E Hënë, 2 Nëntor 2026

KE, fonde për godinën e paraburgimit në Durrës

21/03/2005  Ministria e Drejtësisë shkresë prefekturës, prefektura bashkisë, bashkia ngec për truallin

DURRËS - Në Durrës do të ndërtohet një godinë e re për të

paraburgosurit. Pas kalimit të dhomave të paraburgimit nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, në kuadër të përmirësimit të kushteve për të gjithë të ndaluarit, kjo ministri ka planifikuar ndërtimin e një godine në Durrës.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga prefektura e Durrësit, së cilës i është kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, që të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Ministri, në shkresën drejtuar prefektes Ingrit Shuli, ka kërkuar që KRRT-ja e bashkisë së Durrësit të studiojë dhe miratojë leje sheshi ndërtimi, për një sipërfaqe prej 9450 m2. Kjo nismë e Drejtësisë shqiptare, vjen në kuadër të prioriteteve për të

mbështetur programet e Komisionit Evropian për Drejtësinë në shpërndarjen e godinave të paraburgimit në nivel prefekture. Fondet për ndërtimin e godinës që merr një kapacitet prej 170 vendesh, do të përballohen nga KE dhe, pas ndërtimit të godinës, kushtet e të ndaluarve do të jenë shumë më të përshtatshme me standartet e dhomave të paraburgimit, në vendet e zhvilluara.

Kapaciteti për numrin e vendeve është llogaritur nisur nga mesatarja e të ndaluarve në vitin 2000 – 2002, që mendohen edhe si vitet me numrin më të madh të ndalimeve nga policia.

Aktualisht, në dhomat e paraburgimit në Durrës, ka mbingarkesë dhe kjo është pohuar edhe nga drejtuesit e policisë, ndërkohë që edhe kushtet janë shumë të papërshtatshme.

Nga prefektura e Durrësit, bëhet e ditur se e ka vënë në dijeni bashkinë e qytetit bregdetar për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, por bashkia akoma nuk është shprehur.

Godina e re ka vënë në vështirësi bashkinë, e cila edhe pse ka studiuar disa mundësi, akoma nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare.

9450 m2

sipërfaqja e ndërtimit

170 persona

kapciteti i godinës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›