E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roland Mici: “Kupa e Federates, ndoshta me 4-6 skuadra”

Për ta bërë edhe më të prekshëm momentin e krijimit të një Kupe të FSHF-së, në prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport", sekretari aktual i kësaj Federate, Roland Mici, u shpreh se ky është një projekt që do të fillojë menjëherë në sezonin tjetër. "Organizimi i një Kupe të federatës është vënë në rregulloren e aktivitetit për sezonin tjetër dhe kompozimi e zhvillimi i kësaj kupe do t'i lihet në dorë Komitetit Ekzekutiv të federatës sonë". Për Micin janë disa variante të organizimit të kësaj Kupe, por që sipas tij gjithcka do të varet nga klubet për kohën që ajo do të zero në zhvillimin e saj. "Ka disa ide, ku njëra është për ta bërë një Kupë të vogël me 4-6 skuadra pjesëmarrëse në të, por edhe një tjetër që të ketë një shtrirje të gjerë. Mendimi është para fillimit të sezonit, por kjo do të varet shumë nga skuadrat, sepse dihet që është një periudhë e ngarkuar për to". Pra duket se edhe qeverisja aktuale e futbollit shqiptar nuk është shumë e prirur që një kupë e saj të kapë kohën bosh të skuadrave pa futboll zyrtar, apo edhe të jetë një kupë së cilës shpenzimet t'i qëndrojnë brenda saj.
Starova: Ka qënë një ide
Për Sulejman Starovën, ish-sekretarin e Federatës Shqiptare të Futbollit në periudhën 1997-2005, krijimi i një Kupe brenda federatës ka qënë një ide, por ajo mbeti vetëm e tillë, pasi sipas tij klubet nuk e dhanë asnjëherë verdiktin e zhvillimit të saj. "Unë gjithmonë kam insistuar që të zhvillohej një Kupë e tillë në FSHF, ndoshta jo si shtetet me futboll të madh, por të krijohej. Nga viti në vit kjo mbeti në letër për faktin se klubet nuk e shikonin si një kupë që mund t'i shërbente atyre, në raport me kohën që duhej të luheshin ndeshjet e saj". Kështu pra mbetet e qartë se pas vitit 1990 ideja e krijimit të Kupës së FSHF-së ka mbetur jetime, vetëm në letër dhe pa ide e platforma të qarta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›