Maliqi: PS po dhunon zgjedhësit
13/05/2005 Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zonën elektorale numër 75, Lefter Maliqi, një ditë pas mitingut të zhvilluar në këtë zonë, ka reaguar ndaj sulmeve të deputetit Erion Braçe. Maliqi, i cili akuzohet nga rivali i tij elektoral për afera korruptive gjatë ushtrimit të detyrës në policinë e shtetit, është shprehur se “u largova nga policia për të vetmen arsye, sepse politika është e lidhur me krimin dhe për ta luftuar këtë fenomen“. Ndërsa lidhur me sulmet që ka bërë Braçe, ai tha se “kjo ndodh, sepse Braçe e ndjen humbjen. Lefter Maliqi përpara se të kandidonte me LSI-në, kishte vendosur për të kandiduar dhe përfaqësuar qoftë edhe si kandidat i pavarur atë zonë të braktisur“. Maliqi ka kërkuar dhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare ndaj një fushate të egër, që po bëhet në zonën 75, ku, sipas tij, janë shënuar presione nga të gjitha strukturat e pushtetit lokal të PS-së.