E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus thërret Kanavaron dhe Zambrotën

Presidenti i Juventusit Xhovani Koboli Xhijli ka një ëndërr, të shikojë sërish bardhezi ish-mbrojtësit e saj, Fabio Kanavaron dhe Xhanluka Zambrotën. "Të dy këta mbeten në zemrat tona. Do të gëzohesha pa masë nëse do të shikoja Kanavaron dhe Zambrotën të veshur me fanellën e Juventusit. Por më duket paksa i vështirë si operacion", deklaroi padroni i "Zonjës së vjetër" gjatë një interviste për radion "Anch'io Sport". Gjithashtu Koboli Xhijli pranoi se ylli i Fiorentinës, Luka Toni vazhdon të mbetet nën vëzhgimin e presidencës torineze. "Ne ëndërrojmë të kemi në skuadër një futbollist me kualitetet e Luka Tonit. Por momentalisht unë e di se Toni do të preferonte të fokusohej më shumë te kampionati. Gjithsesi e respektojmë profesionalizmin e tij", vijoi presidenti. Në planet e kryesuesve të Serisë B është edhe mbrojtësi i Benfikës, Luizao. Drejtuesit e Juventusit do të shfrytëzojnë kartën "Mikoli" duke e lënë akoma hua te portugezët për të rrëmbyer mbrojtësin. Mikoli është në vitin e tretë i dhënë hua nga italianët dhe i dyti tek Benfika. Juventusi e ka cilësuar Luizaon si një lojtar kyc për repartin e mbrojtjes kur të rikthehet në Serinë A. "Momentalisht nuk kam biseduar me asnjë përfaqësues të Juventusit. Po me aq sa kam dëgjuar, unë jam një nga objektivat e Juventusit, gjë e cila më mbush me shumë krenari. Megjithatë jam i përqëndruar te Benfika, edhe pse ideja për një eksperiencë italiane më tërheq", tha Luizao.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›