E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ndëshkoni korrupsionin e nivelit të lartë. Administrata, emërime politike"

Komisioni Europian thotë se përgjithësisht Shqipëria ka bërë përpjekje në luftën ndaj korrupsionit. Korrupsioni konstatohet se është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet problem serioz. Komisioni Europian kërkon të dhëna konkrete për luftën ndaj korrupsionit, veçanërisht korrupsionit të nivelit të lartë. Sakaq, administrata publike është në qendër të kritikave të forta të Komisionit Europian.

Korrupsioni

Përderisa korrupsioni ndeshet në kontaktin midis sektorit privat dhe administratës, një sërë masash janë marrë për reduktimin e kontakteve mes dy kategorive. Masat përfshijnë reduktimin e burokracive dhe procedurave. Progres në këtë fushë mund të vlerësohet edhe në sistemin arsimor, konkretisht në pranimet në universitete ku u aplikua një sistem për të minimizuar korrupsionin. "Në tetorin e vitit 2008 është miratuar strategjia për luftën ndaj korrupsionit 2008-2013, e ndjekur më pas nga plani i veprimit që u miratua në janar 2009. Zbatimi i tyre ka filluar. Megjithatë mekanizmat e zbatimit dhe afatet kohore reale mungojnë së bashku me treguesit e indikatorëve të monitorimit", shkruan raporti. Komisioni Europian thotë se transparenca në trajtimin e rasteve të dyshuara, pavarësisht pozitave të personave të përfshirë, do të ishte një tregues i qartë i pavarësisë së gjyqësorit. Kërkohet më shumë vullnet politik për të shkulur mbizotërimin e kulturës së mosndëshkimit. KE thotë se nuk ka pasur progres të dukshëm sa i takon reformës në sistemin shëndetësor, ku ka mbetur praktika se kujdesi ndaj shëndetit varet nga një bakshish. "Korrupsioni mbetet i lartë pothuajse në të gjitha nivelet e sektorit shëndetësor. Kërkohet miratimi i një strategjie reformuese të sistemit shëndetësor", thotë raporti. Komisioni konstaton se mungesa e transparencës dhe paqartësia ligjore në fushën e së drejtës së pronës ka favorizuar nxitjen e praktikave korruptive edhe në këtë sektor. "Transparenca në financimin e partive politike mbetet një ndër çështjet që kërkojnë zgjidhje. Kodi Zgjedhor thotë se KQZ mbledh deklaratat financiare të partive, por mbetet i paqartë mekanizmi i investigimit dhe fakti se s‘ka detyrim për deklarimin e donacioneve nga sektori privat", vijon raporti.

Administrata

Sa i takon administratës publike, konstatohet shumë pak progres. Baza ligjore rregullohet me ligjin për statusin e nëpunësit civil por konstatohen probleme me implementimin e tij. Raporti thotë se strategjia për reformën në administratën publike është miratuar, por implementimi i saj nuk ka filluar ende. KE konstaton se janë marrë disa masa për rritjen e cilësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore, por problem mbetet trajtimi i nëpunësit civil. Referuar financimeve për administratën publike, mund të vlerësohet një masë progresi sa i takon buxhetit të ri. Gjithsesi, vlerësohet se kapaciteti administrativ i Departamentit të Administratës Publike mbetet i dobët. KE thotë se është i nevojshëm një menaxhim më i mirë i burimeve njerëzore. Në raport nënvizohet se rekrutimi në administratën publike vazhdon të bëhet përmes procedurave jo transparente. KE vlerëson se edhe gjatë vitit të fundit janë vënë re lëvizje politike në administratën publike, ndonëse në një numër më të ulët. Vendet e lira konstatohet se mbushen me punonjës me kontrata të përkohshme, që shkojnë deri në 20% të të gjitha vendeve bosh. Kjo praktikë sipas Komisionit Europian pengon zbatimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil dhe krijon kushte për politizimin e administratës publike. Në përgjithësi, baza ligjore e administratës publike është në drejtimin e duhur, por kërkohet rritja e shkallës së transparencës dhe llogaridhënies në emërimet që kryhen. KE kërkon më shumë progres sa i takon ndërtimit të statusit të nëpunësit civil të bazuar mbi pavarësinë, meritat dhe profesionalizmin, larg interferencave politike. KE thotë se forcimi i ligjit për shërbimin civil dhe implementimi i strategjisë për administratën publike mbeten baza për të përmirësuar këtë aspekt.

D.Malaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›