E Diel, 1 Nëntor 2026

Meçani: Pagat e zyrtarëve të lartë janë rritur vetëm 12 %

Zëdhënësja e qeverisë, Juela Meçani, ka përgënjeshtruar ditën e djeshme lajmin e një të përditshme se qeveria ka rritur mënyrë të ndjeshme pagat për zyrtarët e lartë dhe se ata paguhen më shumë se zyrtarët amerikanë. Gjatë një konference për shtyp, Meçani tha se pagat e zyrtarëve të lartë janë rritur vetëm me 12 për qind, ndërkohë që me shifra të larta janë rritur pagat e ulëta dhe të mesme. Ajo i cilësoi si shpifje dhe trillime këto lajme. “Media të kontrolluara nga opozita dezinformojnë sot qytetarët shqiptarë, duke u shprehur se qeveria ka rritur rrogat e zyrtarëve të lartë dhe se ata paguhen më shumë se zyrtarët amerikanë. Një trillim të tillë mund ta bëjnë vetëm organet e mashtrimit. Gjatë këtyre tre viteve, kjo qeveri ka rritur pagat e zyrtarëve të lartë vetëm me 12 për qind, ndërkohë që ka rritur me 6.5 herë apo me 75 për qind rrogat e arsimtarëve, me rreth 80 për qind rrogat e infermierëve dhe me rreth 50 për qind rrogat e punonjësve të tjerë. Shpifjet dhe trillimet, të diktuara këto nga opozita, nuk mund të ndryshojnë realitetin dhe nuk mund të ndryshojnë asgjë në politikën e pagave më të larta të kësaj qeverie”, - tha Meçani në konferencën e shtypit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›