Meta: Kërkesa për hapjen e kutive, PS t’i drejtohet gjykatave
Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha dje se për kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit, ajo duhet t’i drejtohet gjykatave. Në një konferencë për shtyp kreu i LSI-së theksoi se kjo është një çështje mes Partisë Socialiste dhe gjykatave. “Për pretendimet e tyre, e theksoj dhe njëherë, kanë të bëjnë me çështjet e gjykatave. Ato s`janë çështje që kanë të bëjnë thjesht me kutitë por janë çështje që kanë të bëjnë me gjykatat, sepse janë gjykatat ato që kanë marrë vendime për pretendimet lidhur me problemet e numërimit apo rinumërimit, pra problemet e kutive. Për problemet e gjykatave ata janë të lirë t`i drejtohen gjithë gjykatave në vend, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, siç i janë drejtuar edhe për raste të tjera”, tha Meta. Ai mbështeti propozimin e Kryeministrit Berisha, që opozita të listojë të gjitha pretendimet e saj dhe ti paraqesë për t’i votuar në formën e amendamenteve. “Opozita të listojë gjithë pretendimet e saj. Dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet mes opozitës dhe maxhorancës, të diskutohet dhe t`i jepet zgjidhje me vullnetin më të mirë. çështja e gjykatave nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e maxhorancës dhe e opozitës. çështjet e gjykatave janë çështje të gjykatave, ka nivele të tjera të gjykatave të cilave mund t`u drejtohet kushdo që ka probleme ose mund t’i drejtohet dhe Prokurorisë në rast se ka fakte për manipulime apo për cenime të procesit zgjedhor”, theksoi më tej Meta. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare “çdo futje e politikës do të ishte një hap prapa për demokracinë dhe për shtetin ligjor në vendin tonë. Për çështje të tilla unë mendoj se kanë një rrugë, e cila është rruga gjyqësore, megjithatë unë do të dëshiroja dhe një herë tjetër që të ecet në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje politike që respekton kuadrin kushtetues të vendit”. Por në të njëjtën kohë kreu i LSI-së kritikoi qëndrimet për të vendosur ultimatume për zgjidhjen e krizës. I pyetur për limitin kohor të 6 marsit, kohë kur digjet mandati i deputetëve të PS-së, Meta tha se “unë shpresoj se kjo do të kontribuojë për një zgjidhje politike duke respektuar kuadrin kushtetues të vendit para datë 6 mars. Jam i bindur që maxhoranca ka këtë vullnet dhe këtë preokupim dhe uroj që të gjithë aktorët e tjerë të sillen njëkohësisht më këtë përgjegjësi, sepse Shqipëria ka një axhendë të rëndësishme integruese përpara e cila nuk duhet të cenohet nga axhenda personale e cilitdo qoftë”.