Çamët sfidojnë opozitën: Në zgjedhje me Berishën
Çamët sfidojnë opozitën dhe nënshkruajnë marrëveshje elektorale me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, duke u grupuar në koalicionin e djathtë për zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë mënyrë, komuniteti çam përmes PDI-së zhvleftësoi dje akuzat e opozitës për mungesë të mbrojtjes së çështjes çame nga ana e Kryeministrit Berisha në takimin me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis, gjatë vizitës në Tiranë me datën 27 prill. Z. Berisha, njëkohësisht kryetar i PDSH-së, nënshkroi dje marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me kryetarin e PDI-së, z. Tahir Muhedini. Kryeministri Berisha, përmes kryetarit të PDI-së, i bëri të qartë komunitetit çam se PD-ja ka mbrojtur çështjen e tyre, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ai vërejti se elektorati çam gjithmonë ka votuar djathtas, ndërsa e cilësoi si pjesën e martirizuar të kombit. Ndaj dhe Kryeministri u premtoi atyre se tek ai do të gjejnë gjithmonë një avokat të së drejtës së tyre për të çuar përpara zgjidhjen e problemit çam.
“Ne e firmosim këtë marrëveshje për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të së drejtës së tyre, por te integrimi evropian, do të kenë edhe zgjidhjen dhe përgjigjen më të mirë për një seri problemesh”, - tha z. Berisha. Duke vlerësuar këtë komunitet për heroizmin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kryeministri pohoi me shqetësim se ata u përndoqën edhe nga diktatura komuniste e Hoxhës. Duke u kujtuar vendosmërinë e plotë të të votuarit djathtas që nga momenti kur u themelua PDSH-ja, z. Berisha vuri në dukje se firmosja e kësaj marrëveshjeje me PDI-në i shërben fitores së koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Firmosim një marrëveshje me një parti, elektorati i së cilës, me mençurinë më të madhe, vendosmërinë më të plotë, që nga dita e parë e themelimit të PD-së, ka votuar vetëm djathtas. Kjo parti është përfaqësuese në tërësi e komunitetit çam, pjesës së martirizuar të kombit, me historinë ndër më të dhimbshmet, që nga vitet '18 e deri më sot”, - deklaroi z. Berisha. “Një komunitet fisnik, - shtoi ai, - me kontribute të mëdha cilësore në historinë e kombit, një komunitet, i cili u spastrua me akuzat false, që nuk bashkëpunoi me nazistët, por luftoi me vendosmëri të madhe, që nga bandat e Zorbës u përzu nga vatrat e tyre dhe erdhi në Shqipëri. Ky komunitet, - tha më tej Berisha, - rinisi jetën në kushtet më të vështira, nën një regjim që shihte me dyshim çdo çam, sepse problemi i tij ishin kosovarët, çamët edhe minoritarët deri në një masë”. Sipas Kryeministrit, këto ishin tri grupimet që duhej vendosur lupa mbi ta. “Ai priti me padurim përmbysjen e diktaturës, pasi iu nënshtrua gjyqeve të pafundme, farsave gjyqësore politike, me të cilat regjimi i eliminoi dhe bëri gjahun e çamëve. Pas Zorbës, gjahun e dytë ndaj tyre e bëri Enver Hoxha”, - u shpreh Kryeministri. Z. Berisha siguroi PDI-në dhe komunitetin çam se PD-ja ka mbrojtur çështjen e tyre, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Berisha kujtoi se ka sanksionuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me vendin fqinj, në të cilin çamët, për ata që i thonë miqësisë miqësi, kanë kontributin më të madh historik që nga 1828-a deri në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shembullorë në luftën për lirinë e vendit ku jetonin, për dinjitetin e tyre. “Heronj të shumtë të revolucionit grek janë me origjinë nga shqiptarët e Çamërisë”, - deklaroi Kryeministri i vendit.
PD, marrëveshje me legalistët dhe ballistët
Kryeministri Sali Berisha nënshkroi dje edhe dy marrëveshje të tjera elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, atë me legalistët e Spahisë dhe ballistët e Alimadhit. Me dy aleatët tradicionalë të PD-së, Berisha pohoi gjatë firmosje së marrëveshjet me PLL-në dhe PBK-në bëhen në funksion të fitores të së djathtës në zgjedhjet e reja parlamentare. “Me PLL-në ne firmosëm një marrëveshje për të fituar së bashku, për të qeverisur së bashku. Ne ndajmë shumë vlera të përbashkëta me PLL-në dhe konsolidimi i këtyre vlerave që ne ndajmë, është interesi më mirë i Shqipërisë, rruga më e sigurt drejt realizimit përfundimtar të ëndrrës evropiane të kombit shqiptar”, - deklaroi z. Berisha. Kurse gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e PBK-së, Alibadhi, Kryeministri Berisha vuri në dukje se kjo parti u themelua me qëllimin më kryesor mbrojtjen e interesit kombëtar, zhvillimin e fibrës kombëtare. Ndaj sipas tij, të dyja partitë, me të cilat firmosi marrëveshjet, janë parti të martirizuara. “Në supet dhe arkivat e tyre janë shekuj dhe mijëvjeçarë burgje, tortura, ekzekutime. Një gjë është e sigurt, se në qoftë se armiqtë e këtij kombi në Beograd nuk do të arrinin të instalonin me forcë një klikë në krye të këtij vendi, Shqipëria sot do të ishte krejtësisht tjetër. Shqiptarët do të kishin vendin e tyre, ndofta njërin prej më të zhvilluarve në Evropë, me pasuritë e tij të mëdha, me karakterin e njerëzve të vet, me forcën, vitalitetin e tij, por Beogradi ia doli të instalonte në Tiranë seksionin e tij, i cili vendosi atë diktaturë makabre mbi vend”, - u shpreh z. Berisha.