E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria pa kupë Federate! Zyrtarët deklarojnë nisjen në pranverë

AGRON KAJA
Zëvendëskryeredaktor në gazetën "Panorama Sport"

Kur sheh në faqet e ndryshme të internetit se në pjesën më të madhe të shteteve evropiane ka një kupë të federatës së tyre të futbollit, dhe në anën tjetër kur sheh se ky eveniment në futbollin tonë mungon, një fakt i tillë të detyron të mendosh atë që thuhet shpesh në media: mungesë profesionalizmi, mungesë e dëshirës për t'i dhënë sa më shumë hapësirë futbollit kombëtar, apo dhe mungesë e menaxhimit kohor të futbollit shqiptar. Që një federatë të organizojë kupën e saj, kjo është "A"-ja e identitetit të një institucioni futbolli kombëtar. Por cfarë kërkon për Shqipërinë organizimi i kësaj kupe? Le të ecim me disa tregues që mendojmë se një eveniment të tillë do ta afrojnë shumë shpejt Shqipërinë botën e sotme të futbollit. Së pari: Një kupë e Federatës Shqiptare të Futbollit kërkon burime njerëzore më të kualifikuar dhe struktura më profesionale në këtë federatë. Pse? Sepse ka shumë probleme me kampionatet e ndryshme, pse jo edhe me Kupën e Shqipërisë, dhe po të shtohet edhe kjo Kupë, atëhere do të kishim "mal" me probleme me përbërësit aktualë që ka kjo federatë. Ky është njëri nga faktorët që FSHF-ja nuk ka guxuar me kohë, jo vetëm sot, që të organizojë një veprimtari të tillë kaq prestigjioze. Së dyti: Organizimi i kësaj veprimtarie të tillë kërkon edhe burime financiare të cilat federatës sonë aktuale të futbollit nuk i mungojnë. Sepse kjo veprimtari, ashtu sikundër edhe kampionati apo Kupa e Shqipërisë, si e gjithë bota e futbollit, duhet të ketë mbështetësit e saj financiarë, që në gjuhën e sotme quhen sponsorë. Kupa e Federatës e mbështetur financiarisht nga kompani të ndryshme të biznesit shqiptar, pse jo edhe nga ai i huaj, bëhet një eveniment sa popullor aq edhe i domosdoshëm në të tilla kushte financimi. Së treti: Të organizosh një Kupë federate, ndoshta duhet të ndeshesh ashpër me infrastrukturën e dobët që ekziston në mbi 70% të skuadrave të futbollit në futbollin tonë, në të gjitha kategoritë e tij. Pra, në rast se këta tregues vijnë në përmirësim gradual në raport me kohën, atëhere edhe një Kupë e Federatës Shqiptare të Futbollit bëhet pjesë e këtij gradualiteti pozitiv në futbollin tonë. Po cfarë sjell në futbollin tonë organizimi i një veprimtarie të tillë? Së pari: Futbolli ynë njeh më shumë ndeshje zyrtare brenda tij dhe profesionalizmi i kategorive rritet edhe më shumë. Së dyti: Kjo veprimtari mund të shtrihet gjeografikisht shumë gjatë, brenda të gjithë vitit kalendarik sportiv, që do të përfshinte të gjithë aktorët e garës që FSHF-ja ka në strukturat e saj. Së treti: Investimet që skuadrat tona të futbollit bëjnë në periudhën dimërore duke emigruar në Malin e Zi, në Maqedoni apo në Kroaci, do të ishin këtu, duke bërë njëherësh dy efekte, mbajtjen e niveleve të mira të të ardhurave ne skuadrat respektive, por edhe livrimin e tyre në vendin tonë duke zbutur sado pak problemet sociale që bashkëudhëtojnë tash 17 vjet në Shqipëri. Futbolli rritet kur ka sa më shumë evenimente brenda tij, por edhe pasurohet kur të gjitha këto platforma vihen në funksion së bashku me biznesin. PSE DUHET KUPA E FSHF-SË Efekti ndoshta më pozitiv i organizimit të një Kupe të FSHF-së do të sjellë trajtimin më ndryshe të UEFA-s, e cila kështu do t'i hapë më shumë rrugët e pjesëmarrjes në kupat e saj për futbollin shqiptar. Por organizimi i një Kupe të FSHF-së mund të mbulojë me ndeshje atë periudhë dimërore, në të cilën skuadrat tona shtetëgojnë në Malin e Zi, në Maqedoni e gjetkë. Njëherësh, këto shpenzime qëndrojnë këtu në futbollin tonë, duke zbutur sado pak varfërinë financiare që shoqëron cdo klub futbolli. KUPA NË FUTBOLLIN SHQIPTAR PARA VITIT 1990 KUPA E REPUBLIKËS Është Kupa e cila ka rezistuar që nga viti 1938, ku për herë të parë është fituar në nga skuadra e Tiranës, duke hyrë në histori si fituesja e parë e saj. Organizatorët ishin drejtuesit e FSHF-së, institucion ky që atëherë ishte vullnetar dhe më pas filloi të varej nga shteti, duke mos qënë një organizatë e pavarur. Tashmë është edicioni i 55-të i saj, ku realisht Kupa e Shqipërisë vlerësohet në Evropë me pjesëmarrjen në Kupën UEFA. KUPA "SPORTI POPULLOR" Kupat me emrin e gazetave të ndryshme të kohës organizoheshin cdo vit, para fillimit të sezonit futbollistik. Këtu merrenin pjesë skuadrat e Kategorisë së Parë të ndara në dy grupe. Më pas kupa të tilla u pasuan edhe nga redaksi të gazetave të tjera të kohës si "Bashkimi", "Puna", "Mësuesi", etj. KUPA E KRYEQYTETIT Kjo ka qënë kupa e vetme që organizonte FSHF-ja, në të cilën merrnin pjesë tre skuadrat nga kryeqytetit, Tirana, Partizani dhe Dinamo duke ftuar edhe një skuadër rrethi si Vllaznia, Elbasani, Teuta, etj. Kjo kupë zgjaste vetëm një ditë, sepse ndeshjet zhvilloheshin me eliminim me nga 30 minuta një pjesë loje. KUPA "11 JANARI" Ka qënë më shumë një kupë që luhej në kryeqytet gjatë periudhës së dimrit, para datës 11 janar që është edhe dita e shpalljes së Republikës së Shqipërisë. Në këtë Kupë luanin vetëm tre skuadrat e Tiranës, ku edhe kjo zhvillohej vetëm në një ditë me ndeshje eliminimi me kohë të reduktuar loje. KUPA E PAQES Ka qënë një kupë shumë e vecantë dhe e përvitshme, e cila organizohej vetëm para fillimit të sezonit futbollistik. Organizatorë ishin drejtuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Paqes dhe ngjyrat e kësaj kupe një ditore ishin më shumë politike se sa më përfitim profesional. Gjithsesi ishte një kupë e kohës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›