PS: Kryetarja të hapë dosjen, Topalli: Të verifikohet Rama
BLEDAR HOTI
Edhe pse zyrtarisht puna e Kuvendit ka përfunduar, maxhoranca dhe opozita janë përplasur sërish për çështjen e ligjit të ish-Spiunëve. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka replikuar në distancë me selinë rozë në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, duke akuzuar për çështjen e dosjeve. Socialistët kanë artikuluar publikisht dje se kryeparlamentarja Topalli është me dosje. Por kjo është përgënjeshtruar menjëherë nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, nëpërmjet zëdhënëses të saj, Suela Ruseti, si të pavërtetë. Gjithçka nisi me deklaratën e lëshuar së pari nga Topalli se, mosmiratimi i ligjit "Për ish-spiunët" erdhi si pasojë e kërkesës së bërë nga ana e opozitës, duke mos pranuar si një dështim nga ana e Kuvendit. "Lidhur me këtë, në seancat e mëparshme, opozita ka kërkuar kohë. Mendoj, që kur opozita kërkon kohë, mirë është që t'i jepet kohë. Uroj që kohën e kërkuar ta përdorë në mënyrë që të marrë vendimin e duhur, për t'u ndarë nga e kaluara e tyre e rëndë, shumë e rëndë. Për sa i takon reformës zgjedhore, mund të them se është bërë shumë. Janë vendosur baza shumë të mira dhe unë jam shumë optimiste. Reforma në drejtësi është një reformë në proces", u shpreh Topalli. Pas këtij qëndrimi ka reaguar PS-ja, duke deklaruar se, faji për miratimin e ligjit nuk i përket opozitës, por maxhorancës. "Thirrjes së saj ndaj opozitës për t'u ndarë nga e shkuara, duke hapur dosjet ne i përgjigjemi, se prej dy vjetësh zonja Topalli ka në sirtar projektligjin e Partisë Socialiste, për të nxjerrë spiunët e sigurimit nga politika. Dhe ndërkohë që këtë temë ajo e hap njëzëri me padronin e saj kryeministër, sa herë duan të spostojnë vëmendjen e publikut nga problemet reale që ka hapur keqqeverisja e Sali Berishës", theksoi kryetari i komisionit të PS-së për Ligjet, Yll Manjani. Socialistët shprehen të gatshëm për të votuar nismën e tyre për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit. "Projektligji ynë vazhdon të rrijë mbyllur në sirtarin e saj, bashkë me hijet e ish-Sigurimit të Shtetit, që janë sot deputetë e ministra. Por, nëse zonja Topalli kërkon sinqerisht t'i japë një shtysë reale këtij procesi, mund të hapë simbolikisht për publikun dosjen e saj", vijoi Manjani. Përplasjet në distancë nuk kanë munguar përsëri mes selisë rozë dhe kryetares së Kuvendit. "Jam këtu për t'ju deklaruar se, kërkesa për shtyrjen e kalimit të ligjit "Për pastërtinë e figurave" ka ardhur me ngulm nga Partia Socialiste, pas bojkotit të komisionit të Ligjeve. Sa për akuzën personale të fabrikuar nga Edvin Rama, dua t'i them këtij tellalli të mashtrimit, se pastërtia e figurës së kryetares së Kuvendit është kontrolluar tre herë nga komisione të ngritura nga Partia Demokratike e nga Partia Socialiste, dhe ajo është e gatshme të verifikohet edhe 300 herë të tjera, ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste nuk është verifikuar asnjëherë", u shpreh zëdhënësja e Topallit. Në qëndrimin zyrtar, Topalli thekson se, "Frikë e tmerr kanë ata që kërkojnë shtyrjen e këtij ligji apo pengimin e rishikimit të pastërtisë së figurave.
Frikë e tmerr ka Edvin Rama që nuk është verifikuar asnjëherë. Dua të siguroj Edvin Ramën se konsensusi është shumë i çmuar, por jo më i çmuar se verifikimi dhe e vërteta në këtë proces". Edhe pse Topalli në konferencën e saj për shtyp tha se, do të ketë konsensus mes PS-së dhe PD-së për sesionin e ardhshëm, për reformat madhore, duket se një gjë e tillë është e vështirë të realizohet. Qëndrimet e kundërta për çështjet e reformave, si zgjedhore dhe asaj në drejtësi, duket se do të prekin si përherë në momentin e fundit nga klasa politike shqiptare.
