E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Qeveria shqiptare të rishohë ligjin për dosjet

Nga Armand Maho

Reporterët e Këshillit të Evropës kanë kërkuar dje ndryshimin e ligjit të dosjeve, pasi, sipas tyre, ky ligj u miratua në mungesë të plotë të një konsensusi mes palëve. David Wilshire dhe Jaakko Laakso menjëherë pas takimit që zhvilluan me presidentin Topi në Pallatin e Brigadave, deklaruan se janë të habitur me mënyrën se si u veprua për miratimin e një ligji me rëndësi të tillë. Jaakko Laakso, reporteri holandez, deklaroi se vjen në Shqipëri pas disa vizitave të tjera dhe ka konstatuar se qeveria e Shqipërisë ka qenë shumë e gatshme për të bashkëpunuar me Këshillin e Evropës dhe komunitetin ndërkombëtar, ndërsa në rastin e ligjit të lustracionit nuk është vepruar kështu. “Është shumë e habitshme që këtë radhë qeveria e Shqipërisë nuk ishte e gatshme për të bashkëpunuar me konsensus për të riparë ligjin e Lustracionit me organizma ndërkombëtare si Këshilli i Evropës. Ndaj mendojmë se nuk është me vend që Këshilli i Evropës të rishohë ligjin. Ne mendojmë t'i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias në lidhje me përmbajtjen e ligjit të Lustracionit. Duket se përmbajtja duhet të ndryshojë, sepse kaq shumë organizata ndërkombëtare, jo vetëm Këshilli i Evropës, kanë qenë kaq kritike në lidhje me përmbajtjen. Dhe për fat të keq qeveria e Shqipërisë nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim me ne për ta riparë këtë. Ne shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të ndryshojë mendim në lidhje me bashkëpunimet e ardhshme me organizatën tonë”, - u shpreh Laakso.

Ndërkohë, në rast se për ligjin e Lustracionit duket se tonet kanë qenë të ashpra dhe të drejtpërdrejta, për rastin e shkarkimit të zëvendëspresidentit të Asamblesë parlamentare të KE, Aleksandër Biberaj, reporterët e KE kanë deklaruar se vërejtjet e tyre në lidhje me procedurat do i shprehin në një raport përmbledhës që do i paraqitet këtij organizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›