E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Topi të mos neglizhojë shumicën legjitime

Bamir Topi të mos neglizhojë në asnjë rast mazhorancën legjitime, që është votuar nga shqiptarët. Ky është apeli që bën ministri i Punëve të Brendshme Bujar, Nishani, i cili përmes “standard” u jep shpjegime debateve të fundit politike dhe ndalet gjatë tek konflikti mes PD-së dhe Presidentit Bamir Topi. Z. Nishani i kujton kreut të shtetit se mazhoranca e djathtë ka votëbesimin e shqiptarëve dhe ka ardhur përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, gjë e cila duhet respektuar. Nishani flet dhe për hapjen e dosjeve dhe pse u zgjidh momenti aktual për miratimin e ligjit. Anëtari i kabinetit qeveritar kritikon faktin se opozita po përpiqet të krijojë spiunë edhe brenda PD-së dhe qeverisë. Z. Nishani komenton dhe mundësinë e ndryshimeve në qeveri, por duke treguar përparësitë që ajo ka deri në mbylljen e mandatit qeverisës. Minsitri i Punëve të Brendshme tregon detyrat konkrete që i dalin dikasterit që ai drejton përballë atyre që kërkon BE, për integrimin e Shqipërisë. Z. Nishani thotë se në muajin shtator të këtij viti, Shqipëria do të ketë në funksionim një regjistër elektronik të shtetasve të saj, i cili do të funksionojë 24 orë on-line në të gjithë territorin e vendit. Në lidhje me letër-njoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, Nishani siguron se me fillimin e vitit të ri ne do të nisim shpërndarjen e këtyre dokumenteve që për herë të parë do të bëjnë të mundur pajisjen e çdo qytetari me numrin e vet personal të identifikimit dhe me një pasaportë, e cila do të jetë e aftë të integrohet në të gjitha sistemet e vendeve të BE-së.

Intervistoi: Valentina Madani

Z. Ministër, lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve në përgjithësi dhe atyre të drogës e qenieve njerëzore në veçanti, si dhe lufta kundër pastrimit të parave janë shpallur si prioritet për punën tuaj si ministër i Brendshëm. Por, a besoni se kodi aktual penal parashikon vërtet dënime maksimale dhe nivel të prerë dënimi për këto vepra penale? Apo lind domosdoshmëria e ndryshimeve të tij?

Ky është një prioritet dhe objektiv kryesor i qeverisë “Berisha”. Unë personalisht jam i kënaqur që kam mundur të jap kontributin tim, ashtu si shumë të tjerë, që këto objektiva dhe prioritete të kësaj qeverie të njohin dimensione indikative. Në lidhje me legjislacionin, besoj se në tërësi ne kemi një tërësi aktesh ligjore dhe nënligjore të mira. Për mua asnjëherë çështjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve nuk e ka penguar mungesa e akteve të caktuara ligjore, por mungesa e vullnetit politik dhe mbështetja morale dhe shtetare ndaj instrumenteve dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Kjo qeveri këtë aplikoi si prioritet. Mbështetjen e plotë ndaj këtyre agjencive, si dhe motivimin e çdo anëtari të këtyre agjencive, duke treguar se ne ndërtojmë shtetin me moton “kushdo i barabartë përpara ligjit” dhe atë të “tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit”. Ky është çelësi i suksesit. Që në fakt është një çelës që kishte qëndruar gjithnjë i varur në murin e nderimit të shoqërisë sonë, por që të tjerët nuk kishin dashur ta përdornin.

ǒpo bën Ministria e Brendshme për përmbushjen e detyrimeve që lindin nga Brukseli për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së? Po për sa i përket regjistrit kombëtar të gjendjes civile? Kur do kenë shqiptarët kartat e tyre të identitetit?

