E Diel, 1 Nëntor 2026

Maks Mosli nuk rikandidon: Todt, pasardhësi im ideal

Maks Mosli nuk do të rikandidojë më 23 tetor për presidencën e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Kjo është konfirmuar nga vetë drejtuesi i lartë i FIA-s, nëpërmjet një letre të cilën ua ka dërguar të gjithë anëtarëve. Mes të tjerave, Mosli nënvijëzonte se Zhan Todt, ish-drejtori sportiv i Ferrarit, do të ishte "personi i duhur" për të udhëhequr federatën. "Që prej 24 qershorit, kur deklarova se nuk do të kandidoja sërish, më kanë mbërritur rreth 100 mesazhe nga anëtarët e FIA-s, të cilët më kërkonin që ta rishqyrtoja vendimin. Një mbështetje e tillë më lumturon dhe u jam të gjithëve mirënjohës", shkruante britaniku 69-vjeçar. "Nuk do të kandidoj zgjedhjet e tetorit", theksoi presidenti, i cili tregoi edhe emrin e pasardhësit të denjë: Zhan Todt. "Mendoj se është njeriu i duhur për këtë punë. Në sportet motorike, pa dyshim që ai është menaxheri më i mirë i brezit të tij dhe ndoshta i historisë. Skuadrat e drejtuara prej tij kanë fituar botërorin "Rally", gara të distancës së gjatë si Paris-Dakar, aktivitete si gara 24-orëshe e Lë Manit dhe tituj të njëpasnjëshëm në Formula 1". Më tej, duke shfletuar "CV"-në e Todt, ai nuk harroi të përmendte: "Ai ka qenë edhe shef ekzekutiv në një prej konstruktorëve më të suksesshëm. Zhan ka eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila është mjaft e rëndësishme për njeriun që drejton një institucion kaq të madh dhe kompleks siç është FIA". Mosli beson se Todt garanton pavarësinë e FIA-s, pasi nuk është i varur psikologjikisht nga Ferrari apo Pezho-Citrown, marka në të cilat punonte në të kaluarën dhe ka lidhje të veçantë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›