PD: Për dy vjet dyfishojmë turistët në Sarandë
02/06/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje, në zonën 99, në Sarandë, Besnik Aliajn, i cili do të ketë përballë në këtë garë Kryeministrin Nano. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së premtoi se brenda dy viteve në rast se opozita fitpon zgjedhjet do të dyfishojë turistët në Sarandë. Ndërkohë, kreu demokrat nuk i ka kursyer akuzat në adresë të Kryeministrit Nano, duke thënë që ky i fundit po e kërkon Sarandën për të larë paratë e tij të pista. “Brenda dy vitesh do të dyfishojmë numrin e turistëve në Sarandë. Turizmi është leva e Arkimedit, për të dalë nga varfëria që e ka zhytur qeverisja socialiste vendin. Eshtë e vërtetë që Gramozi ka mëkatet e tij për Sarandën, ndërsa Nano, që kërkon të vijë te ky qytet, po planifikon mëkate dhe më të mëdha nga të Gramozit. Ai nuk duhet të tallet me Sarandën, duke ia kaluar fajet Gramozit, pasi ngado që të kthesh kokën në Sarandë shikon pallatet e tij. Të njëjtën gjë që po bën në Sarandë po bën dhe në Kakome. Por Kakomeja ka pronarët e saj të ligjshëm dhe ne do t'i respektojmë ata. Nuk do ta lëmë Kakomenë që të lahen paratë e pista të Nanos pas "Rivierës". Mbroni pasurinë tuaj të rrallë dhe të Shqipërisë, Sarandën“, tha Berisha. Në takim e morën fjalën edhe krerët e partive aleate me PD-së. Kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, gjatë fjalës së tij e krahasoi PS-në me një anije që po mbytet për faj të kapitenit të saj. “PS është një anije me një kapiten që nuk shikon. Pavarësisht se ka hedhur syzet dhe kërkon të ankorohet në Sarandë. Anija ka një ekip që nuk di ta drejtojë, ajo është duke u mbytur, pavarësisht se po e vëzhgon Xhoi me helikopter nga lart. Ne kemi një anije që e drejton Berisha, me projekte dhe ide zhvillimi për Sarandën dhe të gjithë Shqipërinë, sarandiotët duhet ta bëjnë Nanon të largohet drejt Korfuzit me gomone, sepse dhe kohët e fundit kemi marrë vesh se po bën prova për të ngarë skafin.