E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati: Mançini është e ardhmja

13/05/2005  Menjëherë pas polemikave të nxitura nga deklaratat e portierit të tretë të Interit, Alberto Fontana, Masimo Morati ka theksuar bindjen e tij për aftësitë e trajnerit Mançini, duke i dhënë mbështetje të plotë. Pronari zikaltër ka zgjedhur anën e tij, pikërisht në një moment, kur tekniku sulmohet, pa asnjë “mëshirë”, nga një lojtar i ekipit. Edhe pse nuk e fsheh faktin se nuk është plotësisht i kënaqur nga ky sezon, Morati sheh anën pozitive të gjërave. “Sigurisht që objektivat tona ishin shumë të ndryshme, por tashmë duhet të japim maksimumin për të fituar Kupën e Italisë. Skuadra është në gjendje shumë të mirë dhe Mançini ka kryer një punë shumë të mirë. Tashmë kemi marrë një seri fitoresh, që na bën të shpresojmë më shumë për të ardhmen, një e ardhme në të cilën do të jetë gjithmonë Mançini”- ka deklaruar Morati. Gjithashtu, Morati në të ardhmen po mendon edhe për stadiumin e klubit. Vetëm një vit më parë, pronari zikaltër kishte kërcënuar se do të braktiste “San Siron”, për të marrë një stadium, plotësisht në dispozicion të Interit. Tashmë duket se ka ndryshuar mendim. “Nuk do të lëvizim që këtu, por është e qartë që objektivi ynë është ta blejmë atë”. Por, sigurisht kjo gjë nuk është e lehtë. Si fillim është çmimi, i cili tashmë është fiksuar në shifrën e 90 milionë eurove. “Nga se varet ky çmim? Në këtë gjendje që është tani “San Siro”, vlen shumë më pak se kjo shifër. Në këto momente, vlera e tij është joreale. Është një ndërtesë e vjetër, e cila ka nevojë për shumë ndryshime strukturore. Sigurisht pjesa më e madhe për sigurinë, por ky nuk është problemi i vetëm. Duhet një investim shumë i madh dhe aksionerët e klubit janë të gatshëm ta bëjnë atë, vetëm nëse bëhemi pronarë të tij. Në rast të kundërt, nuk do të kishte kuptim dhe do t’i rikthehemi idesë, për të pasur një stadium të gjithin për ne”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›