E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda rikthejnë në qeli ekzekutorin e dy policëve

Manovrat e avokatit për të lehtësuar pozicionin e Afrim Hasanajt për vrasjet. Autori i krimit hesht para gjykatës. Prokurori: “Vrasja u bë me vetëdije”

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje masën “arrest me burg” ndaj të riut që të hënën në mbrëmje ekzekutoi me kallashnikov dy efektivë të policisë së qarkullimit rrugor në Shën Mëri të Kukësit. I ulur në bankën e të akuzuarve, Afrim Hasani nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë në lidhje me krimin, ndërsa avokati i tij mbrojtës kërkoi që klienti i mbrojtur nga ai t’i nënshtrohej ekspertizës psikike. Pasi ka dëgjuar pretendimet e prokurorit të çështjes dhe ka shqyrtuar provat e vëna në dispozicion nga organi i akuzës, gjyqtari i gatshëm Fran Prendi vendos të pranojë kërkesën për të lënë në “arrest me burg” bashkëfshatarin e dy policëve të ekzekutuar.
Kërkesa
Të gjitha kërkesat e paraqitura dje nga avokati, gjyqtari i gatshëm i rrëzoi duke i cilësuar të pabaza. Nga ana e tij, avokati mbrojtës, Luan Ndregjoni, kërkoi masë “arrest me afat”, pretendim i cili nuk u pranua nga gjyqtari Prendi. Prokurori i çështjes, Ardian Nezha, tha se autori e kishte kryer krimin me vetëdije dhe dispononte një sërë provash të pakundërshtueshme, përfshi këtu bisedat telefonike të përgjuara mes tij dhe familjareve ku ai pohonte krimin. Gjykata çmoi gjithashtu të ligjshëm edhe arrestimin në flagrancë të autorit Afrim Hasani. Mbi babanë e dy vajzave rëndojnë akuzat e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të më shumë se dy herë, si dhe armëmbajtje pa leje dhe, nëse vërtetohen, Hasani rrezikon dënimin kapital burg për jetë.
Ngjarja
Afrim Hasani, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Shën Mëri të Kukësit, u arrestua falë një operacioni të zhvilluar në zonën përreth fshatit ku banon, pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Policia tha se i dyshuari nuk bëri rezistencë. Më parë forcat RENEA, që kryen operacionin, në bashkëpunim me forcat vendore të policisë, e kanë marrë të dyshuarin dhe mësohet se e kanë sjellë atë në Tiranë në një paraburgim të sigurisë së lartë. Dy policët, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, u ekzekutuan në mënyrë makabër katër ditë më parë në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Policët, efektivë të policisë së qarkullimit rrugor në Komisariatin e Kukësit u ekzekutuan në lokalin ngjitur vendit të shërbimit teksa prisnin të merrnin detyrën. Autori njihej si një njeri me precedent penal në këtë fshat. Hasani ekzekutoi policët pas një procedimi penal që këta të fundit kishin hapur ndaj tij për kundërshtim me dhunë të forcave të policisë.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›