KS kërkon negociata të reja Kosovë-Serbi
Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e 17 majit, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të nisin një fazë të re negociatash, që mund të çojë në zgjidhjen e çështjeve ku palët kanë mospajtime. Iniciativa duket e vështirë, pasi Kosova nuk pranon më asnjë diskutim për statusin, ndërsa Serbia dëshiron të diskutojë pikërisht për të, në përpjekje për të kthyer pas, të pakthyeshmen. Përfaqësuesja amerikane në OKB, Brooke Anderson ka theksuar se statusi dhe kufijtë e Kosovës janë të caktuar dhe pavarësia është proces i pakthyeshëm. Por ambasadori rus, Vitali çurkin ka përsëritur kundërshtimin e Moskës ndaj pavarësisë, duke kërkuar respektimin e rezolutës 1244, si bazë juridike për funksionimin e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni pranoi bisedimet, por tha se “Qeveria ime është e gatshme të bisedojë me Serbinë për shumë çështje të interesit të përbashkët, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”. Ndërsa homologu serb, Vuk Jeremiç tha se Beogradi është i interesuar që të gjendet një zgjidhje që nuk do ta kënaqte vetëm njërën palë. Ai pa si mundësi strategjike për një kompromis mes serbëve dhe shqiptarëve, periudhën pas vendimit të Hagës.