Ministria e Brendshme dhe institucionet e varësisë së saj kanë një sërë detyrash kryesore që kanë lidhje me procesin të cilit i referoheni ju. Me luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, me menaxhimin e integruar të kufijve, me reformën e decentralizimit të pushtetit lokal, me reformën në administratën publike si dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me dokumente identiteti. Kjo e fundit është një nga angazhimet madhore të qeverisë “Berisha”, e cila po bënte të mundur një evolucion të parë të llojit të vet në tërë historinë e këtij vendi. Për të mos u zgjatur shumë në shpjegimet teknike, po ju them se në muajin shtator të këtij viti Shqipëria do të ketë në funksionim një regjistër elektronik të shtetasve të saj, i cili do të funksionojë 24 orë on-line në të gjithë territorin e vendit dhe midis zyrave të shërbimeve më të rëndësishme të këtij shteti. Do të kemi mundësinë për herë të parë të prodhimit të listave të votuesve nga ky regjistër, i cili përditësohet në mënyrë elektronike çdo ditë pa asnjë mundësi të ekzistencës së dublimeve apo përjashtimit të shtetasve nga këto lista.

Në lidhje me letër-njoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, aktualisht jemi në prag të nënshkrimit të kontratës me koncensionarin, i cili pas nënshkrimit të kontratës brenda 4 muajve do të bëjë të mundur ngritjen e sistemit të aplikimit, personalizimit dhe prodhimit të tyre. Me fillimin e vitit të ri ne do të nisim shpërndarjen e këtyre dokumenteve që për herë të parë do të bëjnë të mundur pajisjen e çdo qytetari me numrin e vet personal të identifikimit dhe me një pasaportë, e cila do të jetë e aftë të integrohet në të gjitha sistemet e vendeve të BE. Kjo do të jetë dhe përmbushja e një prej kritereve kryesore për të përfituar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën evropiane.

Nuk mund të shmangim dot nga kjo intervistë politikën aktuale dhe problematikën e saj. Prej disa muajsh PD-ja ka hyrë në një konflikt me Presidentin Topi, por a po tenton partia në pushtet përmirësimin e marrëdhënieve me kreun e shtetit?

Unë besoj se nuk kemi probleme. Personalisht do të dëshiroja që vërtet të mos kishim probleme. PD-ja është partia që ka sot mazhorancën e votave të shqiptarëve për të qeverisur vendin. Askush nuk duhet të neglizhojë faktin që ky votëbesim ka ardhur përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, dhe ky është sistemi që të gjithë ne duhet të respektojmë. Nuk di të ketë ndonjë mundësi të funksionimit të ndonjë një “super”-mazhorance mbi mazhorancën legjitime. Presidenti po ashtu është një institucion i cili ka dalë nga një mazhorancë parlamentare përmes një procesi tërësisht kushtetues dhe demokratik. Ndaj duke respektuar parimet bazë të demokracisë, por edhe të vlerave të disa dimensioneve që shpesh herë nuk shkruhen në ligje, por janë po aq me vlera sa ato të shkruarat, besoj se nuk do të ketë vend për krijimin e problemeve.

Mazhoranca i rrëzoi dekretet e para të z. Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që për dekretet e dyta, Presidenti zgjeroi rrethin e njerëzve të përfshirë në përzgjedhjen e kandidatëve. A ishte kjo rruga e duhur?

Rruga e ndjekur për të gjitha llojet e proceseve është e duhur, kur ajo respekton procedurat që legjislacioni ynë parashikon. Natyrisht nëse janë ato kandidaturat e duhura, ne do të japim gjykimin tonë në Parlament kur kandidaturat të vijnë për të marrë pëlqimin.

Duke njohur disa fërkime dhe kontradikta për çështje konkrete, dua të besoj se nuk jemi në një “moment konflikti”, në kuptimin e keq që ka kjo fjalë, por në një moment të kapërcyeshëm diversiteti, dialogu i zvogëlon problemet, distanca i zmadhon...

Ju siguroj se nuk ka asnjë kontradikte. Padyshim dialogu ndërinstitucional është një instrument i domosdoshëm për të diskutuar dhe vlerësuar pozitivisht gjetjet më të mira dhe ligjore të mundshme. PD-ja ka treguar me fakte se është një parti dhe shumicë qeverisëse aktuale që ofron dialog.

PD-ja është e interesuar për një President mbi palët, të paanshëm apo një kryetar shteti partiak? Cila do të ishte më e dëmshme për partinë në pushtet siç është PD-ja, nga e cila ka dalë dhe z. Topi?

