E Diel, 1 Nëntor 2026

Shinauatra ëndërron Murinjon te Man Siti

Tifozeria e Mançester Sitit është irrituar me drejtuesit e skuadrës, të cilët nuk dëshirojnë që Sven Goran Erikson të largohet në fundin e këtij sezoni. Por presidenti tajlandez i klubit, Thaksin Shinauatra, ka gjetur mënyrën për t‘i qetësuar, duke u përpjekur që të afrojë një tjetër trajner shumë cilësor, portugezin Hoze Murinjo. Mediat angleze kanë raportuar dje se Shinauatra ka filluar kontaktet me ish-trajnerin e Çelsit, duke i premtuar atij jo vetëm një rrogë të majme, por edhe një shumë të konsiderueshme për ta shpenzuar gjatë merkatos verore, në mënyrë që të rindërtojë skuadrën sipas dëshirave të tij. Portugezi mbetet një admirues i futbollit anglez, por duket shumë e vështirë që ai të pranojë një ofertë nga një skuadër e cila nuk do të luajë në Kupat e Evropës gjatë sezonit të ardhshëm. Pas largimit të tij nga Çelsi, Murinjo deklaroi se do të dëshironte të kthehej në Angli për të drejtuar një tjetër klub në të ardhmen, por theksoi se nuk dëshironte ta bënte një gjë të tillë menjëherë. Në këtë mënyrë, portugezi u hapi rrugë skuadrave spanjolle dhe angleze, duke kërkuar transferimin në këto kampionate gjatë verës. Si rrjedhojë, Shinauatra ka filluar kontaktet edhe me një tjetër trajner cilësor, brazilianin Luis Felipe Skolari, i cili do të largohet nga kombëtarja portugeze pas përfundimit të "EURO 2008". Derisa të zgjidhet emri i trajnerit të ri, Erikson do të vazhdojë të drejtojë skuadrën, pasi është konfirmuar se do të jetë ai në stolin e ekipit gjatë turneut veror që Mançester Siti do të zhvillojë në Azi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›