“Rivendosëm parlamentarizmin dhe transparencën në Kuvend”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar si mjaft pozitive 6-mujorin e këtij sesioni parlamentar. Në një konferencë për median Topalli e ka quajtur si arritje më të madhe votimin e ndryshimeve kushtetuese. Ajo ka bëri të ditur se, në sesionin e vjeshtës parlamentare puna do të fokusohet në realizimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore. Po për Topallin më me shumë rëndësi ka vendosja e transparencës dhe rritjes së parlamentarizmit, duke iu përgjigjur edhe konfliktit të krijuar me dekretet e presidentit Topi. "Mendoj se seanca dhe votat e djeshme në Kuvend, reflektuan në fakt, ndryshimin e madh midis transparencës që ishte në procedurat e kësaj radhe, dhe transparencës në radhën e kaluar", ka qenë komenti i saj mbi dekret e Topit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kryeparlamentarja ka diskutuar gjithashtu dhe në lidhje me marrëdhëniet e saj me opozitën, ku pretendohet edhe paraqitja e mocionit të tretë ndaj saj. "Unë e shoh me shumë optimizëm sesionin e ardhshëm. Unë e shoh si sesionin, që do të bëjmë të mundur, që Shqipëria do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.
Ndaj dhe jam shumë krenare për bilancin e parlamentarizmit të këtyre viteve, se është e gjithë puna e këtij Parlamenti me mbështetjen që i dha reformave, që bëri gati Shqipërinë, jo vetëm për të marrë ftesën në NATO, por me optimizëm të madh, me shumë entuziazëm, për t'u bërë anëtare e plotë e NATO-s, për t'u ulur në tryezën e aleatëve tanë më të mëdhenj", vijoi Topalli.
Shifrat
Kuvendi gjatë këtyre 6 muajve ka zhvilluar: 49 seanca plenare publike, ka miratuar 116 ligje, 6 akte normative me fuqinë e ligjit, 57 vendime, 13 seanca dëgjimore parlamentare e raportime me institucione të ndryshme, interpelanca me kryeministrin e ministrat, seanca pyetjesh me ministra, seanca informuese me kryeministrin. Topalli u shpreh se, "jam shumë e lumtur që Parlamenti gjatë kësaj periudhe është bërë më transparent se kurrë, kjo ka qenë ndër objektivat e mia personale dhe më bën të ndihem mirë. Vetëm gjatë 6 muajve të fundit, në 49 seanca plenare, ka rreth 200 orë debat, pjesën më të madhe të të cilit e zënë diskutimet e deputetëve të opozitës. Ndërsa me caktimin e Topit si presidenti i vendit, Kuvendit i është kthyer mbrapsht vetëm një ligj, ai i "Legalizimeve të zonave informale".
Parlamentarizmi
Kryetarja e Kuvendit ka mohuar zërat se gjatë 6 muajve janë dobësuar pozitat e saj. "Sa më shumë që forcohet parlamentarizmi, sa më intensiv që të bëhet Kuvendi dhe fakti që në Republikën tonë Parlamentare, është bërë vendi i vendimeve të mëdha politike, institucionale, kjo vetë e forcon pozitën e çdo deputeti dhe natyrisht të kryetarit të Kuvendit. Dhe për këtë unë ndihem shumë mirë. Ndjehem shumë mirë për intensitetin, ndjehem shumë mirë për mbështetjen e reformave shumë të vështira, shumë të guximshme, që po japin dhe do të vazhdojnë të japin rezultate të admirueshme. Dhe kjo e ndjerë nga ndërkombëtarët, e ndjerë nga shqiptarët në buxhetin e familjeve. Jam shumë krenare për gjithë aktivitetin e Parlamentit, jam shumë krenare për forcimin e parlamentarizmit, të jetës parlamentare dhe vendosjen e Parlamentit, në qendër të vendimeve të mëdha politike", theksoi Topalli.