Për PD-në është e dëmshme ajo që është e dëmshme për këtë vend dhe për këtë shoqëri. Kur PD-ja propozoi z. Bamir Topi për President të Republikës, ajo nuk u nis aspak nga fakti që të kishte në ketë post thjesht nënkryetarin e partisë, por kishte në gjykimin e saj faktin që shqiptarët do të kishin një President që respekton Kushtetutën, respekton ligjet dhe vlerëson të gjitha palët.

Të ndalemi pak tek debati tjetër, ai i hapjes së dosjeve të ish-sigurimsave të Shtetit? Pse rihapet tani pikërisht ky debat për spiunët?

Debati ka nisur që në vitin 2006 dhe për hir të së vërtetës me iniciativën e grupit parlamentar të PS-së. Ndaj duket krejt e pakuptimtë që tani ata tërhiqen nga ky qëndrim i tyre i vetëm 2 viteve më parë. Pra, ky ka qenë një debat i hapur dhe mbi tryezën e debatit. Ne kemi një detyrim edhe për shkak të një rezolute të Këshillit të Evropës. Ndaj grupi parlamentar i PD-së ka një obligim edhe ligjor edhe moral t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Në fakt vajtja deri në fund këtë radhë do të lehtësojë shumë procese të tjera që lidhen me qetësimin e kësaj shoqërie, por edhe grupe të caktuara shoqërore.

A krijoi e majta në periudha të ndryshme pseudonime spiunësh për PD-në, pasi po flitet gjithnjë e më shumë për spiunë edhe brenda PD-së dhe qeverisë?

Unë nuk di se çfarë skenarësh diskutohen dhe aplikohen në korridoret e së majtës. Por kam parë në Parlament disa deputet të majtë që në një lloj shfaqjeje prej karagjozësh mendojnë se po bëjnë diversion, duke prodhuar me fantazinë e tyre, që në fakt është për të ardhur keq për nivelin intelektual, disa epitete që të bëjnë opinionin publik të mendoje se tek mazhoranca paska plot ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Kjo është jo thjesht për të qeshur me fatkeqësinë e atyre që i trillojnë këto. Tani prova për t’u kaluar është e thjeshtë dhe në mejdanin e Parlamentit. Ne po kërkojmë që ky ligj të kalojë dhe të zbulojë se kush janë ish-bashkëpunëtorët, dhe për këtë nuk po kemi frikë. Ata që vetëm kanë akuzuar deri tani kanë përpara provën për të kaluar. Çuditërisht po kërkojnë të tërhiqen. Ne do ta çojmë deri në fund këtë proces.

Pse përjashtohen nga hapja e dosjeve media dhe klerikët?

Media është një aktivitet privat i individëve që nuk po kërkojnë të marrin mandate përfaqësuese në pushtetin politik. Besoj se nuk ka asnjë sens që të ndërhysh në jetën e atyre që mbajnë një pozicion të tillë për aq kohë sa e mbajnë. Nëse dikush prej këtij pushteti kërkon të përfshihet në politikë apo pushtetet ekzekutive natyrisht që do t’i nënshtrohet këtij ligji. Po kështu dhe kleri. Ne jemi një shtet ateist dhe kleri nuk është i përfshirë në funksione qeverisëse apo vendimmarrje të çështjeve publike. Ky është një proces që përfshin ato nivele të larta të politikës dhe shërbimit publik që me vendimmarrjet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në impaktin e jetës së qytetarëve apo të shoqërisë në tërësi. Ky diapazon duhet të jetë i çliruar nga ata kontingjente.

A i trembet politika përmasës shoqërore të problemit nëse hapen dosjet?

Ky është një proces që nuk hapet për të gjithë qytetarët. Unë e theksova dhe më lartë ky është një proces që duhet të prekë vetëm ata individë që kërkojnë dhe marrin mandate që me vendimmarrjen e tyre japin produkte që kanë ndikim tek jeta e qytetarëve të tjerë. Pra qellim është që vendimmarrja të mos jetë në dorë të individëve që mund të kapen dhe përdoren për shkak të asaj përfshirjeje.

Të flasim për qeverinë dhe si po funksionon ajo. A ka mundësi koalicioni i djathtë të nxjerrë një qeveri edhe më të mirë, muajt e ardhshëm për të hedhur bazat e një tjetër mandati qeverisës? A janë këto mundësi?

