KE, Lohan: Reformat?
Komisioni Europian prezantoi në Bruksel progres-raportin e vitit 2009 për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe për Shqipërinë. Gjatë prezantimit, Komisioneri i Zgjerimit, Oli Rehn, tha se këto vende kanë njohur progres, por që përparimi nuk është i pakthyeshëm dhe se rreziku kryesor në rajon mbeten ato që Rehn i quajti fusha të minuara politike. Zgjidhja e vetme, tha Rehn, është çminimi i tyre. Në prezantimin e raportit janë vërejtur një sërë mangësish, edhe pse Shqipëria, sipas KE-së, ka bërë progres të dukshëm. Duke u ndalur te procesi i liberalizimit të vizave, Rehn tha së Shqipëria ka bërë përparime në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por duhet të vijojë me shpërndarjen e pasaportave biometrike, me çështjen e kufirit dhe të menaxhimit të migracionit dhe në kuadrin institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu, ai tha se zgjedhjet nuk i përmbushën plotësisht standardet. Komisioneri Rehn tha se për Shqipërinë është ende problem serioz korrupsioni, dialogu politik është përkeqësuar, marrëdhëniet mes institucioneve janë të vështira, mungon transparenca për emërimin në administratë, dhe është realizuar pak progres në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit etj. "Përparimi në reformën e këtyre prioriteteve është i inkurajuar dhe monitoruar nëpërmjet dialogut politik dhe ekonomik me Shqipërinë dhe u zhvillua nëpërmjet strukturave të MSA-së", tha Rehn. Në të njëjtën ditë, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, bëri publik përmbajtjen e raportit. "Zgjedhjet ishin më të mira se të mëparshmet, por partitë duhet t‘i diskutojnë në Parlament pikëpamjet e tyre lidhur me konkluzionet e raporteve vëzhguese", u shpreh Lohan. Ambasadori deklaroi se Shqipëria ka një shans realist që të plotësojë kriteret për procesin e liberalizimit të vizave, me qëllim që propozimi të mbërrijë në mes të vitit 2010. Edhe pse vlerësoi se marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë janë inkurajuese, përfaqësuesi ndërkombëtar përmendi një sërë sfidash që duhet të plotësojë vendi, duke nisur që nga pavarësia e institucioneve, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zgjidhja e çështjes së pronave, eliminimi i ekonomisë informale e shumë hallka të tjera. Ambasadori Lohan theksoi se çelësi i suksesit dhe progresit të Shqipërisë janë reformat, por nuk e ka të qartë se si do të realizohen ato, pa pasur një opozitë të pranishme në Kuvend. Përfaqësuesi europian shtoi po ashtu se politika shqiptare nuk ka nevojë për ndërmjetës për gjetjen e zgjidhjes.