E Diel, 1 Nëntor 2026

K. Alonsi, te Reali për 35 milionë euro

Ksabi Alonso dhe Reali i Madridit janë gjithmonë më pranë. Në fakt, mediat angleze shprehen të bindura se brenda kësaj jave, klubi spanjoll dhe Liverpuli do të mbyllin marrëveshjen për mesfushorin. Sipas të përditshmes "Times", Rafa Benitez është i gatshëm t‘i hapë "dritën jeshile" transferimit të 28-vjeçarit në "Santiago Bernabeu", nëse Florentino Perez firmos çekun me vlerë 35 milionë euro. Spekulohet se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe rreth disa detajeve të tjera financiare, ndërsa mbeten për t‘u perfeksionuar vetëm disa pika në kontratë. Tekniku i anglezëve, duket se ka evidentuar edhe zëvendësuesin ideal të Alonsos, ndërkohë që refuzoi përfshirjen në marrëveshje të mesfushorit holandez, Uesli Shnajder. Sipas të gjitha gjasave, nëse Reali dhe Liverpuli gjejnë akordin, në "Anfilld Roud" mund të zbarkojë David Silva, që gjithsesi ka karakteristika të ndryshme nga Ksabi Alonso. Pozicioni ideal i talentit të Valencias është si mesfushor ofensiv në krahun e majtë. Benitez duket i sigurt se mesi i fushës është i kompletuar, ku kapiteni Stiven Xherard mbështetet nga Maskerano dhe Lukas Pecini.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›