Topi dekreton 20 ligje një ditë pas votimit në Kuvend
Pakti jo publik mes kryeministrit Berisha dhe kreut të shtetit, Bamir Topi, i cili u pa edhe dy ditë më parë në Parlament për anëtarët e Gjykatës së Lartë, shtrihet së fundi edhe në çështjet e pronësisë.
ADI SHKEMBI
Presidenti Topi ka dekretuar dje shpalljen e ligjit "Për verifikimin e titujve të pronësisë", që është kundërshtuar ashpër nga opozita gjatë seancës parlamentare. "Në mbështetje të neneve 93 dhe 84, pika 1 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore"", thuhet në dekretin nr.5826 të bërë publik dje nga zyra e shtypit e presidentit. Njëkohësisht kreu i shtetit ka dekretuar edhe 20 ligje të tjera, të cilat për koincidencë dekretohen vetëm një ditë pasi në Kuvend janë emëruar gjashtë dekretet për Gjykatën e Lartë. Ndër më të rëndësishmet janë disa ndryshime në ligjin "Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë"; ligjin "Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-IT"; "Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve" etj.
Verifikimi i tokës
Sipas kësaj nisme, parashikohet ngritja e komisioneve të tokave në 12 qarqe, që do të kryesohen nga prefekti, ku brenda tre vitesh do të verifikohet mënyra e dhënies së titujve të pronësisë ndër 18 vite. Verifikimi i titujve të pronësisë do të prekë zonat e tokave të bujqësore në pjesën e bregdetit shqiptar. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, janë 4700 ha që janë dhënë në kundërshtim me ligjin në zonën e jugut të vendit, ku edhe abuzimet janë tepër të mëdha nga zbatimi i ligjit 7501 "Për tokën". Gjatë debateve në Parlament opozita e ka cilësuar si një turp të madh miratimin e këtij projektligji, duke i kërkuar presidentit të mos e dekretojë këtë ligj. "Ju me këtë ligj që po miratoni po krijoni një komision të dytë Shaban Memia, ku prefekti, zyrtari i qeverisë do të shpërndajë apo do të heqë titujt e pronësisë", është shprehur kreu i grupit të PS-së, Valentina Leskaj pas votimit të ligjit. Ajo bëri të ditur se, opozita do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e sapomiratuar nga Kuvendi. Ndërsa ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka deklaruar se, "opozita abuzon me këtë qëndrim, pasi ligji bën fjalë për ata persona që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga ndarja e tokës bujqësore". Sipas tij, e gjithë kjo procedurë përfundon në dyert e gjykatave, ku është pushteti gjyqësor, që thotë fjalën e fundit mbi vendimet që do të merren.
Braçe: Humbëm në Kashar, por zgjedhjet ishin si në Palermo
Partia Socialiste pranon humbjen në zgjedhjet e pjesshme në fundjavë në Kashar, por e krahason procesin e votimit njësoj sikur të ishte bërë në Palermo të Italisë. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, tha në një konferencë për shtyp se, PS-ja është e hapur të ftojë në koalicion të gjitha partitë që duan të bashkohen me të. "Ne jemi ta hapur të ftojmë cilindo t'i bashkohet Partisë Socialiste, në misionin e saj për të ndryshuar këtë vend. N.q.s doni më shumë, do të doja t'ju thosha që, po në Kashar ne kemi humbur. Nuk e shikoj të volitshme të komentoj modelin e zgjedhjeve në Palermo. Hollësitë mund t'i shikoni nga ato shumëkatëshet që ndërtohen atje", u shpreh dje Braçe. Sipas zyrtarit të lartë të PS-së, pas miratimit të buxhetit suplementar, me kërkesë të kryeministrit Berisha janë shkurtuar 286 milionë dollarë. "Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shkurtohen 14 milionë dollarë fonde, ndër të cilat 12.5 milionë dollarë janë në zërin mbështetje për zhvillim ekonomik, për të cilin Shqipëria ka jashtëzakonisht nevojë. Në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, shkurtohen 3.1 milionë dollarë, ndër të cilat 1.8 milionë dollarë shkurtohen në zërin menaxhim të infrastrukturës të kullimit dhe ujitjes, për të cilët shqiptarët, veçanërisht ata që merren me bujqësi, ulërin çdo ditë, për pikën e ujit", u shpreh Braçe. Sipas tij, shkurtimi i fondeve ka prekur edhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe të Telekomunikacionit në të cilën shkurtohen 197 milionë dollarë, ndër të cilat 157 milionë dollarë shkurtohen në zërin rrjeti i rrugëve nacionale.