Qeveria formohet, drejtohet dhe gjykohet nga Kryeministri. Kështu funksionon në çdo shoqëri demokratike. Qytetarët kanë votuar për një program të caktuar që është prezantuar dhe marrë përsipër nga një lider i caktuar. Kështu funksionon kudo. Ata që përpiqen ta paraqesin ndryshe pavarësisht formave dhe metodave të ndryshme mendojnë se mund të mashtrojnë shoqërinë dhe dashje pa dashje kthehen në sharlatanë. Kështu që edhe çështja e ndryshimit të një qeverie të caktuar i takon atij që ka marrë votat e qytetarëve. Natyrisht që vendime të tilla mbështeten në një sërë faktorësh dhe arsyesh që përsëri lidhen me gjykimin e mandatarit të qytetarëve.

A i duhet kësaj qeverie, edhe një mandat i dytë për realizimin e projekteve madhore?

Kjo është tërësisht një e drejtë ekskluzive e qytetarëve shqiptarë. Janë ata që do të vendosin se a duhet të vazhdojë të qeverisë kjo mazhorancë apo duhet të ndryshojë. Unë jam i bindur në një fakt. Në faktin se qytetarët shqiptarë kanë një numër shumë të madh argumentesh për të marrë në analizë dhe për të vendosur. Këto argumente janë të lidhur drejtpërdrejt me atë se çfarë ka bërë kjo qeveri me pastrimin e ekonomisë së zezë dhe ofrimin dhe konsolidimin e një ekonomie progresive, çfarë ka bërë me sigurinë e jetës së shqiptarëve, çfarë ka bërë me sistemin e ngritur të korrupsionit, çfarë ka bërë me imazhin e shqiptarëve në botë, çfarë ka bërë me konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe barazisë së qytetarit para ligjit e një numër të madh argumentesh të tjera që në konkurrimin e ardhshëm elektoral do të jenë objekt i gjykimit të shqiptarëve, pra vetëm ata kanë sovranitetin e vendimit për atë që pyesni ju.

Z. Nishani ju kemi parë të jeni prezent në çdo seancë parlamentare, ndryshe nga ministrat e tjerë që mungojnë pjesën më të madhe të punimeve të Kuvendit. Me çfarë ka të bëjë ky fakt i juaji? Shpesh u është dashur të “mbroni” kolegët tuaj kur sulmohen në sallë nga opozita...

Personalisht mendoj se pjesëmarrja e rregullt në seancë është një detyrim i cili buron nga fakti se së pari ne jemi anëtarë të Parlamentit, dhe kemi marrë mandatin e besimit pikërisht nga ky institucion. Së dyti, në çdo seancë deputetët paraqesin probleme dhe çështje që kanë të bëjnë me përgjegjësitë administrative të ministrive përkatëse, ndaj jemi të detyruar të japim shpjegimet dhe informacionin përkatës që lidhet me çdo çështje që paraqitet në Parlament. Së treti, por që për mua merr rëndësinë parësore, është detyrimi që çdo ministër ka në respekt të punës së Parlamentit dhe çdo deputeti. Për sa i takon çështjes që ju shtroni në lidhje me marrjen në mbrojtje të punës së ministrave të tjerë, kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë pasi çdo ministër i është përgjigjur vetë kërkesave që u janë parashtruar. Për sa i takon opozitës, ajo atë detyrë dhe instrument ka në demokraci. Të kritikojë dhe sulmojë politikisht qeverisjen. Këtu nuk kam parasysh ulërimat dhe shpifjet jo-serioze. Unë megjithëse nuk kam të drejtë të marr në analizë mënyrën e të bërit opozitë, por për shkak të nivelit shoqëror ku sot tenton të hyjë shoqëria jonë, më duhet të them se nuk është produktive për të nxitur evolucionin e kësaj shoqërie as të bërtiturat dhe as shpifjet e një standardi të varfër inteligjence të individëve të caktuar të opozitës. Gjithsesi kjo është zgjedhje personale e gjithsecilit. Ne do të nxjerrim përfitimin e caktuar politik në këtë shfaqje të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›