E Shtunë, 31 Tetor 2026

DËSHTIMI I NJË TRYEZE

Kohët e fundit po diskutohet për rrugët dhe mënyrat se si faktorët politikë duhet të dalin nga kriza politike. Për zgjidhjen e saj janë angazhuar faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet deklaratave synojnë të ushtrojnë presion ndaj palët politikë që të ofrojnë një zgjidhje. Normalisht pyetja që ngrihet në të tilla raste është kush do ta zgjidhë krizën, si dhe kur mund të zgjidhet kjo krizë. Për sa i përket pyetje së parë - kush - mund të themi se aktorët që e kanë prodhuar atë nuk duket se kanë interes për ta zgjidhur atë. Mjafton të lexosh me kujdes deklaratat, qëndrimet e bëra publike nga palët, për të kuptuar mungesën e vullnetit për ta zgjidhur ngërçin. Në të tilla rrethana vlen të analizohen arsyet e mungesës së vullnetit për të ofruar një zgjidhje.
Aspekti i parë lidhet me rolin e ndërkombëtarëve. Ditët e fundit kemi një sërë takimesh të grupit të kryesuar nga z. Rama në kancelaritë evropiane për të siguruar mbështetje për kazus-in e tyre. Njëkohësisht, qeveria po shfrytëzon axhendën e takimeve brenda dhe jashtë vendit për të legjitimuar qëndrimin e saj. Siç shikohet nga këto manovra politike, bëhet e ditur se palët po tentojnë më shumë për të siguruar mbështetje për qëndrimet e tyre të mëparshme sesa po përpiqen për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Ndërkombëtarët në këtë rast po përdoren si mjet legjitimiteti për t’i dhënë të drejtë kazus-it së tyre dhe njëkohësisht, për të faktuar tek publiku rëndësinë që ka insistimi për ta çuar deri në fund këtë kazus. Njëkohësisht, ndërkombëtarët po ushtrojnë më shumë presion ndaj palëve për t’i detyruar që të gjejnë zgjidhje sesa të ofrojnë vetë ndonjë zgjidhje. Ky pozicion i tyre justifikohet me faktin se politika shqiptare nëpërmjet situatave të tilla ka rastin të tregojë përballë faktorit ndërkombëtar shkallën e pjekurisë. Kështu që, nuk mund të pritet zgjidhje të situatës nga partnerët ndërkombëtarë. Aspekti i dyte lidhet me pozicionin që mund të mbajë Presidenti në raport me palët. Kohët e fundit kemi një intensifikim të deklaratave të përfaqësuesve të rëndësishëm ndërkombëtar që janë prezent në vend. Nga deklaratat e tyre nënkuptohet roli që duhet t’i atribuohet për të tilla raste Presidentit të Republikës. Por në fakt ky institucion me ndryshimet kushtetuese që u bënë me pëlqimin e PD-së dhe PS-së, si dhe me vlerësimin pozitiv nga ana e ndërkombëtarëve e ka cenuar rëndë autoritetin dhe kompetencat e këtij institucioni. Në të tilla kushte, palët që kanë zbehur “de jure” në maksimum peshën dhe autoritetin e Presidentit nuk mund të shkojnë në tryezë për ti dhënë “de facto” autoritetin e cenuar nga ndryshimet kushtetuese. Gjithashtu, e njëjta logjikë vlen edhe për faktorët ndërkombëtar të cilët mbështetën ndryshimet për institucionin e Presidentit dhe tani kërkojnë t’i atribuojnë autoritetin e rrëmbyer nga këto ndryshime. Si rrjedhim, zgjidhja nga ky institucion për shkak të hapësirave të kufizuara mbetet i pamundur. Aspekti i tretë lidhet me natyrën e krizës. Palët duke qenë fabrikuesit e krizës nuk presin zgjidhje nga institucioni i Presidencës, pasi dinë shumë mirë arsyet pse e kanë prodhuar atë dhe kalkulimet politike qe rrjedhin nga zgjatja e saj. Në të tilla rrethana pozicioni i Presidentit mbetet thjesht si palë dëgjuese dhe jo zgjidhjeje. Kështu që do të jenë llogaritë politike që do të detyrojnë palët për të gjetur zgjidhjen. Aspekti i katër lidhet me psikologjinë e votuesit shqiptarë. Siç dihet tashmë, votuesit në përgjithësi kanë prirje të votojnë kundra qeverisë dhe jo nisur nga oferta më e mirë që i ofrohet atij nga subjektet politike. Kjo sjellje ka ardhur si pasojë e mungesës së ofertave politike në rastin më të keq ose i përafrimit të tyre në rastin më të mirë. Në një realitet të tillë politik është krijuar ideja se partitë ofrojnë të njëjtat gjëra, por dallimi i vetëm ndërmjet tyre qëndron tek faktin se kush arrin të zgjidhë problemet që janë ndeshur në qeveritë e mëparshme. Strategjia më e mirë në situata të tilla është që të vesh në dukje çfarë nuk po bën qeveria sesa të përpiqesh të mendosh se si do ta zgjidhësh t’i këtë çështje nëse do të vish në pushtet. Si rrjedhim, vëmendja përqendrohet në gabimet dhe paaftësinë që demonstron qeveria se sa në alternativat që duhet të ofrohen nga ana e opozitës. Në këtë kontekst,opozita synon ta mbajë sa më gjatë bojkotin për ta dëmtuar qeverinë. Aspekti i pestë ka të bëjë me ndikimin e efekteve të krizës globale. Ekonomia e vendit kohët e fundit po përballet me efektet e krizës. Ky fakt ka vënë në vështirësi eficencën e qeverisë për ta përballuar këtë situatë. Në të tilla kushte, një shpërqendrim i vëmendjes së publikut nga paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar një situatë të tillë makroekonomike tek opozita është shumë e vlefshme. Mbajtja e vëmendjes së opozitës dhe të publikut tek bojkoti e largon vëmendjen nga problemet e tjera. Të gjitha aspektet e lartpërmendura ofrojnë arsye të mjaftueshme për të mos pritur surpriza nga tryeza e ditës së shtunë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›