhe për fat të keq të atyre, që kanë bërë një sondazh tjetër, përsëri del fituese.

Zoti Ruçi mund të na thoni diçka rreth fondeve që u përdorën në kongresin e Partisë Socialiste disa ditë më parë?

Rigorozisht do të zbatohet vetëm ligji. Disa herë e kam dëgjuar pyetjen për fondet që u përdorën në kongresin e PS-së, ndërsa PD-ja mori një kompani dhe i pagoi mendjen asaj kompanie, dy milionë euro. PS-ja nuk mori apo bleu mendje, sepse mendjen e kemi vetë, por ne morëm me qira qendra zëri apo monitor të ndryshëm. Dhe kur merret me qira dhe këtu dua ta vulgarizoj pak përgjigjen, është shumë më i shtrenjtë fustani i nuses kur blihet sesa kur ai merret me qira. Pra, erdhi një maune me disa materiale për të siguruar transmetimin. Këto materiale nuk ndodhen në Shqipëri. Pas kongresit, ata u larguan prapë për në Itali. Kështu që kostoja është një mijë herë më e lirë sesa kuvendi i PD-së. Është shifër shumë e papërfillshme.

Sa transperentë do të jenë kandidatët e PS-së në lidhje me financimet që do të përdorin në fushatë?

Kandidatët morën udhëzime përkatëse se si evidentohen dhe se si bëhen transparente e gjithë problematika e financimit të fushatës në tërësi të partisë tonë dhe të kandidatëve në veçanti.

A do të ketë ndonjë kontakt me aleatët aktualë të koalicionit për integrim për të arritur një bashkëpunim parazgjedhor?

Sot kam pirë kafe shumë të këndshme si me zotin Gjinushi, ashtu dhe me Ceka, sigurisht kafja ishte politike.

Po me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, do të ketë ndonjë hapësirë bashkëpunimi?

Nuk ishte sot në Kuvend, por takova një udhëheqës të lartë të partisë të Dules, që është Goxhi, me kërkesë të tij, madje.

Do të ketë marrëveshje konkrete mes PS-së dhe aleatëve të koalcionit për integrim?

Marrëveshja është e qartë, dhe ne e kemi bërë. Nuk ka marrëveshje të nënshkruar. Ato marrëveshje që kemi dëgjuar, që kanë bërë kundërshtarët tanë politikë, janë marrëveshje antikushtetuese dhe antiligjore. PS-ja nuk do të ketë marrëveshje të tilla të kësaj natyre, pasi aleanca parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve janë krejtësisht të ndaluara nga Kodi Elektoral. Kurse aleancat për të dalë bashkë në fushatë, për t'i bërë thirrje elektoratit të marrë pjesë në votime dhe për të votuar subjektet tona, kjo është fare e moralshme dhe fare politike dhe ligjore.

Partia Socialiste me çfarë formule apo skeme do të mbështesë aleatët në proporcional?

Nuk ka mbështetje dhe votuesi votën e ka në kokë dhe votën ia jep një kandidati apo force politike që mendon ai. Edhe “Dushku”, për të cilin flasin dushkarët e sotëm, është një e drejtë ekskluzive kushtetuese demokratike e atyre që votuan dhe nuk ka asgjë tjetër. Po të flasësh për koalicione të mirëfillta në këto zgjedhje me termin koalicion, duke iu referuar ligjit dhe Kushtetutës, është e pamundur. Të flasësh për aleanca, është krejtësisht e mundur si në planin moral dhe në planin politik, edhe në planin kushtetues përgjithësisht do të fuksionojë aleanca jonë tradicionale me aleatët tanë tradicionalë. Skema e bashkëpunimit do të jetë një proces, që do t'i lihet në dorë teknikëve.

Milo, Ceka e Gjinushi konfirmojnë bisedimet

Degët do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për për qindjet

Koalicioni i majtë pritet që bashkëpunimin, për të fituar zgjedhjet e 3 korrikut, ta shtrijë në nivelin e tretë të strukturave të partive. Krerët e partive të majta janë shprehur se mes tyre dhe Partisë Socialiste nuk do të ketë asnjë marrëveshje të nënshkruar, si ato që ka bërë kohët e fundit Partia Demokratike me aleatët e saj. Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo, "një koalicion funksionon vetëm në letër, ose funksionon në kulisa nëpërmjet partive të veçanta të këtij koalicioni“. Ndërkohë, ai ka theksuar se Kodi Zgjedhor nuk parashikon koalicione parazgjedhore, prandaj forca e tij politike do të kandidojë me 100 emra. Ndërsa, në rast se do të ketë ndonjë formulë bashkëpunimi, për të siguruar propocionalin nga forcat e majta, Milo thekson se „proporcionali duhet të shqyrtohet rast pas rasti, nëse do të gjenden interesa të përbashkëta për bashkëpunim mes partive në terrenin elektoral. Por, edhe kjo do të bëhet në mënyrë të monitoruar, me qëllim që të mos kalohet në një anarki elektorale”. Ndërsa për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, duhet që mes forcave të majta të evitohet përplasja e kandidatëve. Për këtë arsye, ai tha se „shanset më të mëdha i kanë kandidatët e Partisë Socialiste. Ndërsa në nivelin e dytë, ne konkurrojmë në proporcional dhe këtu PSD-ja është përfituesja kryesore, së bashku me aletatët e tjerë, dhe për këtë synohet që edhe në proporcional shumicën ta kenë të majtët. Kjo do të thotë që e majta në këtë drejtim duhet të mbështesë fuqimisht PSD-në, kjo për të mos lëshuar vota në drejtim të Partisë Demokratike dhe forcave të djathta”. Kurse për presidentin e Partisë Aleanca Demokratike, bashkëpunimi mes aleatëve të koalicionin aktual për integrimn do të jetë i bazuar në atë shpirtëror dhe jo në atë të sanksionuar me ligj. Sipas tij, “secila parti e koalicionit ka dalë veç, sepse dhe në përshtatje me ligjin ka mundësi që të merret rezultati, qoftë në mazhoritar nga Partia Socialiste, qoftë në proporcional nga të gjitha partitë e tjera të koalicionit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›