Meta në Kashar: Ishim pranë fitores
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje pasdite një takim me strukturat e LSI-së, anëtarë dhe simpatizantë të saj në Kashar. Qëllimi i tij takimi me të gjithë mbështetësit e LSI-së, si dhe me kandidatin e LSI-së, Alfred Bakalli, që u rendit i dyti pas kandidatit të PD-së, ishte falënderimi për punën me pasion deri në minutën e fundit në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara më 27 Korrik. Gjatë këtij takimi kreu i LSI-së, Meta shoqërohej nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Meta vlerësoi punën e të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së në zgjedhjet e Kasharit dhe veçanërisht të kandidatit të saj, Bakalli. Kreu i LSI-së theksoi se, nëse në këto zgjedhje LSI-ja doli e dyta, sepse përballë kishte jo PD-në, por të gjithë strukturat e shtetit dhe Qeverisë. Në zgjedhjet e ardhshme LSI-ja do të jetë padyshim forcë fituese në Kashar dhe në të gjithë Shqipërinë. Më tej Meta theksoi se, "ne do të kishim dëshiruar që kandidati ynë të dilte fitues në këto zgjedhje, dhe jo thjesht forca e dytë politike, por kjo ka qenë një sfidë e vështirë sepse anëtarët dhe simpatizantët tanë nuk janë ballafaquar vetëm me PD-në, por janë ballafaquar me të gjithë shtetin sepse i gjithë shteti, dhe e gjithë Qeveria ka qenë në çdo moment afër qendrave të votimit duke ju bërë presion votueseve". Në përfundim të këtij takimi, Meta është shprehur optimist jo vetëm për suksesin e arritur në këtë komunë, por me këtë ritëm që po punohet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, LSI-ja në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, do të jetë forcë e parë politike në vend.
Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha dje se, vendi nuk vuan vetëm nga një qeveri e papërgjegjshme, por edhe nga një opozitë e papërgjegjshme. "Një pjesë e lidershipit të PS-së është sjellë në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme, sidomos gjatë muajve të fundit duke i dhënë oksigjen Sali Berishës kur ai ishte më i dobët se kurrë për shkak të përgjegjësisë që kishte për tragjedinë e Gërdecit", u shpreh Meta gjatë një takimi me qytetarët e njësisë 11 në zonën e Bregut të Lumit.
Kashari, Koçi: U rrëzua profili socialist i PS-së
Ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi, deklaroi dje se, rezultati i Kasharit konfirmoi edhe njëherë për rrëzimin e profilit socialist të PS. "PD-istët e ardhur në krye të partisë po orientojnë një frymë politike përtej të majtës, kanë fotokopjuar statutin e PD se dhe ndryshimet mes PS-së e PD-së thuajse janë eliminuar në disfavor të demokracisë së brendshme partiake", u shpreh dje Koçi duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Kashar. Sipas Koçit, edhe pas këtij rezultati askush në PS nuk ka ndërmend të zhvillojë analizë, madje duket se fundosjen elektorale të Kasharit do ia faturojnë Sinan Egrës. "Nga ana tjetër, socialistët e LSI-ja duket se kanë reflektuar më mirë sesa Rama për 3 korrikun 2005. Ndërsa socialisti Meta ka një vlerësim realist për qeverisjen 8-vjeçare të PSSH-së përballë gjykimit të përbashkët nihilist Rama-Berisha për të njëjtën periudhë. Kapja e njerëzve të Ramës në afera antiligjore ka detyruar edhe grupin socialist të bëjë shfaqje teatri opozitar në Parlament me të cilin Berisha dhe Topalli tallen herë pas here", përfundoi Koçi.