E Hënë, 2 Nëntor 2026

KE: Ka ende probleme me listat e votuesve

02/06/2005  Smoravinski kërkon kujdes në përgatitjen e zgjedhjeve të 3 korrikut

Kryetari i delegacionit të Këshillit të Evropës për çështjet elektorale, Jerzy Smoravinski, tha dje se çështja e transparencës së financave në fushatë nga dy partitë kryesore dhe listat e zgjedhësve vazhdojnë të mbeten problemet më të prekshme në këtë situatë. Sipas tij, reporterët e KE-së janë optimistë se këto çështje do të zgjidhen deri në ditën e votimeve. “Transparenca e financave në fushatë vazhdon të mbetet një problem, që duhet përmirësuar. Nga ana tjetër, mbetet në nivele të ulëta ndërgjegjësimi i zgjedhësve për fushatën zgjedhore dhe kjo vjen për shkak të listave zgjedhore. Ne ishim sot në Elbasan dhe në njërën nga KZZ e atjeshme vumë re se një pjesë e mirë e personave kishin ankesa për listat, pasi nuk arrinin ta gjenin emrin në to. Listat e zgjedhësve kanë krijuar dhe problemet kryesore në zgjedhjet e kaluara. Gjithsesi, pavarësisht se afati i regjistrimit të zgjedhësve ka mbaruar, sërish ata mund të regjistrohen nëpërmjet gjykatës dhe deri më datën 3 korrik ka ende kohë të mjaftueshme“, tha Smoravinski. Sipas tij, në këto zgjedhje KE-ja do të dërgojë 40 vëzhgues, të cilët pas zgjedhjeve do të hartojnë dhe raportin e tyre për votimet. Lidhur me qëndrimin që do të mbajë Këshilli i Evropës, në rast se evidentohen probleme në zgjedhje, Smoravinski tha: “Edhe në rast se në raport do të gjeni fjalët 'zgjedhje të mira', fjalët pasardhëse do të përshkruajnë dhe defektet që ato kanë pasur. Por, ne e kemi dhënë paralajmërimin tonë për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve“, tha Smoravinski.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›